Categories
Analiza

Për qytetarin unik dhe botën e globalizuar

Globalizmi nuk është lëvizje e qetë dhe pa turbulencë konceptuale individuale dhe sociale. Në kohën tonë, ai ka hapur “Kutinë e Pandorës” të problemeve globale. Prej saj kanë dalë shumë probleme dhe paqartësi dhe prandaj dhe janë intensifikuar diskutimet teorike që kanë të bëjnë me raportet e “qytetarit unik” me “qytetërimin global”, identitetin dhe kulturën e globalizuar, ekonominë, problemet nacionale, etj. Por nëse për të gjitha këto çështje që, përgjithësisht, janë të lidhura dhe kanë të bëjnë me kuptimin e anës materiale të globalizimit, për të cilat ka përpjekje për të bërë interpretime adekuate dhe për t’i dhënë atyre zgjidhjet e duhura, shume vështirë mbetet një çështje, që është disi e veçantë. Ajo ka të bëjë me problemet që ndihen në përcaktimin e raportit midis nevojës së ekzistencës së qytetarit unik me identitet dhe kushteve për t’i garantuar identitetet e qytetarit në botën e globalizuar.

Në të vërtetë, ka shumë arsye të tjera që këtë diskutim e kanë bërë shumë sensitive dhe të ndërlikuar. Sepse raporti midis qytetarit unik dhe botës së globalizuar, nuk lidhet vetëm me efektet sociale të globalizmit. Ka shumë probleme që lidhen me tipologjinë e qytetërimit, identitetin e qytetarit, që e kanë nxjerrë në evidencë këtë çështje. Problemet e identitetit të qytetarit, në raport me ndryshimet, transformimet apo edhe deformimet e mundshme të globalizmit, në kohën e sotme janë bërë të vështira për t’u vlerësuar pa paragjykime të vjetra dhe njëanshmëri të kohës liberale. Kjo ka bërë të vështirë parashikimin se në ç’kahe do të ecin dhe ku do të mbërrijnë anët e këtij ekuacioni midis nevojës së identitetit të qytetarit dhe kërkesës së zhvillimeve globale për formatimin e “qytetarit të globalizuar”.

Skeptikët e globalizmit kanë dyshime për kurbën e identitetit të qytetarit në botën e globalizuar. Kjo është arsyeja pse ata shpesh profetizojnë se identiteti i qytetarit është një kërkesë e kotë që sipas tyre me siguri që do të humbasë nga pesha e globalizmit. Padyshim, në këtë problematikë të globalizmit të të sotmes dhe të nesërmes, ka shumë gjëra që duhen interpretuar saktë. Sidomos kur është fjala për të gjetur prerjen e duhur midis identitetit vetjak të qytetarit, formës të ndërtimit të “materies sociale” të tij, sigurimit të balancave dhe unitetit të njeriut si qenie humane, që do të jetë gjithnjë e më shumë i detyruar të “luajë” më shumë si qytetar dhe qytetërisht në “teatrin” e zgjeruar të lidhjeve dhe marrëdhënieve sociale dhe mënyrave të komportimit të cilësive të personalizuara në botën e globalizuar.

Këto probleme të unitetit të qytetarit me botën e globalizuar, tashmë nuk janë teori nga që po bëhen çështje evidente, të prekshme dhe vizive kudo në planet. Në këtë kontekst, shumë të qarta janë këto termite të globalizmit edhe në shoqërinë tonë, sidomos në betejën që zhvillohet në shoqërinë shqiptare, për të rregulluar trekëndëshin ekzistencial: qytetar, komb dhe botë globale, brenda të cilit është i “detyruar” të vendoset, të qëndrojë në mënyrë harmonike ekuilibri, qëndrueshmëria e identitetit të qytetarëve tanë, në lidhje me interferencat të botës globale dhe në përshtatje me imperativat e kohës moderne. Të tre këto komponentë të rëndësishëm janë kushte që ndikojnë në identitetin e qytetarit, kanë rëndësi të veçantë për të përcaktuar në të njëjtën kohë dinjitetin e tij, që është në realitetin që lëviz midis lirisë personale të pakufizuar, kufijve të natyrshëm të identitetit social, qenies kombëtare dhe unitetit të përbashkët qytetar, si qenie e përfshirë nga rrjedhat e botës së globalizuar.

