Bletaria, një sektor i rëndësishëm ekonomik i harruar

Me këtë shkrim, mendoj se në ndihmë të organeve qeveritare, të shpreh disa sugjerime për politikat në sektorin e bletarisë, vlerësimin më të mirë të këtij sektori si dhe objektivat për sot dhe ato afatgjata në të ardhmen. Këto do të ishin në ndihmës i vlefshëm për organet kompetente në marrjen e vendimeve të duhura për zhvillimin e këtij sektori.

Bletaria është një traditë e lashtë e vendit tonë. Ilirët, paraardhësit e shqiptarëve, falë kushteve të favorshme klimaterike (nga klima kontinentale, mesdhetare e deri tek ajo subtropikale), si dhe bimësisë mjaltëdhënëse të pasur, që nga bajamet deri në dimër, kur piqen kokrrat e maresë, ka kultivuar rritjen e bletës.

Thonë se Aristoteli, filozofi e njohësi i bletarisë, ka shkruar se: “Ilirët ishin bletarë të shkëlqyer. Fisi i Taulantëve prodhonte një pije të famshme në formën e verës, që pihej në ritet doniziake”. Do të përmend Ajnshtainin që në një shoqëri ka thënë: “Sikur të mos ishte bletaria, jeta e njeriut nuk do të zgjaste më shumë se 4 vjet”. Disa tundën kokën, disa e quajtën të lajthitur. Por ai dinte shumë. Gjeniu i kohës kishte parasysh faktin se bletaria, si sektor i jetës ekonomiko-shoqërore, merr vlera në shumë sfera të jetës. Ajo ndikon në bujqësi e blegtori, në mjedis, shëndetin e njeriut etj.

 

 

Bujqësia, ushqimi. Mbrojtja e konsumatorit dhe bletaria

“S’ka shtet të zhvilluar pa një bujqësi intensive dhe kësaj i duhet dhe një bletari e përparuar”.          Çfarë nënkupton kjo, pjalmimin e kulturave bujqësore.

Pjalmimi shton prodhimin dhe rrit cilësinë e tyre, madje dhe farërat që merren nga këto kultura të pjalmuara kanë aftësi mbirëse të rritur. Në shumë vende të botës përdoret gjerësisht pjalmimi i kulturave bujqësore. Për këtë paguhet një rentë. Të ardhurat nga pjalmimi për bletarinë janë 57 për qind më shumë se sa prodhimi i zakonshëm, ndërsa të ardhurat e bujqësisë, sipas shumë studiuesve, që arrijnë në të njëjtin përfundim, janë miliona dollarë në vit.

Sipas përvojës sime dhe konsultimeve me literaturën e huaj këto janë në pemët frutore dhe agrumet 12-16%, në jonxhën e vaditur të vitit të dytë për farë 20%, tërfili 35%, perimet e bostanoret 20-25%, Lule dielli 14%, pjalmimi në sera të trangujve 20%.

Krerët e Shoqatës së Bletarisë së Shqipërisë janë dhe anëtarë Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar (KASH) mund të sensibilizojnë Shoqatat e Fermerëve, Fermerë të fuqishëm me një fletë palosje për leverdinë e pjalmimit, të jepen emisione televizive duke treguar dhe përvojën e gjerë të vendeve të përparuara.

Është në funksionim një projekt qeveritar i mbjelljes së ullinjve dhe arrorëve, këtu duhen futur dhe bajamet e gështenjat që janë arrorë dhe bimë mjaltëse.

Mjalti është ekspresion i natyrës dhe vlerësohet shumë për vlerat e tij ushqimore të larta dhe kalorifike që ka. Këtë e gjemë të mishëruar në shumë thënie popullore, madje dhe në suret e Kuranit ka një shprehje: “Ha bir mjaltë, se të rrit dhe të shëndosh”.

