Ekonomi

Blerja e Tirana Bank, si bashkëpunuan Qeveria dhe BSH në operacionin e dyshimtë bankar të Samir Manes

Samir Mane është një nga oligarkët e Shqipërisë që njësoj si Bashkim Ulaj vijnë nga një histori e lulëzimit të biznesit gjatë periudhës së qeverisjeve Berisha.

Edhe sot Mane e Ulaj i kanë zyrat qendrore në të njëjtën godinë nga ku drejton opozitën doktor Berisha pas “dorëheqjes” nga PD.

Ulaj u vu në qendër të vëmendjes së opinionit publik pas mega-skandalit të Unazës dhe OST. Lidhjet e tij me Ramën dhe rolin e këtij të fundit në skandal, janë në hetim. Por ai nuk është i vetmi nga ata që në vend të ndërprerjes së fijeve korruptive biznes-politikë, ngriti ura të reja me qeverisjen e re të Rilindjes.

Shumëkush pyeti veten disa muaj më parë pse u investua aq shumë dhe aq hapur kryeministri Rama për të emëruar në Bankën e Shqipërisë, ish-ministrin kryesor të Berishës dhe ish-arkitektin e piramidave, Ridvan Bode.

Shkrimi më poshtë, zbulon një pjesë të së vërtetës. Ai është shkruar nga ish-gazetari i Dita, Habjon Hasani, drejtues i portalit të njohur investigativ Hashtag*

*****

Në Gusht të vitit 2018, “Tirana Bank” njoftoi marrëveshjen-në parim, për shitjen e aksioneve të saj drejt grupit të biznesit Balfin (joint-venture me Komercalnija Bank, Maqedoni).

Grupi Balfin është në pronësi të afaristit Samir Mane.

Zoti Mane ka një valencë të veçantë për shkak të ndikimit të tij okult në rangjet e larta të politikës, lidhjet me grupe të fuqishme interesi në Ballkan dhe për kontrollin direkt ose indirekt që ai ushtron në dy televizionet kombëtare TV-Klan dhe Top-Channel.

Pasi u shpall në muajin Gusht marrëveshja në parim për blerjen e “Tirana Bank” nga grupi Balfin i Manes, procesi duhej të kalonte dhe disa filtra para se të ekzekutohej tërësisht.

Duhej aprovimi paraprak nga Banka e Shqipërisë, më pas duhej aprovimi nga Autoriteti i Konkurencës dhe më pas aprovimi përfundimtar sërish nga Banka e Shqipërisë.

Në Shtator 2018, zoti Mane nisi një lobim në prapaskenë për të emëruar në bordin drejtues të Bankës së Shqipërisë, mikun e tij, ish-ministrin e Financave Ridvan Bode. Zoti Bode u emërua zyrtarisht anëtar i BSH në muajin Nëntor-2018, ndërsa emërimi i tij shkaktoi jo pak debate. I vetmi përfitues i pashqetësuar dukej zoti Mane, ai ishte në prag të finalizimit të blerjes së “Tirana Bank” dhe kishte finalizuar me sukses emërimin e mikut të tij në bordin e Bankës së Shqipërisë.

Ndërsa zoti Bode ishte ulur në tryezën e bordit të BSH, Autoriteti i Konkurencës vijonte shqyrtimin e operacionit të blerjes së Tirana Bank. Në muajin Dhjetor, Autoriteti i Konkurencës i kërkoi mendim Bankës së Shqipërisë për këtë operacion blerje, ndërsa Banka i’u përgjigj se për të çdo gjë ishte OK.

Sidoqoftë Autoriteti i Konkurencës në janar 2019, doli me një vendim, ku ndërsa aprovonte shitjen e “Tirana Bank” drejt grupit Balfin, ngrinte dyshime se kjo blerje mund të shfrytëzohej nga ky grup për të injektuar paratë e kreditorëve drejt kompanive me bilanc negativ të “Balfin”, ose mund të ndikonte në diskriminimin e kompanive rivale të Balfin në procesin e dhënies së kredive.

Për t’u siguruar se këto fenomene nuk do të ndodhnin tani që pronari do të ishte grupi “Balfin” i Samir Manes Autoriteti në vendim, i lë detyrë Bankës së Shqipërisë që të mbajë nën monitorim të gjitha kompanitë e biznesit të grupit “Balfin” duke i konsideruar këto kompani si të lidhura integralisht me sistemin bankar.

Për të kuptuar më shumë, i’u drejtuam zyrtarisht Bankës së Shqipërisë. Përgjigjet që Banka e Shqipërisë në lidhje me këtë çështje duken “si të ngrira”, ndërsa BSH në mënyrë të çuditshme mohon se Autoriteti i Konkurencës i ka lënë detyrë të posaçme të mbikqyrë aktivitetin e “Tirana Bank” dhe “Balfin Group”, ndonëse në vendimin e Autoritetit, diçka e tillë shkruhet e zezë mbi të bardhë.

E ndërsa Autoriteti i Konkurencës aprovoi shitjen e “Tirana Bank” duke kamufluar si me stil dyshimet e veta, Banka e Shqipërisë dha aptovimin përfundimtar për këtë operacion më datën 6 Shkurt 2019.

Dyshimet e raportit të Autoritetit të Konkurencës dhe aprovimi final nga BSH, kaluan pa u vënë re.

Në finale, afaristi Samir Mane jo vetëm që arriti të imponohej ndaj kryeministrit, Autoritetit të Konkurencës dhe Bankës së Shqipërisë për të blinduar pozitat e tij në sektorin bankar, por ai arriti të realizonte dhe një operacion të shkëlqyer mediatik, ku asnjë media, asnjë ekonomist, nuk guxoi të shqyrtonte shkaqet dhe pasojat e operacionit të shitjes së “Tirana Bank”.

*Titulli është i redaksisë. Botohet me shkurtime. / Gazeta Dita

Related posts

Kush janë sektorët më me fitim në ekonominë shqiptare

Redaksia

Në shitje Tirana Bank dhe NBG. Bankat greke po tërhiqen nga rajoni

Redaksia

Shqiptarët i bëjnë lekët llaç e tulla, Europa teknologji e shpikje

Redaksia

Leave a Comment