Bien interesat edhe për borxhin publik afatgjatë

 

Interesat e borxhit publik po bien edhe në instrumentet afatgjatë. Në ankandin e zhvilluar në Bankën e Shqipërisë, obligacionet me maturim dy-vjeçar u emetuan me një normë interesi prej 7.08%, nga 7.22% që ishte në ankandin e muajit të kaluar. Që nga fundi i vitit të kaluar, interesat e obligacioneve kanë rënë me rreth 0.6 pikë përqindjeje, duke ndjekur të njëjtën tendencë me interesat e borxhit afatshkurtër të marrë përmes bonove të thesarit. Obligacionet dyvjeçare janë instrumenti kryesor i borxhit afatgjatë në tregun e brendshëm dhe zakonisht emetohen me frekuencë njëmujore. Në total, obligacionet përbëjnë rreth 44% të totalit të borxhit të brendshëm. Ulja e interesave në tregun e borxhit publik është rrjedhojë e politikës monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, e gjendjes së mirë të likuiditetit të bankave, por edhe e mundësive të pakta që ofron tregu për të dhënë kredi. Rënia e interesave të borxhit publik është hallkë e rëndësishme në zinxhirin e transmetimit të politikës monetare në ekonomi. Çmimi më i lirë i titujve të borxhit të qeverisë ndikon në një ulje të nivelit të përgjithshëm të interesave për kreditë në lekë.