Po a është i lehtë të rindërtohet dhe të funksionojë ky unitet kontradiktor i identitetit të qytetarit në botën e globalizuar? Patjetër, nuk është proces i lehtë. Sigurimi i lidhjeve dhe ekzistenca e raporteve të reja të qytetarit me identitetin e ri të ndryshuar, jo vetëm nuk është i lehtë, por ai nuk bëhet pa vështirësi e kontradikta. Beteja e njeriut për t’u bërë qytetar i vërtetë në shoqërinë tonë, por jo vetëm do kalojë në procese të tilla të integruara, në të cilat njeriu është i detyruar të kalojë në “fillin qytetar” të sigurimit të harmonizuar të tre pjesëve të unitetit, midis “vetes” si qenie unike, lidhjes me të tjerët si qenie bashkësociale dhe si qytetar kozmopolit apo anëtar i botës së globalizuar.

Sociologët janë të mendimit se ky unitet i ri i njeriut në botën e globalizuar nuk është proces i lehtë dhe pa vlerë. Ai është nga gjërat më të komplikuara. Sepse ka të bëjë me faktin që “identitete të ndryshme brenda grupeve të ndryshme shprehin pretendime konfliktuale, duke qenë se koncepti që ne kemi për identitetin tonë ndikon në mënyra të ndryshme në mendimet dhe veprimet tona.” (Amartya Sen, “Identiteti dhe dhuna”).

Pa dyshim, në kohën e sotme gjithnjë e më shumë po zbehen disa forma të kufizuara, me të cilat është bërë përcaktimi në mënyrë klasike i identitetit qytetar, në të cilin më shumë se uniteti vetmitar të identitetit qytetar, i është kushtuar rëndësi përkatësisë kombëtare apo identitetit të shtresës shoqërore. Besoj se gjithnjë e më shumë do të ndryshojë kjo formulë e përcaktimit të identitetit të qytetarëve tanë. Kjo nga që koha që po jetojmë dikton një formulë të re të përcaktimit të “identitetit” dhe “unitetit”. Ekuacioni në kohën tonë ka ndryshuar dhe është duke u kristalizuar si identitet që lidhet me unitetin e njeriut si qytetar me “veten”, me kombin e vet, shoqërinë të cilës i përket. Por ato janë identitet i kufizuar në hapësirë dhe në kohë në se nuk vendosen në funksion të sigurimit organik, të harmonizuar të standardeve të përbashkëta të “unitetit globalizues” qytetar, që gjithnjë e më shumë po i ndjeshëm dhe thelbësor për qytetërimin tonë.

Padyshim, kjo kërkon që njerëzit tanë të kuptojnë, të përshtaten me rrugën e përcaktimit të vlerës relative të identiteteve të shumta që ka qytetari në kohën e sotme. Të cilat janë të përcaktuara jo vetëm nga vetja dhe përkatësitë e tjera kombëtare, lokale e sociale, por gjithnjë e më shumë të diktuara nga niveli i zhvillimit të personalitetit të përveçëm të njeriut unik, që gjithnjë e më shumë do të bëhet edhe qytetar i botës globale. Ajo që ka rëndësi është të kuptuarit e të vërtetës, se koha moderne edhe pse krijon shumë kushte për organizime e bashkëshoqërime qytetare, mënyra të socializmit dhe grumbullimit nëpër shoqata dhe anëtarësime të shumta, në të njëjtën kohë ky socialitet është një mundësi e madhe për qytetarin që të krijojë që tani element dhe komponentë të shumtë të identitetit dhe mënyrës globale të të jetuarit.

