Bisedimet Kosovë-Serbi, Hoxhaj zëvendëson Tahirin

Kryeministri i Kosovës, nisur nga paralajmërimet se bisedimet e ardhshme Kosovë-Serbi nuk do të jenë të karakterit teknik por të atij politik, dhe se njëra nga temat e bisedimeve do të jetë veriu i vendit, ka menduar për ndërrimin e delegacionit të bisedimeve. Burime të afërta me qeverinë e Kosovës, i kanë thënë “Zërit” se shefi i qeverisë kosovare është duke menduar që ta heqë kryenegociatoren e deritashme, Edita Tahiri, dhe ta zëvendësojë me një person tjetër. “Kryeministri po pretendon që ta shkarkojë Editën, e në vend të saj të emërojë Enver Hoxhajn. E në Ministrinë e Jashtme do të vijë ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, dhe kështu AKR-ja do ta marrë edhe një ministri të re, përveç Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë të cilën gjithashtu do ta udhëheqë kjo parti”, ka thënë burimi. Ai sqaron se vërejtjet që i ka shprehur opozita e shoqëria civile në shumë pika që kanë të bëjnë me zëvendëskryeministren Tahiri, qoftë sjellja e saj karshi Serbisë, apo shpenzimet e mëdha, duke përfshirë edhe udhëtimin në Shqipëri për 8 mars ku janë shpenzuar pesëdhjetë mijë euro, ia kanë mbushur mendjen kryeministrit që të mendojë për ndryshime.