Binjakët ngatërrojnë listat, sistemi i njeh si dublikime

 

Binjakët ngatarrojnë listën e zgjedhësve. Sistemi evidenton automatikisht si rekorde të dubluara individët me të dhëna të njëjta të gjëndjes civile. Zv.ministri i Brendshëm, Ferdinant Poni, në një intervistë për “AS”, sqaron se konfirmimet po përcillen nga zyrat e gjendjes civile. “Shumica e këtyre të ngelurëve janë binjakë që kanë vazhduar të vijnë konfirmimet. Ne do të shkojmë shumë afër zeros për të mos thënë tek zero absolute. Shumica e informacioneve për personat që kanë ngelur të dubluar janë konfirmime që na vijnë nga zyrat e gjendjes civile që janë binjakë. Sepse nëse u përputhet emri i babait, i nënës dhe ditëlindja, ne e quajmë dublim pavarësisht se e kanë emrin e ndryshëm”, deklaroi Poni. Sipas tij, deri më 9 maj, kur do të pubikohen listat përfundimtare për zgjedhjet e 23 qershorit, synimi është të mos ketë asnjë rekord të dubluar. Poni paralajmëron penalizim nëse nuk do të respektohet kodi për numrin e zgjedhësve në qendra votimi. “Të respektojnë rigorozisht, pa asnjë cedim, Kodin Zgjedhor lidhur me numrin e njerëzve. Nganjëherë bëjnë kalime siç ishte rasti i Pezës, ku 4 qendra votimi ishin mbi 700 mijë, pakujdesi fatale. Me sa di unë Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile do të procedoje më masa ndëshkimore ndaj punonjësve, pse jo dhe ndaj zgjedhësve që janë të pakujdesshme”, u shpreh Poni. Numri i zgjedhësve në qendra votimi është përcaktuar në Kod, ku qendra duhet të kenë nga 200 deri në 1000 zgjedhës, ndërsa në Tiranë deri në 700. Deri tani 10 qendra votimi, prej të cilave 4 në njësinë bashkiake 5 rezultojnë se nuk e kanë zbatuar ligjin.