Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

Kryeministri Berisha, në Takimin e Europës Juglindore në Budva:

Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha, vizitoi dje, Budvën (Mali i Zi) ku mori pjesë në takimin e Evropës Juglindore, një takim i përvitshëm ky që organizohet nga Grupi i Mëngjesit të Lutjeve në Europën Juglindore. Gjatë këtij takimi, Kryeministri deklaroi se Shqipëria arriti të mbijetojë si komb falë parimit “Të bashkuar në diversitet”. Kreu i qeverisë shqiptare kujtoi se gjatë 20 viteve të fundit, ka pasur rastin të marrë pjesë në shumë takime të nivelit të lartë, në OKB, porse ai më mbresëlënësi ka qenë ai Mëngjesit të Lutjeve në Uashington, ku njerëzit i luteshin Zotit dhe përpiqeshin të arrinin në mirëkuptim në njëri-tjetrin me besimin se shpirti i dashurisë, respektit dhe tolerancës është rruga e duhur për të ndryshuar botën për mirë. “Ne jemi mbledhur në moton “Bashkim në Diversitet”. Në këtë pikë unë mbetem shumë shqiptar. Arsye për këtë qëndrim duhet gjetur në historinë e kombit tim, një histori mjaft e vështirë, por kombi mbijetoi sepse ai mbeti i bashkuar në diversitet. Gjatë historisë sonë, disa dekada më parë pati përpjekje përçarëse në baza fetare, por kombi mbeti i bashkuar. Më vonë, një pjesë e madhe e shqiptarëve të krishtere u kthyen ne myslimanë. Historia mund të flasë. Tani ne jemi në vitin e 100-vjetorin e Pavarësisë. Një sundimtar i kohës, nga një vend i cili sot është mik, në një nga provincat në konflikt, i shkruante Presidentit të SHBA-ve se ky vend nuk ekziston, sepse janë rajone otomane e kështu me radhë. Por, peshkopi i asaj province i shkruante Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara se ne jemi një komb, pavarësisht se me besime të ndryshme, dhe ky peshkop ishte njeri trim. Kështu, edhe kombi im në diversitet është model i respektit të plotë të diversitetit. Në familjet shqiptare gjen njerëz, të cilët i përkasin besimeve të ndryshme. Në libra janë shkruar ngjarje kur njerëzit janë ankuar të peshkopi dhe janë përpjekur të ndalojnë martesat për shkak të besimit, por nuk kanë mundur”, vuri në dukje Kryeministri, sa i takon kësaj çështje. Kryeministri Berisha përcolli gjatë këtij takimi emocionet që përjetoi teksa vizitoi në Uashington Muzeun e Holokaustit, ku është dokumentuar e gjithë historia e popullit hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Tri javë më parë isha në Uashington ku jetova një moment shumë të veçantë të jetës sime. Unë vizitova Muzeun e Holokaustit dhe mendoj se do të ishte mirë që çdo njeri ta vizitonte. Është vendi që të bën më shumë përshtypje. Nëpër galeritë e muzeut janë të dokumentuara tradhtia ndaj hebrenjve. E vërteta është atje. Kjo, sepse Holokausti filloi në 1933-in. Hebrenjtë u braktisën dhe u dënuan. Më pas, u ngritën edhe kampet, si ai i Bukenvaldit, Mathauzenit, apo makineri të tjera të vdekjes dhe në ato kushte asnjë komb tjetër nuk i mbështeti hebrenjtë si shqiptarët. Asnjë qytetar i vetëm hebre nuk ra në duart e nazistëve. Pas luftës numri i hebrenjve në Shqipëri ishte edhe më i lartë se në fillim të luftës. Kështu shqiptarët i shpëtuan ata, nuk i tradhtuan dhe respektuan kodin tonë të vjetër të zakoneve, “besën” e shqiptarit, sipas së cilës “miku nuk duhet tradhtuar”. Por, tej zakonit arsyeja ishte se shqiptarët janë të bashkuar në diversitet. Ne e përfaqësojmë këtë diversitet. Prandaj, ne si një komb me shumë besime fetare kemi një privilegj të madh, ne kemi dy mbrojtës: Jezusin dhe Profetin Muhamed. Kështu në mendjet dhe në shpirtrat tanë ne frymëzohemi nga vlera të ndryshme. Sot, ne jemi një komb që jeton në vende të ndryshme. Ne jemi të bashkuar në diversitet. Vendi im ka kënaqësinë të ketë marrëdhënie miqësore me Malin e Zi, me Kosovën, Maqedoninë dhe natyrisht do të punojmë për një fryme të re në marrëdhëniet tona me Serbinë, sepse të pranosh njeri-tjetrin dhe të punosh se bashku- kjo është e ardhmja”,- vlerësoi Berisha, gjatë fjalës së tij. Në këtë takim, kanë marrë pjesë liderë, politikanë, personalitete nga Europa Juglindore dhe anëtarë të Kongresit Amerikan, si senatori amerikan James Inholfe, kongresmeni Robert Aderholt, Presidenti i Malit të Zi Filip Vujanoviç, Kryeministri Igor Luksiç dhe Kryetari i Parlamentit Ranko Krivokapic, ministri i Jashtëm i Bosnje Hercegovinës Zlatko Lagumdzija, ish-Presidenti dhe ish-Kryeministri i Malit të Zi, Milo Djukanoviç, ish-Presidenti kroat, Stjepan Mesiç etj. Qëllimi i këtij takimi ishte ndarja në frymën e miqësisë, të vlerave dhe ideve për promovimin e mirëkuptimit, tolerancës dhe bashkëjetesës midis kombeve, kulturave dhe besimeve.

