Berisha-opozitës: Luftën e brendshme mos e sillni në parlament

Kryeministri Berisha në fjalën e tij në parlament, duke iu drejtuar deputetëve të opozitës, u kërkoi atyre që luftën e brendshme të mos e sjellin në parlament. “Rezulton se kjo është betejë mes tyre, nuk ka të bëjë fare me këtë ligj që kemi sjellë ne. Lepuri fle tek Anastas Angjeli, për shkak të udhëtimit të tij të fundit me kryetarin, sepse po i bën axhendën. Tani, pranoni se puset i keni dhënë ju, i pranoni të gjitha, pse nuk e bëtë më përpara këtë? Apo e bëtë tani që e morri kryetari me vete në udhëtim? Zotërinj keni asamblenë atje. Luftën e brendshme mbajeni në parti, mos e zgjidhni në parlament, këtu jemi pozitë-opozitë”, u shpreh kryeministri. Më pas fjalën e mori kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi i cili deklaroi se axhendën kreut të opozitës ia ka bërë Departamenti i Shtetit. “Agjendën ia ka bërë departamenti i shtetit, në shtatë vjet qeverisje nuk keni asnjë ftesë nga DASH”, nënvizoi Ruçi.