Ai para së gjithash, është ushqim, sepse si material biologjik natyral përfaqëson një kompleks të përbërësve të tij si: karbohidrate, substanca minerale, kompleksin e vitaminave, sidomos vitaminës B, si dhe shihet si produkt biologjik për shkak të përmbajtjes së aminoacideve të pazëvendësueshme. Mjalti përdoret shumë dhe ne kuzhina, ka dhjetëra receta të gatimit me mjaltë, po kështu mund të themi për pastiçeritë dhe pijet. Në evidencat që jepen në botë, konsumi i mjaltit për frymë mesatarisht është 300 g, ka shtete si Gjermania dhe Amerika që konsumojnë 2.5 kg. Tek ne konsumohet 150 g. Konsumatorët pëlqejnë mjaltin likuid. Por mjalti ka veti natyrore që në temperaturat nën 14 gradë ngrin (kristaizohet). Për analogji si uji që kthehet në akull. Por ky mjaltë i kristalizuar kthehet në të lëngshëm në impiante të përpunimit të mjaltit. Ne nuk kemi të tilla. Por, bletarët e ziejnë mjaltin në shtëpitë e tyre në temperature mbi 40 gradë duke denatyruar dhe i humbur vlerat ushqimore. E kam fjalën për mjaltin natyral.

Ekzistojnë potenciale për të diversifikuar prodhimin. E rëndësishme është të përmirësohet teknologjia dhe kushtet higjieno-sanitare të prodhimit. Investime në industrinë e përpunimit të mjaltit duhen bërë sa më parë. Ne hedhim idenë e ngritjes së qendrave rajonale gjysmë private në këtë fushë. Konceptimi është i tillë që në katër qendra në Shkodër, Tiranë, Korçë dhe Gjirokastër, të ngrihen impiante të përpunimit të mjaltit. Godinat dhe inventarin e imët do të realizohet nga një bashkësi bletarësh të suksesshëm, ndërsa pajisjet do t’i importojë shteti. MBUMK ka përfituar një fond nga BE prej 27 milionë EU. Nga ky fond nuk mund t’i jepet dhe bletarisë një sasi.

Kam dhe një mendim tjetër Bletaria është futur në listën e subvencionimit. Por në praktikë, bletarët “po i hanë kokën njeri-tjetrit”. Ka diskutime se përcaktimin e fituesit ka “preferenca” të natyrave të ndryshme. Në Greqi, kam parë këtë formë me ndryshimin se ata nuk jepnin para në dorë, po për bletarët e mirë që me të vërtet donin të shtonin bletët u jepeshin, fletë dylli, zgjoj e të tjera. pajisje. Këtë formë mund ta realizojmë dhe në vendin tonë. Kryetarët e shoqatave në rrethe në bashkëpunim me DBUMK-në, do të mënjanojnë të gjitha ato kritere burokratike që janë sot.               Por, çfarë shoh sot në rrugë ka njerëz që shesin mjaltë, në panaire agrobiznesi në dyqane, madje dhe në një farmaci veterinare kam parë kavanoza me mjaltë, sikur do t’i përdorin për kuajt!

Si e mendoj unë gjendjen? Ata që shesin mjaltë mjafton që në kavanoz të ketë etiketën mjaltë, por se çka brenda e di “ustai”. Këto “mjalte” shiten me 1000-1200 lekë që i lejojnë të bëjnë pallate. Sipas statistikave fitimi nga bletaria është 10 për qind, që të lejon të bësh një jetë normale. Me ligjin Nr. 9863, “Për Ushqimin”, në kreun 1 nenin 3, thuhet: “Operator i biznesit ushqimor është çdo person fizik ose juridik, i regjistruar për të kryer veprimtari që lidhen me biznesin ushqimor. Këto regjistrohen në regjistrin e MBUMKK-së. Këta janë të detyruar që të shënojnë në etiketë ose në dokumentet shoqëruese, numrin e regjistrit. Por bletarët nuk duan të prezantohen si tregtarë, sepse do të kenë detyrime ligjore dhe nuk bëjnë regjistrimin. Sipas ligjit bëhet kontrolli zyrtar i ushqimeve që përfshin detyrën që përmbledh vendndodhjen si dhe proceset e përdorura për prodhimin ose përpunimin dhe shitjen e ushqimeve, etiketimin, dokumentin zyrtar si dhe dokumentet shoqëruese të ushqimit. Duhet të kërkohet dhe inspektimi i farmacive veterinare për preparatet kundër sëmundjeve të bletëve në se janë të miratuara për përdorim nga MBUMK-ja, sepse një pjesë e farmacistëve marrin me çanta preparate nga jashtë dhe i tregtojnë si ilaçe, sigurisht, me fitim, megjithëse nuk njohin dhe efektet e tyre në familjet bletë. Kontrolli bëhet si rregull pa paralajmërim. Më këtë parashikohet që Inspektorët e Autoriteteve të Ushqimit, në bashkëpunim me Agjencitë e Mbrojtjes së Konsumatorit, kanë të drejtë të marrin mostra për analiza. Shpenzimet për marrjen e mostrave dhe për kryerjen e analizave laboratorike nuk përballohen nga subjekti. Po kështu veprohet dhe në rastet e importeve, ku përveç dokumentacionit, merren dhe mostra për analize.

