Bregu-Fyle: Të vijojë dialogu për reformat

Bruksel, ministrja e Integrimit dorëzon Planin e Veprimit

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, dorëzoi dje, në Bruksel, planin e rishikuar të veprimit, i cili ka dhe firmën e opozitës, i angazhuar përmes komisionit parlamentar të integrimit, kryesuese e të cilit është edhe ajo. Ministrja Bregu, gjatë vizitës së saj në Bruksel, pati takim me Komisionerin për Zgjerim, Stefan Fyle. Procesi i Integrimit Europian dhe ecuria e reformave kanë qenë temë e takimit mes ministres Bregu dhe zotit Fyle. “Në takimin me komisionerin, diskutuam kryesisht mbi zhvillimet në Shqipëri, lidhur me procesin e integrimit europian. Më vjen mirë që pas një periudhe 2-vjeçare, kemi një tjetër ndjeshmëri nga ana e KE-së; sigurisht, do të kishte qenë shumë e vështirë për Komisionin Europian të kishte një ndjeshmëri pozitive, nëse gjërat, të paktën prej nëntorit, nuk do të kishin lëvizur pozitivisht dhe kjo gjë u mirëprit dhe u vlerësua edhe nga Komisioneri, në takimin e sotëm. Plani i Veprimit, të cilin e kemi dorëzuar pranë Komisionit Europian, është vlerësuar jo vetëm si një dokument pune i mirë, por edhe për faktin se gjatë rishikimit të tij është përmbushur ose plotësuar një nga sugjerimet edhe të Komisionerit Fyle, që është gjithëpërfshirja. Ky është lajm i mirë, motivues, që na jep mundësi të gjithëve që këtë frymë të bashkëpunimit të vendosur në nëntor mes forcave politike, ta përkthejmë në rezultate konkrete”,- deklaroi ministrja Bregu, në intervistën e dhënë për mediat pas takimit me komisionerin Fyle. Nga ana e tij, Fyle vlerësoi mënyrën gjithëpërfshirëse në procesin e rishikimit të Planit të Veprimit, si dhe faktin që në këtë dokument janë reflektuar të gjitha rekomandimet e Komisionit Europian. Procesi i Integrimit Europian vlerësohet si prioriteti kryesor i politikës shqiptare. Komisioni Europian ka përcaktuar 12 rekomandime, të cilat janë të rëndësishme në funksion të marrjes së statutit të vendit kandidat dhe më pas hapjen e negociatave për anëtarësim.

 

Integrimi, Bregu vizitë dyditore në Bruksel

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, po zhvillon një vizitë dyditore në Bruksel, gjatë së cilës ka zhvilluar takime me Komisionerin për Zgjerimin Stefan Fyle, me Presidentin e Delegacionit te Parlamentit Europian per Europën Juglindore, Eduard Kukan, Eurodeputetin Libor Roucek, kryetar i Grupit të Punës të Parlamentit Europian për Ballkanin Perëndimor, Raporterin e Parlamentit Europian për Shqipërinë, Nicholaos Choundis, si dhe eurodeputetë të tjerë.

 

 

Comments are closed.