Boçi: Marrja e statusit, po plotësohet kriteri politik

Flet deputeti demokrat dhe anëtar i Komisionit të Jashtëm, Luçiano Boçi:

Incidentet etnike, reagim i domosdoshëm për t’i frenuar

“Kriteri politik, që ishte artikuluar si penalizuesi themelor i marrjes së statusit, tashmë duket i plotësuar ose, për të qenë më të saktë, në plotësim e sipër, çka do të thotë që ai bind ndërkombëtarët të mos e konsiderojnë atë problem. Brenda kësaj situate të vizatuar, ne po shkojmë me kujdes drejt marrjes së këtij statusi, aksionet e të cilit i takojnë veçanërisht pozitës, por dhe opozitës, gjë që kjo e fundit duket se e ka kuptuar “pak” me dashje, me vonesë”. Kështu shprehet në një intervistë për gazetën “Republika”, deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi. Anëtari i Komisionit të Jashtëm Parlamentar thekson se rasti i përsëritur i Maqedonisë, ku incidentet janë të shumta dhe me një përshkallëzim të frikshëm, i cili gjeneron herë pas here konflikt etnik, të detyron drejt një reagimi të domosdoshëm dhe kjo, sipas tij, do të çojë në një reagim të këtij komisioni, për të frenuar negativitetin nacionalist në rritje, në fqinjin tonë të brishtë strukturalisht dhe shumë problematik ndërkombëtarisht. I pyetur për mundësinë e zgjedhjes së një presidenti konsensual, zoti Boçi shprehet se konsultimet bëhen në këtë rast, me qëllim që figura e zgjedhur të plotësojë dukshëm ato parametra që i përshtaten staturës së një Presidenti dhe rolit të tij si garant i Kushtetutës dhe si shprehës i unitetit të kombit. Në këndvështrimin e deputetit demokrat, dalja në skenë e forcave të reja, si Aleanca Kuq e Zi apo dhe krijimi i një partie nga Bamir Topi, janë devijanca politike dhe entuziazmi fillestar që ato përcjellin është i shkurtër.

– Ndërkombëtarët kanë deklaruar se Shqipëria ka një shans tjetër për të marrë statusin e vendit kandidat në vjeshtë. Duke parë qëndrimet e fundit të opozitës dhe situatën aktuale të politikës, mendoni se ky nuk do jetë një shans i humbur për vendin tonë?

Megjithëse dikush kërkon ta largojë sa më shumë këtë shans, duket se ai ka tejkaluar tashmë dëshirën dashakeqe dhe besoj se statusi do vijë jo vetëm si dhuratë, por dhe si arritje e një përpjekjeje titanike e shtetit shqiptar për t’u rreshtuar dinjitoz në 100-vjetorin e formimit të tij, si i barabartë me të tjerët. Ngërçi politik duket i ezauruar, megjithëse shtirjet e opozitës për përsosje, gjoja të ligjit për Gjykatën Administrative, më shumë se në ujërat e së vërtetës, lëvizin në ujërat e fitimit të kohës dhe stërzgjatjes së mundimshme, për të mos pranuar suksesin e kësaj qeverisje në përmbushjen para elektoratit të një prej premtimeve më madhështore. Ndërkohë, puna e nisur për reformën zgjedhore dhe atë parlamentare, megjithëse për shkak të problematikës ka lëvizur ngadalë, ka dëshmuar që dialogu politik, si domosdoshmëri koekzistence, është instaluar dhe është funksional. Kësisoj, kriteri politik që ishte artikuluar si penalizuesi themelor i marrjes së statusit, tashmë duket i plotësuar ose, për të qenë më të saktë në plotësim e sipër, çka do të thotë që ai bind ndërkombëtarët të mos e konsiderojnë atë problem. Brenda kësaj situate të vizatuar, ne po shkojmë me kujdes drejt marrjes së këtij statusi, aksionet e të cilit i takojnë veçanërisht pozitës, por dhe opozitës, gjë që kjo e fundit duket se e ka kuptuar, “pak” me dashje, me vonesë.

– Lidhur me incidentet e fundit ndëretnike në Maqedoni, mendoni se duhet të ketë një reagim nga Komisioni i Jashtëm?