Mjedisi, pyjet, mbrojta e ujërave dhe bletaria.

Bletët, indikatorë të mjedisit

Ruajtja e mjedisit është një detyrë aktuale e shoqërisë së sotme. Sot, flitet për një apokaliptus ekologjik. Prandaj, mundësia për të përdorur bletët për gjendjen e mjedisit dhe ndikimit në të ka preokupuar shumë studiues. Studime janë bërë sipas internetit në Gjermani, Itali, Bullgari etj. Mbajtja e bletëve pranë uzinave, kombinateve të përpunimit të metaleve ka treguar se ndotjen e mjedisit e kanë ndjerë më parë bletët. Po kështu dhe tek ne, në një fshat pranë Metalurgjikut kishte vdekje në bletë nga helmimi prej tymit

Në sferën e përmirësimit të ekosistemeve pyjore, nëpërmjet mbjelljeve në pyjet e degraduar, do të sugjeronim dhe mbjelljen e blirit. Më kujtohet në vitin 1993 isha për kualifikim në Gjermani shkova në Berlin. Kalova në një rrugë ku ndjehesh një aromë bliri e këndshme, anës rrugës pashë që nga gra me karrocë deri në njerëz të moshave të ndryshme Ishte e mrekullueshme, shoqëruesi më tha se “kjo rrugë quhej Rruga nën blirët, gjermanët të gjitha rrugët e qyteteve kryesore ku ka trafik kanë mbjellë blirë, se përveç aromës, mbajnë të pastër ajrin”. Prandaj, dhe tek ne, përveçse në pyje të mbjellin dhe anës rrugëve kryesore të qyteteve, ku ka një ndotje të madhe nga qarkullimi i makinave, sidomos në vendin tonë, ku kemi shumë makina të vjetra. Po kështu, dhe në vendet ku kalojnë kohën e lirë.

Për kullotat. Darvinistët thonë se botën e bënë të lulëzuar insektet. Duke bërë pjalmimin e kullotave spontane, ato i përtërijnë dhe bëhen faktor ekologjik. Kur flitet për insektet, duhet të kemi parasysh bletët, sepse ato përbëjnë 82 për qind të tyre, mbajnë pjalmuesit e egër ose janë zhdukur nga pesticidet ose nga kushtet e vështira klimaterike. I rekomandojmë organeve të mjedisit të mbjellin Sherebelën, Lavandulën, Timusin, Rigonin. Këto, përveç se janë kullota mjaltëse, shumë të mira, por hyjnë dhe në bimët eterovajore, sherebela është më rëndësishmja për vlerat e saj dhe ka qenë një nga furnizuesit e rëndësishëm në tregun botëror.

Sipas studimit të Stacionit të Pyjeve dhe Kulturave eterovajore në vitin 1988, ”Për inventarizimin dhe vlerësimin e Bimëve Mjekësore dhe Eterovajore”, rezulton që pasuria bimore e llojeve tradicionale që eksportoheshin, vlerësohej në rreth 600 mijë ton, e cila llogaritet në rreth 500 milionë dollarë.

