Bulqizë, breshëri plumbash ndaj dy vëllezërve, njëri vdes, tjetri plagoset rëndë

Dy vëllezër janë qëlluar me armë zjarri pasditen e djeshme në qytetin e Bulqizës. Ngjarja ka ndodhur në një lokal në afërsi të qendrës së qytetit, ku një person është futur brenda dhe ka qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të vëllezërve Shefqet dhe Vehad Shehu. Burime nga policia bëjnë të ditur se Shefqet Shehu ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa vëllai i tij u dërgua me urgjencë në spital në gjendje tepër të rëndë. Ndërkohë mësohet se autori i dyshuar i ngjarjes është shtetasi Fadil Ternova, i cili ishte përfshirë në një konflikt të hershëm me vëllezërit Shehu. Momentalisht nupolicia nuk jep detaje rreth shkaqeve të konfliktit që autori i ngjarjes kishte me vëllezërit Shehu, ndërsa po punon për të zbardhur ngjarjen e rëndë. Ndërkaq burime jozyrtare bëjnë të ditur se shkak i ngjarjes kanë qenë konfliktet për kromin. Autoritetet u vunë menjëherë në lëvizje për kapjen e autorit të ngjarjes dhe e arrestuan atë 1 orë pas ngjarjes. Fadil Tërnova njihet në Bulqizë si person problematik në prishjen e rendit dhe të qetësisë publike.