Bode: Borxhi i Shqipërisë, i sigurt pasi është borxh i brendshëm

Pas raportit të Bankës Botërore se Shqipëria ka një nivel të lartë të borxhit, ministri i Financave, Ridvan Bode, sqaron se niveli i lartë i borxhit të Shqipërisë nuk është problematik për ekonominë. Bode është shprehur se borxhi i Shqipërisë është i sigurt, pasi pjesa dërrmuese e tij është borxh i brendshëm dhe nuk rrezikohet nga kriza e borxheve në Europë. Ndër të tjera ministri ka reaguar edhe në lidhje me deklaratat e Bankës Botërore për rritjen ekonomike duke i cilësuar këto deklarata si pozitive për integrimin. Gjithashtu ministri i Financave, ka ripërsëritur sërish se rritja e moshës së pensionit është domosdoshmëri. Në raportin e fundit të Bankës Botërore thuhet se borxhi i Shqipërisë është më i lartë krahasuar me vendet e rajonit si Maqedonia, Kroacia dhe Serbia. Kryeekonomisti i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë, Indermit Gill gjatë prezantimit të raportit për ecurinë ekonomike vlerësoi ecurinë e Shqipërisë, por duke kërkuar gjithashtu që të vazhdojë vëmendja ndaj nivelit të lartë të borxhit publik.

Comments are closed.