Besimtarët bektashianë kremtojnë Sulltan Novruzin

Besimtarët bektashianë kremtojnë sot festën e Sulltan Novruzit, ditëlindjen e të madhit Imam Ali.  Haxhi Baba Edmond Brahimaj ka uruar sot të gjithë besimtarët bektashianë shqiptarë kudo që ndodhen për Festën e Sulltan Novruzit. Kjo datë mbledh në mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore autoritetet më të larta shtetërore dhe partiake, trupin diplomatik, si dhe mijëra besimtarë të tjerë. Në të njëjtën kohë, 22 marsi festohet edhe në teqetë e tjera bektashiane brenda dhe jashtë Shqipërisë. Në këtë fillim pranvere, besimtarët bektashinj shqiptarë festojnë lindjen e Imam Aliut, që simbolizon për ta rigjallërimin e besimit te vepra dhe fuqia e Zotit e bashkë me të rigjallërimin e shpirtit dhe të shpresës për jetën, për të ardhmen. Edhe në këtë ditë, të gjithë shqiptarët janë bashkë për të kremtuar, e për t`i shprehur njëri-tjetrit urimet më të ngrohta dhe mesazhet e paqes, të dashurisë, të mirëkuptimit dhe të harmonisë, po ashtu të besimit te mirësia dhe te dashuria njerëzore. Festa e Sulltan Novruzit përbën padyshim një kulm në besimin bektashian. Festa e Sulltan Novruzit ka mbërritur në viset shqiptare së bashku me besimin bektashian, në shekujt XV-XVI. Në shekullin XX dhe në mënyrë të veçantë në mesin e tij, kjo festë është shndërruar në një manifestim mbarëkombëtar. Diktatura komuniste në Shqipëri, e prirur drejt ateizmit, në vitin 1967 i mbylli të gjitha objektet e kultit, përfshi ato të besimit bektashian. Dita e Sulltan Novruzit u festua ilegalisht nga besimtarët bektashinj edhe të tjerë, nën maskën e shtjellave astronomike që lidheshin me ditën e ekuinoksit pranveror. 22 marsi i vitit 1991 shënon riçeljen e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, me bekimin e mijëra besimtarëve bektashianë.

Comments are closed.