Bie shfrytëzimi i kapaciteteve, më pak investime

 

Në tremujorin e parë të këtij viti përqindja e shfrytëzimit të kapaciteteve nga bizneset shënoi përsëri një trajektore negative. Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, në të gjithë sektorët ekonomikë norma e shfrytëzimit të kapaciteteve ka rënë, ndërsa bizneset nuk kanë kryer investime të reja. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në industri rezultoi rreth 70.6%, duke shënuar një rënie të lehtë prej 0.5 pikësh përqindjeje në tremujorin e parë. Aktualisht, kjo normë qëndron pothuajse në të njëjtin nivel me mesataren e saj afatgjatë. Bizneset në sektorin e industrisë shprehen për një nivel të ulët investimesh të reja në pajisje teknologjike dhe struktura të reja gjatë dy tremujorëve të fundit. E njëjta tendencë pritet të vijojë dhe në gjashtëmujorin e ardhshëm. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në sektorin e shërbimeve regjistroi vlerën 70%. Kjo normë rezulton rreth 4.1 pikë përqindjeje më e ulët krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe rreth 4.9 pikë përqindjeje poshtë mesatares historike. Në sektorin e shërbimeve, vetëm 15.4% e bizneseve të intervistuara shprehen të kenë kryer investime në gjashtëmujorin e kaluar. Ndër ta, 68.4% kanë kryer investime në pajisje teknologjike të reja. Për gjashtëmujorin e ardhshëm, vetëm 8.7% e bizneseve shprehen se do të kryejnë investime në pajisje teknologjike ose struktura të reja. Pjesa më e madhe e bizneseve në sektorin e ndërtimit nuk kanë kryer investime të reja në gjashtë muajt e kaluar. Gjithashtu, bizneset në këtë sektor nuk presin të kryejnë investime të reja në gjashtëmujorin e ardhshëm. Kjo tablo tregon qartësisht një prirje në thellim të hendekut negativ të prodhimit në ekonominë shqiptare, çka pritet të sjellë këtë vit një rritje ekonomike shumë më të ulët se potencialet.