Bumçi-Kerry, konfirmojnë marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe

Në kuadër të Ministerialit të NATO-s që po zhvillohet në Bruksel, Ministri i Punëve të Jashtme, Aldo Bumçi u takua me Sekretarin Amerikan të Shtetit, John Kerry. Zyra e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se gjatë takimit u konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe u shpreh dëshira e ndërsjelltë për thellimin e tyre në të ardhmen. Ministri Bumçi i shprehu mirënjohjen Sekretarit Kerry për rolin dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Shqipërisë në kuadrin dypalësh, për anëtarësimin në NATO dhe ndaj çështjes shqiptare në rajon. Ai theksoi se shqiptarët ushqejnë ndjenjat më të thella dhe dashamirëse ndaj popullit dhe lidershipit amerikan, duke vënë në dukje edhe rolin e paçmuar mbështetës për arritjen, së fundmi, të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Ministri Bumçi e ftoi Sekretarin Kerry të vizitojë Tiranën, në një kohë të përshtatshme, çka u mirëprit me kënaqësi nga Sekretari Kerry. Ministri i Punëve të Jashtme, z. Aldo Bumçi u takua me zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Europiane të Kroacisë, znj. Vesna Pusiç. Gjatë takimit u diskutua rreth marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe mes dy vendeve, përfshirë në kuadër të NATO-s si dy vende aleate. Ministri Bumçi e uroi Ministren Pusiç për anëtarësimin e afërt të Kroacisë në Bashkimin Evropian, dhe në këtë kuadër ranë dakord për të thelluar bashkëpunimin dypalësh për përparimin sa më të shpejtë edhe të Shqipërisë në BE, për të cilën Ministrja Pusiç dha mbështetje të plotë. Gjatë takimit u diskutua në mënyrë të veçantë për bashkëpunimin ekonomik dhe në fushën e energjisë, dhe u ra dakord për nënshkrimin sa më të shpejtë të Memorandumit të Bashkëpunimit për mbështetjen e projekteve TAP dhe IAP, që do të realizohet së afërmi mes Shqipërisë, Kroacisë, Malit të Zi dhe Bosnjë Hercegovinës.