Berisha: Qeveria e vendosur, për të avancuar procesin e integrimit

“Qeveria po punon për të shndërruar në program pune të gjitha kërkesat tërësore të raportit të Komisionit Evropian”. Kështu është shprehur kryeministri Berisha në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Integrimit, ku u diskutuan hapat e mëtejshëm në përmbushjen e 12 prioriteteve të përcaktuara nga Komisioni Evropian, si dhe shndërrimi në program pune për qeverinë i të gjitha kërkesave tërësore të raportit të këtij Komisioni. Kryeministri theksoi se do të bëhet gjithçka për të avancuar në procesin e integrimit dhe për një bashkëpunim të shëndetshëm, brenda parimeve themelore, me opozitën. Kryeministri u shpreh se në traditën e kësaj qeverie, ka qenë dhe mbetet i pandryshueshëm shndërrimi në program pune, qoftë i kërkesave që kanë të bëjnë me demokracinë dhe funksionimin e saj, por edhe ato që  kanë të bëjnë me ekonominë e tregut dhe funksionimin e saj, me Aqui-të dhe çështjet sociale të zhvillimit të vendit. “Qeveria dhe agjencitë e saj duhet të bëjnë gjithçka për zbatimin e të gjitha kërkesave dhe standardeve të raportit. Nga ana tjetër, qeveria dhe agjencitë duhet të komunikojnë në mënyrë konstante me Komisionin e Integrimit dhe të raportojnë sa herë që kërkohet prej tij, sikundër, duhet të përshtaten qëndrimet me ato të cilat bien dakord në Komisionin e Integrimit”, u shpreh kryeministri. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë siguroi edhe njëherë qytetarët shqiptarë se qeveria mbetet shumë e vendosur të bëjë gjithçka që është në dorë të saj, për të avancuar procesin e integrimit, do të bëjë gjithçka, brenda  parimeve më themelore, për një bashkëpunim të shëndetshëm me opozitën.

Comments are closed.