E vura këtë fakt intrigues nga Raporti i Bankës Botërore për tokën bujqësore. Në mbështetje të këtij studimi, ne kemi disa dhjetëra mijë hektarë tokë të abandonuar në zonat rurale ku mund të mbjellim këto bimë Eterovajore. Në këto zona, cilësisht të dobëta për kulturat e arrave është logjike të bëjmë këto mbjellje. Nga ana tjetër, si rrjedhojë e emigracionit masiv, në këto zona kanë mbetur të vjetër dhe të sëmurë, të cilët mbledhjen e këtyre bimëve mund ta bëjnë fare mirë, duke siguruar të ardhura dhe do të zbutej varfëria.     Mbrojtja e lumenjve, është një problem që në kohën e sotme nga përvoja e hidhur e këtyre dy vjetëve të fundit, po i kushtohet rëndësi. Nuk mjafton vetëm ndërtimi i digave, që kanë një vlerë të madhe, por duhen mirëmbajtur. Është dhe një përvojë e fshatarësisë sonë mbjellja e akacieve buzë lumenjve. Akacia ka dhe rrënjë të thella. Kështu, një brez me akacie e shelg do të krijonte një garanci të madhe në mbrojtjen nga vërshimet. Kam parë në Budapest në të dy anët e lumit Danub akacie, po kështu në veri të Italisë nga Triestja.

Shëndeti dhe bletaria

Produktet e bletës shërojnë, lehtësojnë, zbukurojnë dhe kryesorja nuk bëjnë dëm.

Mjekimi i sëmundjeve me prodhimet e bletarisë ka një histori shumë të vjetër që nga kohët e Egjiptit, por në njëzetvjeçarin e parë të shekullit XX lindi Apiterapia, një studim i bazuar në metodat shkencore bashkëkohore dhe laboratorike që e prezantojnë këtë degë dinjitoze. Duhet të dimë se çdo 2 vjet organizohen simpoziume. Në to kemi marrë pjesë dhe ne, duke paraqitur zhvillimin e Apiterapisë në Shqipëri. Koha e fundit në mjekësi karakterizohet si “era e valës jeshile” që nënkupton një përdorim gjithnjë në rritje të prodhimeve natyrore në kurimin e shumë sëmundjeve. Vlerën më të madhe të Apiterapisë ja jep fakti se prodhimet natyrore të bletëve janë çliruar nga pasojat dytësore. Apiterapia i jep mjekësisë mundësinë në format e mënyrat e mjekimit.

Po jap përdorimet më rëndësishme të provuara shkencërisht dhe përvoja e jonë 35-vjeçare në këtë lëmë.

 

Mjalti. Ky ekspresion i natyrës së gjallë

– Në organet e qarkullimit të gjakut mjalti, në sajë të sheqernave dhe lëndëve minerale, zgjeron enët koronare dhe normalizon qarkullimin e gjakut.

– Në aparatin tretës. Në gojë, si rrjedhojë e veprimit antimikrobik, mjalti shëron pothuaj të gjitha infeksionet e gjuhës, gojës dhe mishrave të dhëmbëve.

– Në stomak. Njihet shprehja e Hipokratit “Mjalti është mik i stomakut”. Mjalti rregullon aciditetit, nxit sekretimin e lëngut gastrik, përmirëson peristaltikën e zorrëve dhe bën përtharjen e ulçerave gastrike.

– Mëlçia është laboratori qendror i organizmit, është filtri për neutralizimin e helmeve. Veprimi i mjaltit shpjegohet me përmbajtjen e lartë të sheqernave të invertuara që depozitohen në mëlçi, që ushqejnë dhe përtërijnë qelizat e mëlçisë.

– Te fëmijët. Ai ndryshon në fëmijët e dobët ngjyrën nga e zbehta e verdhë, në rozë. Marrja e mjaltit në pranverë herrët dhe në dimër i mbron nga gripi.

– Në sistemin nervor. Mjalti, falë pasurisë së madhe me sheqerna, rregullon metabolizmin e qelizave nervore nga çrregullimet e mungesës se sheqernave, lëndëve minerale dhe vitamina.

– Në kozmetikën e lëkurës. Efekti pozitiv i mjaltit në lëkurë, i kushtohet faktit që ai depërton thellë në indet e saj, duke u bërë ushqim për të, po kështu ai heq rrudhat. Në sajë të përmbajtjes të antibiotikëve, frenon sëmundjet e lëkurës si aknet, forunkulave etj.