Por ka shumë rëndësi që në kohën e sotme në shoqërinë tonë ka evoluar uniteti i qytetarit në raport me veten dhe përcaktimin e qartë të identitetit të tij, që nuk pengohet nga mundësia e lidhjeve sociale dhe anëtarësimeve të shumta në shoqata të jetës publike apo private brenda dhe jashtë vendit. Kjo është arsyeja që të bën të besosh se pritmëritë e jetës së globalizuar qytetare, zgjerimi lidhjeve kozmopolitie midis qytetarëve të kombeve, do të bëjnë që të bëhet më e qartë dhe më të përmirësuara marrëdhëniet midis njerëzve tanë që po përfshihen nga valët e botës gjithnjë e më të globalizuar.

Qytetari me identitet të ngurtë kulturor dhe kombëtar i së kaluarës, do të zëvendësohet gradualisht nga qytetari që ka në dorë ekuacionin e ndërtimit të identitetit personal qytetar, që ka mundësi të sigurojë lidhje sociale më qytetarët e tjerë të ngjashëm, me të cilët mund të ketë të gjitha llojet e natyrshme të marrëdhënieve njerëzore dhe njëherësh do të ndihet komod, pikërisht duke qenë i përfshirë pa pengesa në jetën globale. Sepse ideologjia e globalizmit ka shumë mundësi të sjellë realitetet të reja qytetare dhe qytetëruese, në të cilat perspektiva e marrëdhënieve globale do të bëhet një realitet i pandryshuar.

Bota globale do të jetë patjetër paqësore, ndryshe ajo nuk do të bëhet kurrë globale. Vetëm kështu qytetërimi global nuk do ketë kushte për ndarje luftarake midis identitetit të popujve, kombeve dhe qytetarëve. Përkundrazi ajo që ndihet kudo, përfshirë edhe shoqërinë tone, është transformimi radikal i koncepteve ndarëse, zgjerimi i pushtetit të koncepteve globale që krijojnë realitete unifikuese të qytetërimit dhe jetës së qytetarëve të saj. Kjo është arsyeja pse gjithnjë e më shumë janë në qarkullim koncepte të reja të lidhjeve dhe komunikimit qytetar ekstrakombëtar, pse jo kozmopolit, që bazohen në ideologjinë e globalizmit si mundësi për më shumë miqësi midis qytetarëve dhe qytetërimeve të tyre, për forcimin planetar të dialogut midis besimeve (që është një problem i madh global) dhe forcimin e marrëdhënieve më të hapura midis njerëzve që janë qytetarë të bashkësive kombëtare të ndryshme.

Padyshim, kur flasim për efektet e globalizmit mbi identitetin e qytetarit dhe të konstitucionit të tyre planetarisht qytetar, nuk duhet të nisemi nga koncepte nihiluese dhe niveluese të identitetit të veçantë të çdo qytetari dhe çdo bashkësie qytetare. Kjo ka rëndësi sepse globalizmi nuk është i barabartë me konceptin e rrafshimit të identitetit të veçantë të qytetarit, apo mbivlerësimit të specifikave lokale e kombëtare të qytetërimeve. Globalizmi krijon kushte për konstante të përgjithshme të identiteteve qytetare dhe qytetëruese të njeriut si qenie globale. Por kurrë kjo nuk duhet kuptuar në mënyrë sempliste, sipas “parullës niveluese”, se të gjithë qeniet njerëzore janë të ngjashme apo se midis qytetarëve në botën e globalizuar nuk do të ketë identitete të veçanta dhe dallime.

Globalizmi i ka të gjitha mekanizmat e garantimit të unitetit dhe diversiteteve të qytetarit dhe qytetërimit të globalizuar. Qytetarët globalisht do të jenë duke u bërë “qytetarë globalë” , jo e kuptuar kjo si “qenie të ngjashme”, por më shumë si njerëz të cilët do të jenë së bashku dhe që do të jetojnë pa barrierat e ndarjeve duke qenë në çdo rast të ndryshëm dhe të shumëllojshëm. Globalizmi ka meritën e madhe të rishikimit të skemave të ngurta, tradicionale dhe konservatore të identiteteve të mbyllura të qytetarit, në kuptimin e vjetër klasik, nacionalist dhe supersocial. Qytetarët në botën e globalizuar janë njerëz që kanë mundësi e shanse, që të kenë një larmi të pafundme të identiteteve gjeografike, kulturore, arsimore, gjuhësore, të besimit, shijeve, lidhjeve e marrëdhënieve me tjetrin. Qytetari global do të bëhet gjithnjë e më fleksibël, si kusht për t’u përshtatur me rrethanat e diversifikuara të shoqërisë globale.

