Berisha-Kover: Hungaria mbështet integrimin e Shqipërisë në BE

Kryeministri Berisha , i cili ndodhet në Hungari për një vizitë zyrtare treditore u prit sot në një takim nga Kryetari i Parlamentit të Hungarisë, zoti László Kövér. Duke i uruar përzemërsisht mirëseardhjen, Kryetari i Parlamentit Kövér shprehu kënaqësinë e veçantë që takohej me kryeministrin Berisha, në këtë vizitë. Gjatë këtij takimi, Kryetari i Parlamentit Kover i rikonfirmoi kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të Hungarisë për integrimin e Shqipërisë në BE. Duke u ndalur në marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, kryetari Kövér u shpreh se ndihej i lumtur që parlamenti hungarez po jep kontributin e tij, në këtë drejtim për konsolidimin dhe zgjerimin e mëtejshëm te këtyre marrëdhënieve. Më tej, kryetari i Parlamentit të Hungarisë, vlerësoi bashkëpunimin midis të dy parlamenteve, i cili gjatë kësaj periudhe është intensifikuar ndjeshëm, duke u ndalur ne projektin e bashkëpunimit ndërparlamentar. Nga ana e tij, kryeministri Berisha falënderoi kryetarin e Parlamentit të Hungarisë, si dhe parlamentarët e pranishëm për pritjen e rezervuar. Kryeministri vlerësoi lart kontributin që parlamentet e të dy vendeve japin në marrëdhëniet midis të dy vendeve, duke e cilësuar rolin e tyre si të pazëvendësueshëm. Ndër të tjera, ne takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera dhe tradita e gjatë e miqësisë dhe mbështetjes së ndërsjellë, si dhe vullneti i të dy vendeve për ti intensifikuar ato,  në veçanti bashkëpunimin ekonomik dhe në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë për qytetarët e të dy vendeve, siç janë psh, nxitja e  investimeve hungareze në Shqipëri. Në vijim të takimit, kryeministri Berisha  u bëri  një ekspoze anëtareve të parlamentit për sukseset e arritura gjatë kësaj periudhe nga qeveria shqiptare në fushën ekonomike, arritjet në fushën e reformave fiskale, reduktimit te shpenzimeve burokratike, të ndërtimit te infrastrukturave te rëndësishme, krijimit të klimës më të favorshme për biznes e investime, në fushën e energjisë, turizmit, arsimit, sistemit shëndetësor, ICT etj. Kryeministri Berisha ritheksoi vullnetin a palëkundur të qeverisë për të ecur përpara me projektin madhor kombëtar të shqiptareve, integrimit në BE. “Në këtë kontekst, si dhe pasi pikëpamja e liderit të opozitës për të bllokuar u provua e gabuar nga vota e shqiptarëve, u shpreh kryeministri Berisha, qeveria shqiptare është e angazhuar në plotësimin e të gjithë standardeve për të ecur përpara me shpejtësi me hapat e mëtejshëm të këtij procesi, të cilin e konsiderojmë si një proces tërësisht të bazuar në meritë.” Kryetari i Parlamentit Kövér, duke u ndalur ne situatën politike në Shqipëri theksoi se shpresonte që opozita në Shqipëri të mos i rikthehet më rrugës së gabuar të bojkotit por të kontribuojë përmes pjesëmarrjes në institucionet demokratike, në proceset e rëndësishme në të cilat po ecën Shqipëria si ai i integrimit ne BE. Zoti Kövér shprehu vlerësimin dhe përgëzimet e veçanta për faktin qe Shqipëria është ndër vendet e pakta evropiane që nuk përjetoi krizë në kuadër të krizës globale ekonomiko financiare.