– Qumështi i mëmave. Koncentrati biologjik me aftësi ripërtëritëse.

– Në sferën neuro-psikike. Ky ndikim është i lidhur me furnizimin më të mirë të trurit me oksigjen dhe lëndë ushqyese. Zhduk gjendjet depresive, anktheve dhe pagjumësinë.

– Në sistemin endokrino seksual. Në format e ceneve organike të organeve seksuale të grave dhe impotencën e burrave. Në 25-40 për qind të rasteve arrihet lindja, ndërsa me rezultate më të mira deri 70 për qind arrihet te burrat.

– Në sistemin e qarkullimit të gjakut. Në presionin arterial është prodhim i pakrahasueshëm që stabilizon këtë presion, ngre presionin e ultë dhe ul të lartin.

 Ai ka efekt të mirë në këto raste: në arteriosklerozën dhe pasojat e saj, në anemitë e pleqërisë dhe hipocholesterinën në gjak.

– Në tumoret. Ka efekt të mirë, jo sepse lufton shkaktarët e tumoreve, por sepse pengon qelizat normale përreth tumoreve të kthehen në qeliza tumorale. Nga ana tjetër, duke përmirësuar gjendjen e përgjithshme të organizmit, ndihmon këtë të fundit të vetëmbrohet.

– Në mbrojtje të rrezatimeve. Zakonisht në rastet e tumoreve përdoren rrezatime, që dëmtojnë organet si mëlçia, shpretka, pankrasi etj. Qumështi i mëmave, duke pasur ndikim në ushqimin e qelizave të tyre, i mbron nga veprimi negativ i këtyre rrezeve.

Poleni, një mbiushqim ose “bifteku i bletës”

– Në gjendjet e stresit të çdo grade. Këto mund të jenë psiqike, seksuale, fizike, pas sëmundjeve të gjata, operacioneve të vështira, sforcimit fizik e intelektual. Në sajë të përbërjes kimike të pasur me aminoacide, acetilholinë, flavone etj. Në këto forma patologjish kemi humbje të substancave aktive (lëndë minerale, mkikroelemente etj.), pra duhet një rivendosje më e shpejtë e tyre.

– Sistemi i tretjes. Në çrregullimet e stomakut si kapsllëk, diarrenë kronike dhe infeksionet kronike të zorrëve. Poleni duke krijuar një teren të papërshtatshëm për mikrobet dëmtuese të zorrëve, sidomos ndikim të mirë ka dispepsitë te fëmijët. Ndikim të provuar, edhe nga ne, ka në hepatitet kronike dhe në cirrozat e mëlçisë. I shoqëruar me qumësht mëmash, mjaltë e propolis, për një periudhë prej 3 muajsh, normalizohet metabolizmi i qelizave të mëlçisë. Këto veprime te polenit u kushtëzohen lëndëve flavanoide me ngjyrë.

– Dermatologji. Interesante janë punimet për frytshmërinë në frenimin e rënies së flokëve. Nëpërmjet Triptofanit, lëndëve minerale dhe vitaminave, që përmbahen në polen, ndikohet mbi të ushqyerit të rrënjës së flokut, lëkurës së rrënjës së flokut dhe vetë qimes.

– Propolisi (zamku i bletëve) medikament i së ardhmes.

– Në stomatologji. Kjo është një nga fushat të përdorimit me shumë sukses të propolisit. Këtu përfshihen pezmatimet e dhëmbëve dhe të gjuhës, stomatitet ulçeroze, proceset të gojës (shtresë në gojë) në dhimbjet e infeksionet dhëmbëve (veçanërisht abseset pas heqjes së dhëmbëve). Tretësira alkoolike e propolisit 5-10 për qind, pas përdorimit krijon një lëkurëz në vendin e dëshiruar, estetike dhe të kënaqshme. Nga ana tjetër, prania në propolis të lëndëve si flavonet, vajrat eterike, dyllit e polenit, ushqejnë mirë mukozën e gojës, njëkohësisht me veprimin e tyre antibakterial zhdukin mikrobet që zgjasin procesin e mjekimit. Së fundi, është provuar se propolisi ka ndikim anestezik 3,5 herë më të fortë se kokaina.