Sociologët e modernitetit dhe globalizmit, kanë mundur të kuptojnë determinimet e reja që ka sjellë koha dhe globalizimi, i cili pothuaj e ka transformuar paradigmën e “identiteteve të mëdha” deterministe e gjithëpërfshirëse, për të gjithë qytetarët e një vendi, bashkësie apo komuniteti lokal profesionistësh, besimtarët apo kufitarësh. Në të vërtetë globalizmi megjithëse duket sikur është nivelues, është nxitës i shumësisë së identiteteve qytetare. Sepse jeta globale dhe identiteti planetar i qytetarit si identitet, dikton në çdo rast vendosjen e identiteteve të njëjta të qytetarëve në “kuti të vogla” identitetesh të vetme, si mënyrë e përcaktimit të përmasave dhe dimensioneve të identitetit veçantë të çdo njeriu si qytetar. Ky është shans për individualitet. Kjo është mundësi që përforcohet në botën globale, për të pasur më shumë identitet të përveçëm qytetar, e cila nuk është pengesë apo në dëm të nevojës së përcaktimit të lidhjeve, identiteteve sociale të përbashkëta të globalizuara qytetarisht.

Sado paradoksale të duket, jeta moderne në shoqërinë tonë ka filluar të prodhojë mekanizmat që i duhen për të siguruar funksionimin e unitetit kontradiktor, midis globalizimit dhe individualizimit të jetës së qytetarit të veçantë. Kjo do të thotë se garantimi i identitetit të veçantë të qytetarit, pasja e “kutive” të shumta të identitetit të përveçëm qytetar të qytetarëve tanë që do jetojnë në këtë botë të madhe, në këtë jetë pa “kufij” dhe të mondializuar, nuk mund të funksionojë, në se këto “kuti” të veçanta të identitetit të qytetarit të përveçëm, bëhen pengesë për të siguruar lidhje dhe marrëdhënie shoqërore, që janë të dobishme dhe të domosdoshme për të ndërtuar botën e globalizuar.

Categories
Analiza

Karakteri atdhetar i luftërave të Skënderbeut, themelues i shtetit të parë kombëtar shqiptar

Studim / Ali Hoxha*

Karakteri atdhetar i luftërave të Skënderbeut, themelues i shtetit të parë kombëtar shqiptar

Në kuadrin e kremtimeve për 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë nga Perandoria Osmane, më 28 Nëntor 1912, nga përfaqësuesit e të gjitha krahinave të Shqipërisë, të mbledhur në Vlorë, nën kryesinë e Ismail Qemal Bej Vlorës, për përjetësimin e të cilëve dekada më parë, mbi bazën e një skenari të Ismail Kadare, është bërë një film artistik me titullin “Nëntori i dytë”, për arsye se rilindësit tanë të mëdhenj, Pavarësinë e Shqipërisë e ideuan dhe pas shumë mundimesh dhe sakrificash e realizuan pikërisht në të njëjtin muaj dhe datë kur Skënderbeu, 570 vjet më parë, valëviti të lirë flamurin e tij kuq e zi në Kështjellën e Krujës, më 28 Nëntor 1443, do të ishte një mangësi, nëse nuk do të rikujtonim me nderim dhe “Nëntorin e parë”, dhe arkitektin e saj, heroin tonë kombëtar, birin e Çidhnës së Dibrës dhe të gjithë Shqipërisë, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

Më 17 janar të këtij viti (2012), u mbushën plot 544 vjet nga dita e vdekjes së kryeheroit tonë kombëtar, Gjergj-Kastriotit, Skënderbeut, themeluesit të shtetit të parë kombëtar shqiptar, më 2 mars 1444, në Kuvendin historik të Lezhës, i njohur edhe me emrin Besëlidhja e Lezhës.

