Çamëria, si tempull i mirëkuptimit për të ardhmen

Pak vetë, ndoshta, e dinë kuptimin e vërtetë të fjalës “rahma”, që duhet thënë se është tërësisht shqipe dhe e përdorur dendur nga shqiptarët e Çamërisë, myslimanë dhe të krishterë. Shpesh, prindërit tanë na thoshin se “atje ku mungon rahma, nuk bën prokopi ajo shtëpi” ose “e kanë të fortë rahmën ata”, ose “mos e humbni rahmën” etj. Çfarë është, në fakt, “rahma”, do të ishte pyetja e parë që të lind në këtë rast. Me fjalë të tjera, “rahma” është një frymë e shenjtëruar mirëkuptimi dhe bashkëpunimi shumë i fortë që duhet të karakterizojë marrëdhëniet mes një familjeje, një komuniteti, një fisi, një kombi. Ndoshta mund të ketë edhe të tjera përdorime, por jam dëshmitar kur në një vaki, u manifestua një moskuptim dhe keqdashje në përplasjen mes dy njerëzve. Një burrë i moshuar tha “eh, mor djelm, ka humbur rahma tashmë. Ata janë edhe kushërinj mes tyre”.

I rashë kaq gjatë shpjegimit të kësaj fjale, se diku tjetër e kam synimin për të thënë se, duke qenë kjo fjalë pjesë e përdorimit më dendur në komunitetin çam. Para së gjithash, duhet të jenë këta pjesëtarë që duhet të kuptojnë të parët rëndësinë e “rahmës” në kushtet e sotme, kur kërkohet një vlerësim për synimet paqësore dhe adekuate që ka komuniteti çam për të ardhmen. E them për të ardhmen, se koha ka ardhur që ne të mendojmë seriozisht për të ardhmen, si pjesë e Europës, do apo nuk do Greqia, që sipas gjasave, ka rënë në batakun e “patriotizmit” hipokrit dhe dëmtues edhe për vetë grekët, që tashmë po shkojnë drejt falimentimit.

Por le të kthehemi tek fokusi i këtij shkrimi. Këto kohët e fundit, janë manifestuar tendenca jo në përputhje me “rahmën” që duhet të kenë pjesëtarët e komunitetit çam. Nuk e kam fjalën për njerëzit e thjeshtë, ata që janë pjesëtarët e denjë të çështjes çame, por për ata që janë futur në elitën e drejtimit të marrjes me punët e rëndësishme të së ardhmes së çështjes çame. Përdorimi apo keqpërdorimi i së drejtës që të jep një komunitet për ta përfaqësuar, janë shenjat e një tendence që mbart mbi vete rrezikun e një shfaqjeje të padëshirueshme për interesat madhore që ka lidhje me strategjinë dhe taktikat në zgjidhjen e çështjes çame. Nuk është e drejtë të paragjykosh askënd, po aq sa edhe askush nuk ka të drejtë të paragjykojë punën e mirë të një komuniteti që ka zgjedhur në krye njerëzit për t’i përfaqësuar. Më e keqja është kur mes këtij komuniteti futet filozofia e vetëkënaqësisë apo e mendjemadhësisë, duke bërë që të humbet “rahma”, aq e dëshiruar për një komunitet që më shumë ka nevojë për bashkime në realizimin e qëllimit të madh, se sa për ndarje apo qejfmbetje të diktuara.

Kur shkrimtari i madh gjerman, Gëte, shprehej se: “Vetëm ajo që është e frytshme është e vërtetë”, është koha të themi se kemi përpara ngarkesën e veprave të frytshme në shërbim të çështjes, për të thënë se këto do të jenë më pas të vërtetat e punës dhe luftës sonë, përballë të pavërtetave që ngrihen si kolonat e së keqes që i është bërë nga Greqia kombit shqiptar dhe jo vetëm Çamërisë. Bashkëpunimi i elitave që janë vënë në krye të çështjes çame ka nevojë për “rahmën” dhe jo për antipatitë apo simpatitë personale, për arsye të interesave të çastit apo një vendi pune.

