Berisha takim me të dërguarat e posaçme të Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton

Kryeministri Berisha ka zhvilluar sot një takim me të dërguarat e posaçme të Sekretares së Shtetit Hillary Clinton. Kreu i qeverisë ka pritur sot zonjën Hannah Rosenthal dhe zonjën Farah Pandith, të cilat ndodhen në Shqipëri për evidentimin e modelit pozitiv që ofron Shqipëria sa i takon harmonisë dhe tolerancës fetare, si dhe mbrojtjes ofruar komunitetit hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore, në kuadër të misionit të tyre, të mandatuar nga Kongresi Amerikan, për raportimin dhe informimin e autoriteteve amerikane dhe Kongresit përsa i përket antisemitizmit, por edhe mosdiskriminimit e tolerancës fetare e etnike në botë. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe ambasadori amerikan në Tiranë, Alexandër Arvizu. Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha theksoi se ishte një nder i veçantë që në ditën ndërkombëtare të gruas, 8 marsit, të presë këto dy zonja, me mision kaq të rëndësishëm dhe fisnik, që ka të bëjë me përpjekjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për konsolidimin e tolerancës dhe harmonisë midis komuniteteve fetare apo etnike në botë, si dhe luftën kundër antisemitizmit. Rosenthal dhe Pandith, i shprehën kryeministrit vlerësimin më të madh për klimën e shkëlqyer të tolerancës fetare par excellance që ekziston në Shqipëri dhe në veçanti, një mirënjohje të thellë për popullin shqiptar, i cili bazuar në këtë traditë të shkëlqyer e renditi Shqipërinë ndoshta të vetmin vend në Europë, i cili nuk dorëzoi asnjë nga hebrenjtë e tij në duart e nazistëve, por, përkundrazi, i mbrojti, strehoi dhe i shpëtoi ata, nga barbaria e holokaustit. Miqtë amerikanë dhe ambasadori Arvizu vlerësuan në këtë kontekst, kontributin aktiv dhe të vazhdueshëm të kryeministrit Berisha në luftën kundër diskriminimit të çdo lloji në Shqipëri dhe në promovimin e mëtejshëm të kësaj tradite të shkëlqyer tolerance, mirëkuptimi e respekti. Më tej, zonja Rosenthal dhe zonja Pandith informuan Kryeministrin Berisha për gjetjet që ato kanë evidentuar gjatë udhëtimeve të tyre në vende të ndryshme të botës, përsa i përket çështjeve të diskriminimit apo intolerancës e antisemitizmit, si dhe projekteve të tyre për promovimin e harmonisë, mirëkuptimit e respektit midis popujve, të cilat përfshijnë edhe përdorimin e mjeteve moderne të komunikimit. Duke e vlerësuar misionin e tyre si fisnik, Kryeministri Berisha i garantoi se qeveria shqiptare e mbështet plotësisht këtë mision dhe do të ndërmarrë do masë për të ofruar kontributin e saj në projektet e tyre të rëndësishme, për të luftuar diskriminimin, ksenofobinë apo racizmin e çdo forme.

Comments are closed.