Lidhur me datën dhe vendin e lindjes së Skënderbeut, deri më sot, nuk është zbuluar ndonjë dokument autentik që ta saktësojë atë, ashtu siç dëshmohet për vdekjen e tij në Lezhë, më 17 janar 1468. Në këtë aspekt, mendimet e historianëve janë të ndryshme, por shumica e tyre përcaktojnë vetëm vitin e lindjes, 1405.

Mbështetur në origjinën dibrane të Kastriotëve, e sanksionuar kjo edhe nga Instituti i Historisë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë u inaugurua, më 1985, Muzeu historik i Kastriotëve në Sinë të Çidhnës, në Dibër të Poshtme.

Origjina dibrane e Kastriotëve sqarohet imtësisht dhe katërcipërisht me argumente shkencore nga historiani i mirënjohur, Prof. Dr. Kristo Frashëri, në veprën e tij “Skënderbeu – jeta dhe vepra”, botim i vitit 2002, në kapitullin III, f. 54-66 me nëntitull “Nga ishin Kastriotët”.

Në mbështetje të tezës së origjinës dibrane të Skënderbeut, përmendim këtu edhe studimin e historianit Fatmir Hadri, me titull “Historiografia shqiptare mbi personalitetin e Skënderbeut, origjinën dhe rininë e tij”, ribotuar për të tretën herë në përmbledhjen “Studime për epokën e Skënderbeut” (Akademinë e Shkencave, Tiranë 1959, vëll. II).

Për çlirimin dhe mbrojtjen e atdheut të vet, Shqipërisë, Skënderbeu zhvilloi dhe drejtoi 30 beteja për 25 vjet me radhë, prej të cilave fitoi 29 beteja kundër ushtrive të Perandorisë Osmane, superfuqisë më të madhe të asaj kohe, ndërsa humbi vetëm një betejë, por edhe këtë, vetëm për shkak të tradhtisë nga brenda (“Tirana Observer”, datë 11 janar 2008, f. 19). Shumë autorë i janë kushtuar kësaj figure të përmasave ndërkombëtare, duke shkruar mjaft studime e botuar shumë libra, shumë filma e dokumentarë janë bërë për të, shumë piktura dhe skulptura (buste e shtatore) i janë kushtuar këtij kolosi, por ky nuk është qëllimi ynë.

Lidhur me vlerësimin e figurës së Skënderbeut, mjafton të përmendim vetëm një fragment nga kërkesa e dy senatorëve amerikanë, Dana Rohbracher dhe Tom Lantos, që paraqitën për një rezolutë në Kongresin Amerikan të SHBA-ve në shenjë nderimi dhe përkujtimi për 600-vjetorin e lindjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut: “Sipas gjeneralmajorit James Holfe, komandanti i ushtrisë britanike në Kuebek, “Skënderbeu ua kalon të gjithë oficerëve të lashtë dhe të kohëve moderne, në drejtimin e një ushtrie të vogël ofensive” dhe… Sipas historianit britanik, Eduard Gibon, “Entuziazmi i kalorësisë dhe religjionit e kanë renditur princin shqiptar përkrah Aleksandrit të Madh dhe Pirros” (cituar sipas gazetës “Tema”, dt. 4 nëntor 2005, f. 9).

Nisur nga fakti i pozicionit gjeografik të Shqipërisë, ashtu siç përcaktohet në rezolutën e lartpërmendur, me luftën e tij për liri, “populli shqiptar, nën udhëheqjen e Skënderbeut, parandaloi rënien e Romës dhe të Italisë në sundimin e Perandorisë otomane, duke i rihapur kështu rrugën Rilindjes-Renecencës italiane”.

