Bregu: Heqja e imunitetit, të vendoset si kusht për integrimin e vendit në BE

Ministria e Integrimit, Majlinda Bregu ka ftuar palën evropiane, që heqjen e imunitetit ta vendosë si kusht për marrjen e statutit të vendit kandidat për Shqipërinë. Në fjalën e saj, gjatë konferencës përmbyllëse të Komitetit të Stabilizim Asociimit, ministrja Bregu theksoi se së shpejti në Tiranë do të ketë edhe një tjetër konferencë me KiE për të diskutuar për të arritur në oferta konkrete për heqjen e imunitetit. “Jam e sigurt se përtej përpjekjeve që qeveria dhe agjencitë e ligjit kanë bërë në këtë drejtim ka një tjetër element për të verifikuar plotësimin e prioritetit të tetë, është heqja e imunitetit. Shpreh bindjen e palës shqiptare se është një nga çështjet më të rëndësishme. Ftoj palën evropian që heqjen e imunitetit ta vendosë si kusht për marrjen. Le të jetë prova më e afërt për politikën shqiptare. Mazhoranca ka shprehur alternativën që do të votojë cilëndo alternative. Do të ketë së shpejti në Tiranë edhe një tjetër konferencë me KiE për të diskutuar për të arritur në oferta konkrete për heqjen e imuniteti. Qeveria ka shprehur angazhim maksimal për të votuar heqjen e imuniteti. Le të konsiderohet kushti i ri për marrjen e statutit të vendit kandidat për Shqipërinë”, u shpreh ministrja Bregu. Po ashtu në fjalën e saj në konferencën përmbyllëse të Komitetit të Stabilizim-Asociimit, BE-Shqipëri, ministrja e Integrimit theksoi komisioni ka vlerësuar pozitivisht zbatimin e marrëveshjes së MSA-së, në shumë fusha duke sugjeruar dhe për përmirësime në fusha të tjera dhe për progres në ato fusha ku ka progres të konsoliduar. “Në këtë takim kemi diskutuar edhe për produktin që pritet të finalizohet nesër me miratimin për planin e veprimit prej 12 pikash. Sigurisht që komiteti i Stabilizim-Asociimit është zhvilluar në një atmosferë pozitive, përsa i përket zhvillimit politik, pasi janë miratuar një sërë ligjesh me 3/5 dhe në bazë të marrëveshjes së nënshkruar mes forcave politike në nëntor të vitit të kaluar”, nënvizoi ministrja. Ndër të tjera ministrja ka theksuar se është diskutuar edhe për dy tema kryesore, siç është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Po ashtu, ministrja Bregu theksoi se është vlerësuar pozitivisht dhe është mirëpritur nga pala evropiane zgjedhja e Avokatit të Popullit.

Comments are closed.