Integrimi në BE, Berisha i dorëzon Sanninos, planin e veprimit

Kryeministri Berisha i ka dorëzuar planin e veprimit, drejtorit të Zgjerimit në Komisionin Europian, Stefano Sannino. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë theksoi se ky plan veprimi është një plan i hartuar pas një pune shumë serioze të përbashkët të të gjitha forcave politike, mazhorancës dhe opozitës, shoqërisë civile dhe me një ndihmë direkte serioze të Komisionit Europian, përfaqësues të të cilit gjatë gjtihë kësaj periudhe kanë patur në epiqendër ndihmën e vendit tonë për të çuar përpara reformat e nevojshme për procesin e integrimit. Ndër të tjera në fjalën e tij, kryeministri Berisha në Komitetin Ndërministror të Integrimit, u shpreh se për qeverinë procesi i integrimit mbetet procesi më themelor, proces për të cilin qeveria është e vendosur për të marrë çdo hap, çdo masë për të përmbushur detyrimet e saj. “Shfrytëzoj rastin të siguroj se ky proces është proces gjithpërfshirës sepse të gjitha forcat politike në Shqipëri kanë programin e tyre, integrimin në BE”, u shpreh ai. Në këtë drejtim, kryeministri u ndal tek heqja e imunitetit. “Është debat i shëndetëshëm për një problem themelor në luftën kundër korrupsionit, siç është imuniteti. Kam kënaqësi të informoj zotin Sannino se opozita dhe pozita janë dakord për heqjen e imuntitit, kanë pasur kundërshti për rrugën ligjore të procedimit, në këtë rast është qeveria ajo që do të bëjë kompromisin, do të pranojë atë formë që opozita e quan më të përshtatshme për heqjen e imuniteteve në Shqipëri, të zbatohet edhe një marrëveshje që Shqipëria ka që në vitin 2004 me KiE , të bëhemi një vend pa imunitet lidhur me korrupsionin e krimin e zakonshëm”, nënvizoi kryeministri. Po ashtu kreu i qeverisë informoi se janë bërë hapa në reformën e pronësisë dhe theksoi se brenda këtij mandati do të përfundojë regjistri dixhital i tokës, dhe se po punohet në 3 nivele të këtij regjistri.

Comments are closed.