Në realitet, ka një rritje të ndjenjave nacionaliste në rajon, ndikuar kjo jo thjesht nga problematika ekonomike, por më së shumti, e nxitur nga faktorë politikë, të cilët e shohin këtë të fundit si litar për të shpëtuar vetveten dhe për t’u reklamuar para publikut, kudo qoftë ai, si shpëtues të kombit. Sigurisht, pa neglizhuar këtu ekstremet e ndryshme që ekzistencën e vet e kanë lidhur ngushtësisht me interferimin e urrejtjes etnike dhe pa harruar që lëkundjet etnike në rajon janë dhe pjesë e ndryshimit të herëpashershëm të peshës specifike që kanë shtete të ndryshme në atë që quhet gjeopolitikë rajonale. Në këtë mozaik, shteti shqiptar ka qenë gjithmonë i kujdesshëm dhe roli i tij, vazhdimisht ka lëvizur drejt të qenit burim stabiliteti e paqeje për të gjithë, duke shmangur me kujdes kalimin në retorikë të ashpër dhe në ato raste ku është parë që ajo ka tejkaluar në disa raste kufijtë e një normaliteti të pranueshëm. E gjithë kjo, jo për dobësi ose mungesë force, por për prani mendimi dhe politikëbërje, të mbështetur në parimet e fqinjësisë së mirë. Rasti i përsëritur i Maqedonisë, ku incidentet janë të shumta dhe me një përshkallëzim të frikshëm, i cili gjeneron herë pas here konflikt etnik, të detyron drejt një reagimi të domosdoshëm. Në këtë aspekt, edhe reagimi i komisionit të jashtëm më duket me vend dhe i përshtatshëm për të frenuar negativitetin nacionalist në rritje në fqinjin tonë të brishtë strukturalisht dhe shumë problematik ndërkombëtarisht.

– Këtë vit, një ngjarje e rëndësishme në politikë, është edhe zgjedhja e Presidentit. Mendoni se është e mundur zgjedhja e një Presidenti konsensual?

Konsensusi është i mundshëm dhe i mirë, kur nuk tejkalon ligjin themeltar – Kushtetutën. Në të kundërt, ai është jo i saktë. Aq më tepër që Kushtetuta parashikon dhe ekzistencën e konsultimeve të palëve, sikurse parashikon shumë thjeshtë, mospengimin e funksionimit të politikës brenda një sistemi zgjedhor që nuk le hapësira që një forcë politike të ketë shumicën absolute në parlament. Ky mekanizëm mospengues ka gjetur shprehjen e tij në zgjedhjen e presidentit ne raundet 4 dhe 5 me shumicë të thjeshtë. Tek e fundit konsensusi është një mjet marrëveshje që tejkalon një krizë të mundshme, kur nuk ka mekanizma të tjerë, p.sh nëse nuk do ekzistonte mundësia e zgjedhjes me 71 vota dhe nuk mund të jetë një benifit që i takon opozitës, e cila mund ta përdorë dhe keqpërdorë atë, në çdo rast të dhënë. Konsultimet bëhen në këtë rast, me qëllim që figura e zgjedhur të plotësojë dukshëm ato parametra që i përshtaten staturës së një Presidenti dhe rolit të tij si garant i Kushtetutës dhe si shprehës i unitetit të kombit.


– A është i domosdoshëm koalicioni me LSI-në për të vazhduar misionin politik të nisur në 2009-ën?

Koalicionet politike kur ndërtohen mbi bazën e paritetit dhe parimitetit politik, gjithmonë janë funksionale dhe të domosdoshme. Kjo vlen për çdo koalicion, përfshi dhe atë meLSI-në.

– Si është situata aktuale brenda Partisë Demokratike, pas largimit dhe akuzave të Oketës?

Do ta konsideroja të shëndoshë dhe optimiste. Largimet dhe akuzat, në një moment të dhënë, janë pjesë e proceseve integruese dhe çintegruese të një partie, si dhe shprehje e cikleve të politikanëve të veçantë, të cilët në kërkim të vetvetes mund të bëjnë kapërcime që mund t’i argumentojnë dhe si një mungese ngjizjeje midis tyre dhe frymës që ekziston në një parti. Kjo është diçka e natyrshme dhe nuk ka pasoja negativiste për partinë, ndërkohë që shton pikëpyetjet për politikanin vetë. Në këtë aspekt, PD-ja jeton normalitetet e saj zhvilluese brenda një statuti që i siguron asaj koherencën dhe vazhdimësinë.

– Mendoni se dalja në skenën politike e forcave si Aleanca Kuq e Zi apo dhe krijimi i një partie nga ana e Presidentit Topi, do të lëkundë balancat, si dhe do të dëmtojë PD-në në zgjedhjet e ardhshme? 

Këto forca politike, më shumë se të tilla, janë devijanca politike dhe entuziazmi fillestar që ato përcjellin është i shkurtër, pasi ajo që ofrohet nga ata është diçka që nuk shkon përtej interesit personal të liderëve të tyre, për të qenë prezent në politikë dhe, mbi të gjitha, për të shpëtuar karrierat e tyre politike, tashmë të rrënuara. Me siguri, do t’i bashkohen duke gjetur qetësinë, simotrave të tyre që kanë ardhur në jetë përpara, për të bërë ca gjeste dhe ca fjalë më shumë se të tjerët, por asgjë më reale dhe të vërtetë se ato. Partitë e mëdha, në fund të fundit, janë si malet e mëdha dhe një gur t’i heqësh po male mbeten.

– Më 22 mars, PD-ja feston 20-vjetorin e fitores. Lidhur me këtë, si është Partia Demokratike pas 20-vjetësh?

Po aq e re sa para 20-vjetësh, po aq vitale dhe po aq e etur për triumf.

Comments are closed.