Berisha takon ambasadorin e Kosovës: Konsolidim bashkëpunimi mes dy vendeve

Kryeministri Berisha priti sot ambasadorin e Republikës së Kosovës në Tiranë, Sylejman Selimi. Kryeministri e siguroi ambasadorin Selimi për mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare për misionin e tij, për konsolidimin e të gjitha lidhjeve të panumërta vëllazërore midis të dy vendeve dhe qytetarëve të tyre. Nga ana tjetër, Ambasadori Selimi e falenderoi përzemërsisht kryeministrin për pritjen e ngrohtë e miqësore dhe i shprehu mirënjohjen më të thellë për kontributin personal të tij dhe të qeverisë shqiptare, në mbështetjen e paçmuar e të pakursyer të shqiptarëve në Kosovë e në veçanti për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës si përsa i përket njohjeve të reja të saj, por edhe në të gjitha fushat. “Shqiptarët ju janë përherë mirënjohës për atë ç’ka ju keni bërë dhe vazhdoni të bëni për shqiptarët në përgjithësi dhe në veçanti për shqiptarët në Kosovë dhe Republikën e Kosovës,” u shpreh ai. Në këtë kontekst, ambasadori Selimi vlerësoi realizimin e rrugës së kombit nga qeveria shqiptare si një nga ngjarjet më madhore, me një kontribut të jashtëzakonshëm për lidhjet vëllazërore midis shqiptarëve në Shqipëri e Kosovë, por edhe që do t`i shërbejë zhvillimit ekonomik jo vetëm të të dy vendeve, por edhe të mbarë rajonit. Më tej, në takim u rikonfirmua vendosmëria e të dy vendeve për të intensifikuar e konsoliduar bashkëpunimin midis të dy vendeve në të gjitha fushat dhe për të eliminuar të gjitha barrierat burokratike në shkëmbimet midis dy vendeve, bazuar mbi modelet më të shkëlqyera, të zbatuara tashmë me sukses në Bashkimin Europian, duke u mundësuar qytetarëve të të dy vendeve që t`i çojnë në një stad më të lartë lidhjet si në fushën e shkëmbimeve ekonomike, tregtare, kulturore, arsimore e në të gjitha fushat në interes të së mirës së dy vendeve individualisht, por edhe atij kombëtar. Duke u ndalur tek 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë, u rikonfirmua se kjo ngjarje madhore në historinë moderne të shtetit shqiptar, por edhe të kombit do të festohet këtë vit sëbashku nga të gjithë shqiptarët me dinjitet, si nderimi më i madh që i bëhet përpjekjeve shekullore të kombit për liri e dinjitet, si dhe ngjarjeve e figurave të rëndësishme historike të të gjitha trevave shqiptare, të cilët bënë të mundur krijimin e shtetit modern shqiptar, por edhe ëndrrën e çdo shqiptari për rikthimin në vlerat e lirisë dhe qytetërimit europian.

Comments are closed.