Kryeministri uron alpinistët që valëvitën flamurin shqiptar në Everest

Kryeministri Sali Berisha, ka përcjellë nga Budva, ku ndodhet në takimin e Evropës Juglindore, urimet më të përzemërta për alpinistët shqiptarë, të cilët u ngjitën në majën më të lartë të botës, Everest, duke valëvitur aty, flamurin shqiptar. Ai e ka cilësuar këtë si një arritje historike për sportin shqiptar në 100-vjetorin e Pavarësisë. “Dëshiroj t’u përcjell përshëndetjet më të përzemërta alpinistëve shqiptarë, të cilët me burrërinë, me aftësitë e tyre fizike, psikologjike shënuan një arritje historike për sportin shqiptar, për flamurin kombëtar, flamurin më të bukur të dheut, i cili valëvitet tani në majën e Everestit. Kjo është një arritje jo vetëm për sportin, por edhe për Shqipërinë. Kjo është dhurata më e bukur që sporti shqiptar i bën Shqipërisë në 100-vjetorin e saj. Dua të përshëndes ekipin prej 6 vetash, të cilët kapën majën e Everestit në këtë 100-vjetor të pavarësisë. Përshëndetje shumë të përzemërt do t’i dërgoj atij që përfaqëson sot në atë ekip, rininë shqiptare, 18-vjeçarit Mateo Begeja, i cili duke bërë që flamuri ynë të valëvitet në majën e Everestit, i bëri rinisë shqiptare përfaqësimin më dinjitoz. Ngjitja në Malin e Everestit është një frymëzim për të gjithë ata që synojnë ngjitjen dhe lartësinë, por Mateo meriton dhe një përshëndetje të dytë, sepse është i dyti në botë që ndoqi të atin në majën e Everestit dhe për Everestin , kjo ishte një histori e veçantë”,- u shpreh, Berisha. Ekspedita e 6 alpinistëve shqiptarë, Fation Plaku, Gerti Pishtari, Erlin Rudho, Gjergj Bojaxhi, Xhimi Begeja dhe Mateo Begeja, drejt majës më të lartë në botë ka nisur në muajin prill. Kjo ishte një iniciativë për të vendosur flamurin në lartësinë më të madhe në botë me rastin e 100-vjetorit të vendit, 884 metra. Mësohet se alpinistët shqiptarë kanë qenë të shqetësuar gjatë kësaj ekspedite, pasi disa ditë më parë, një stuhi e papritur shkaktoi vdekjen e një alpinisti të huaj. Para nisjes, alpinistët shqiptarë kanë kryer stërvitje të veçantë për të duruar temperaturat ekstreme që varionin nga -30 deri -40 gradë celsius.

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin
News Reporter