Si i angazhuar në këtë çështje shumë e shumë herët nga sa paraqiten ata që kërkojnë protagonistin në një çështje që asnjëherë nuk ka nevojë për personalizim, e shoh me luajalitet dhe besim angazhimin elitar të kontribuuesve për tempullin e mirëkuptimit për të ardhmen e çështjes çame. Është e sinqertë edhe të tërheqim vëmendjen e duhur se, në këtë kuptim, shqetësimi për realizimin e pozicioneve të PDIU-së, në zbatimin e marrëveshjes me qeverisjen aktuale të mazhorancës së djathtë, nuk ka vend për t’u konsideruar si vlerë, por si antivlerë, e dëmshme dhe e panevojshme. Është një marrëveshje e nevojshme dhe e konsoliduar, e natyrshme dhe e dobishme, pa diskutim.

U ndjeva keq që, në një kohë që priten interesime për t’u dhënë përgjigjen e merituar antishqiptarizmave të manifestuara nga Athina zyrtare, hyn në mes qejfmbetja dhe këndvështrimi meskin i një njeriu, prej të cilit pritet të jetë një dorë e fuqishme drejt angazhimeve me mendësi evropiane, të sfidave që kërkon koha për çështjen çame dhe zgjidhjen e shumë ngërçeve që i japin sfond nacionalist dhe primitivist marrëdhënieve ndërshtetërore mes fqinjësh.

Kur them se është urgjente që Çamërinë ta shohim si tempull të mirëkuptimit për të ardhmen, nëse vërtet duam zgjidhjen e zgjuar të çështjes çame, kam parasysh që kjo kërkon edhe një emancipim edhe të vetë shoqërisë shqiptare dhe të politikës dhe diplomacisë së saj, në kuptimin e realiteteve të reja që priten të ndodhin në Europën Juglindore, në këtë 10-vjeçar që sapo kemi hyrë. 100 vjet më parë, Konferenca e Londrës bëri namin mbi tokat shqiptare. Sot, pas 100-vjetësh, ka ardhur koha e korrigjimeve, do apo nuk do Greqia e Serbia, që fatkeqësisht, kanë qenë armiqtë tanë shekullorë.

Mendimtarët dhe shkrimtarët e mëdhenj i kanë përcaktuar qartë pozicionet e filozofive që i kanë kontribuar së ardhmes, tamam ashtu siç e ka thënë i madhi Stefan Cvajg për Zigmund Frojdin, psikanalistin më të madh të të gjitha kohërave. Si me porosi, edhe për ne të PDIU-së, duket edhe përcaktimi i Cvajgut për Frojdin, kur thotë se “arti i mirëkuptimit të ndërsjellë, më i rëndësishmi në marrëdhëniet njerëzore, e gjithmonë e më i nevojshëm midis kombeve, i vetmi, me një fjalë, që mund të na ndihmojë në ndërtimin e një shoqërie njerëzore më të zhvilluar, ky art, pra, nuk ka përfituar nga asnjë doktrinë moderne, që ka të bëjë me sferën e mendjes, aq sa nga doktrina frojdiane e personalitetit. Falë Frojdit, u mor vesh për herë të parë, në një kuptim të ri e aktiv, rëndësia e individit, vlera e mirëfilltë dhe e pazëvendësueshme e çdo shpirti njerëzor”. Dhe ky mirëkuptim, para së gjithash, duhet të nisë në mes nesh që quhemi komuniteti çam dhe më gjerë pastaj mes një populli që aspiron për Europën e Bashkuar, por edhe mes fqinjëve, që për fatin e keq tonin dhe të atyre vetë, ende nuk e kanë përvetësuar këtë filozofi që Frojdi e ka zbuluar atëherë, kur njerëzimi kishte nevojë për mirëkuptim, ndërsa ne sot, kemi akoma më shumë nevojë për “rahmën” e marrëdhënieve tona me të tjerët.

Lus Zotin, që të urtët të kuptojnë se çfarë na kërkon koha dhe jo sedra e sëmurë për të çuar në vend amanetin e të parëve tanë, që dergjen në varret që ende rënkojnë për të parët e tyre shpirtërorë dhe legjitimë.

Nga Hyqmet ZANE

 

 

 

 

 

 

Comments are closed.