Berisha-Orban: Shqipëria në BE, interes për Evropën dhe shqiptarët

Kryeministri Berisha, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Hungari, zhvilloi një takim me kryeministrin e Hungarisë Viktor Orban, takim i cili u vijua më pas nga bisedimet mes dy delegacioneve respektive. Në përfundim të bisedimeve, të dy kryeministrat dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, ku në fjalën e tij, kryeministri hungarez vlerësoi përpjekjet e popullit shqiptar , i cili përballoi vuajtjet dhe mundi të jetojë në demokraci. “Për sa i përket lidhjes midis popujve tanë, midis shteteve tona , midis Hungarisë dhe Shqipërisë, lidhjet nuk janë  të rëndësishme vetëm  sepse ne jemi miq me njëri –tjetrin, por sepse Shqipëria është një shtet i rëndësishëm dhe, pavarësisht se tani është i rëndësishëm si shtet, në të ardhmen do të jetë akoma edhe më i rëndësishëm dhe të njëjtën gjë do ta shikojë edhe Evropa. Mund të them gjithashtu se ne kemi edhe histori të përbashkëta, duke pasur parasysh që nga historia e lashtë Skëndërbeun dhe Hunyadin, por edhe Mbretëresha shqiptare, zonja Geraldinë, ka qenë hungareze. Mes Shqipërisë dhe Hungarisë ka shumë e shumë vite që ka lidhje diplomatike dhe pikërisht, ne festojmë edhe 90 vjetorin e lidhjeve diplomatike mes dy vendeve”, u shpreh ai, për të shtuar se duke pasur parasysh stabilitetin e Ballkanit, Shqipëria është një nga faktorët kryesor për këtë stabilitet në rajon. Kryeministri hungarez theksoi gjithashtu se roli i Shqipërisë do të ndryshojë dhe do të zmadhohet shumë në vitet e ardhshme. Duke vlerësuar Shqipërinë si faktor stabiliteti në rajon, kryeministri Orban u shpreh se mirëpret integrimin sa më të shpejtë të saj në Bashkimin Europian. “Prandaj, ne mendojmë se politikë e mirë do të ishte që Hungaria të ndihmonte dhe të merrte parasysh si partner strategjik, jo vetëm Shqipërinë, por të gjitha shtetet  e rajonit. Unë mendoj se në vitet e ardhshme, potenciali më i madh për rritjen ekonomike në Evropë do të jetë pikërisht nga rajoni i Ballkanit. Kështu që, mendimi im është që; në qoftë se Evropa në të ardhmen do të ecë para, kjo do të ndodhë vetëm sepse ajo do të ketë partnerë  potencialë nga ana  e vendeve të Ballkanit. Për mendimin tim hapi i parë do të ishte që shtetet e Ballkanit Perëndimor të hynin në Bashkimin Evropian. Prandaj, jo vetëm ne, por edhe Evropa, e ka të rëndësishme që Shqipëria të bëhet pjesë e Komunitetit Evropian.  Shpresoj që kjo gjë të ndodhë sa më shpejt, pra që Shqipëria të hyjë në BE. Kjo do të ishte një gjë e mirë jo vetëm për Evropën, por edhe për shqiptarët kudo që ata të ndodhen, qoftë brenda kufijve të Shqipërisë, qoftë jashtë  tyre”, u shpreh ai. Nga ana e tij kryeministri Berisha duke e falënderuar homologun e tij për kontributin e madh që vendi i tij i ka dhënë Shqipërisë bëri ftesë investitorëve hungarez të vijnë në Shqipëri. Ndër të tjera kryeministri Berisha theksoi se në ditët e sotme, shqiptarët kanë pasur te Hungaria një mbështetje të fuqishme për anëtarësimin e tyre në NATO, ndërkohë që kanë një mbështetje të vendosur në projektin e  Shqipërisë për integrimin e plotë në BE. “Ne diskutuam gjerësisht për intensifikimin e marrëdhënieve tona në të gjitha fusha, në mënyrë të veçantë në fushën ekonomike, ku ka një hapësirë shumë më të madhe bashkëpunimi. Shqipëria bëhet çdo ditë e më shumë një vend me interes të veçante nga investitorët dhe ka një klimë miqësore ndaj biznesit. Në fushën energjisë, ne jemi vend i pasur në ujëra dhe kompani nga e gjithë bota po ndërtojnë hidrocentrale në Shqipëri. Shqipëria po ndërton një infrastrukturë tërësish të re rrugore, ku kompani nga e gjithë bota po marrin pjesë në tender në ndërtimin e kësaj infrastrukture. Kompanitë hungareze janë të mirëpritura në këto drejtime”, u shpreh ai.

Comments are closed.