– Në sistemin e frymëmarrjes. Në këtë sistem, në bazë të përmbajtjes së substancave aromatike, flavoneve, që bëjnë zgjerimin e enëve të gjakut dhe janë antimikrobikë, si dhe të balsameve që ripërtërijnë qelizat epiteriale, propolisi ka dhënë rezultate të mira në këto prekje:

– Në qelbëzimin e bajameve. Sidomos tek ato që i kanë këto kronike dhe rrezikojnë operacionin. Duke filluar trajtimin që sapo nisin shenjat fillestare mënjanohet qelbëzimi.

– Në të gjitha sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes duke filluar nga rinitet, trakeitet, astmës bronkiale. Lehtëson frymëmarrjen, ul kollën.

– Dermatologji. Ky veprim kushtëzohet përmbajtjes kimike që pengon molepsjet e plagëve që rëndojnë dhe zgjasin procesin.

Për sa i përket dyllit dhe helmit të bletës ato janë në sasi të pakët dhe kanë pak veprime.

Del e nevojshme që specialistët e Shoqatës të propagandojnë përdorimet e këtyre produkteve në gazetat e televizionet qendrore e lokale, për t’i njohur në opinionin publik. Nga ana tjetër, do të shtojnë të ardhurat e bletarëve.

Arsimi dhe shkenca

“Pa kërkim shkencor, asnjë sektor i jetës nuk mund të përparojë”

Është një paradoks që në vendin tonë prej 15-vjetësh nuk ka asnjë institucion shkencor për bletarinë, ndërsa në të gjitha vendet e botës ka disa Institute Bletarie. Pas vitit 1997, pasi më pushuan për motive politike, sektori shkencor në IKV u shndërrua në një laborator dhe pas disa vjetësh u shkri. Sot, në Tiranë, nuk kemi specialistë të mirëfilltë për bletarinë, kemi dy Doktorë Shkencash, njëri merret me sëmundjet e bletës dhe sëmundjet ihtike, kurse tjetra është pedagoge e lëndës së bletarisë në UB.

Në ligjin “Për Mbarështimin e Blegtorisë” Nr. 9426 dt, 06.10 2005 në nenin 60 ku flitet për racat autoktonë që vihen në mbrojtje të veçantë nga shteti është inkuadruar dhe mëma e bletëve dhe Shoqata e Bletarëve të Shqipërisë si Ent Publik për ndjekjen e procedurave dhe dokumentacionit që kërkohet. Sot, kemi dy qendra të vetëquajtura Qendra të Rritjes së Mëmave të Seleksionuara, themi kështu, sepse ato nuk plotësojnë kushtet teknike dhe nuk kanë miratimin e MBUMK-së për të ushtruar këtë aktivitet.

Parakëtij kolapsi propozojmë që në UB të Tiranës të ngrihet një Qendër Tekniko-Shkencore për bletarinë, që do të përbëjë një mekanizëm dhe strukturë fillimisht për përgatitjen e trajnimin e specialistëve që do të merren me bletarinë dhe më pas të shndërrohet në qendër shkencore. Për të arritur këtë duhet që studentë të mirë të Fakultetit Zooteknik të mbrojnë diplomat për bletën e më tej të dërgohen në Institutet jashtë vendit sipas profileve që do të marrin. Pranë kësaj Qendre do të funksionojnë dhe njësi të tjera si laboratori për analizat e produkteve të bletarisë, klinika veterinare dhe qendra për kontrollin e preparateve kundër sëmundjeve, seksion për një Shërbim Këshillimor, konsulencë, nxjerrja e revistës si dhe lidhja me Shoqatat e huaja për shkëmbim përvoje dhe konsulencë etj.

Lind pyetja: kush do t’i ndjekë këto probleme? Ne kemi një shoqatë ajo duhet të lerë mënjanë punën rutinë, të punojnë për të fituar kohën e humbur duke u bërë kështu Qendra Kombëtare e Zhvillimit të Bletarisë.

(opinione për politikat për një bletari të shekullit XXI)

Prof. (Assoc.) Dr. Kristaq Thomo