Por ajo që më nxiti të bëj këtë shkrim është fakti se kanë tërhequr vëmendjen disa mendime të ndryshme të shprehura kohë më parë në shtypin e përditshëm, lidhur me figurën e Skënderbeut, ku kanë bërë analiza subjektive, të cilat janë jo vetëm shumë larg së vërtetës historike, por të nisur nga qëllime të caktuara pragmatiste apo për konjuktura të caktuara politike, kanë arritur aq larg, sa të mohojnë edhe karakterin atdhetar të luftës legjendare të Skënderbeut. Ata kanë shtrembëruar të vërtetën historike, sikur Skënderbeu, gjoja, paska luftuar për të mbrojtur krishterimin perëndimor, apo Skënderbeu ka qenë atlet i Krishtit etj. Pa dashur të hyj në polemikë me askënd, po përmend shkrimin me titull “Orientimi katolik i luftës së Skënderbeut” të dr. Sami Repishtit, botuar në gazeta “Tema”, të datës 21 nëntor 2005, f. 19, ku, ndër të tjera, shkruhet: “Figura poliedrike e Skënderbeut, sundimtar, diplomat, strateg ushtarak dhe mbrojtës i krishterimit perëndimor mbetet gjithherë epiqendër e krijimtarisë kombëtare shqiptare dhe personalitet qendror që bashkoi dhe vazhdon të bashkojë shqiptarët, brenda dhe jashtë Shqipërisë, pa dallim feje, krahine dhe ideologjie politike”. Dhe, më tej, vazhdon: “I lindur në një vend si Shqipëria, kurdoherë një urë midis Lindjes dhe Perëndimit, veprimtaria e gjithanshme e Skënderbeut karakterizohet nga një marrje qëndrimi të premë në favor të njërës – Perëndimit të krishterë dhe kundër tjetrës – Lindjes Islamike, një qëndrim unik në atmosferën politike të Ballkanit në shek. XV”.

Ky mendim, jo vetëm nuk shpreh aspak të vërtetën historike, pasi është një mendim thjesht subjektiv, në kundërshtim diametralisht të kundërt me realitetin historik, por është dhe krejt i pabesueshëm për cilindo lexues që, ka sadopak, njohje dhe kulturë historike. Është i papranueshëm se shtrembëron karakterin patriotik të luftës së Skënderbeut, kur thuhet “Orientimi katolik i luftës së Skënderbeut”. Gjithkush e di se Skënderbeu nuk ka luftuar as për krishterimin perëndimor dhe as për Krishtin, pasi ai në radhë të parë ka luftuar për lirinë e atdheut të vet me luftërat e tij kundër Perandorisë Osmane, pavarësisht se lufta e tij indirekt ka kontribuar edhe në mbrojtjen e Krishterimit Perëndimor, por kjo, kurrsesi, nuk do të thotë se lufta e Skënderbeut ka karakter fetar me orientim katolik. Autori i mendimeve të lartpërmendura bie në kontradiktë me vetveten, pasi në qoftë se Skënderbeu do të kishte luftuar për katolicizmin e për krishterimin perëndimor, atëherë ai kurrë nuk do të kishte pasur mbështetjen e përkrahjen e shumicës së popullsisë shqiptare myslimane dhe ortodokse, në gjallërinë e tij (dokumentet historike vërtetojnë se islamizmi i shqiptarëve, në disa treva arriti përmasa të mëdha qysh në kohën e Skënderbeut. “Atëherë, mbi 60 për qind e banorëve të Shkupit dhe të Manastirit ishin myslimanë” (cituar sipas Kasem Biçokut, në “Tema”, datë 2 mars 2005, f. 9), po ashtu dhe pas vdekjes së tij, ithtarët e tij, myslimanë, nuk do ta ngrinin aq lart siç bënë rilindësit tanë të ndritur, Naim Frashëri, Hoxha Tahsim, etj., deri tek Haxhi Vehbi Dibra, ish-kryetar i Senatit të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës dhe kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë që e shkëputi edhe KMSH nga Halifati i Stambollit etj.

Skënderbeu, si strateg e diplomat i madh, në luftën e tij atdhetare legjendare kundër superfuqisë më të madhe të kohës, ishte e natyrshme që duhej të kërkonte edhe aleatë të jashtëm. Në një kohë kur e gjithë Lindja islame ishte e pushtuar nga Perandoria Osmane, ishte e natyrshme që Skënderbeu të kërkonte aleatë në Perëndim, duke shfrytëzuar rrethanat e kohës, konjukturat e kohës, por kjo nuk do të thotë aspak se Skënderbeu në veprimtarinë e tij të gjithanshme paska pas një “qëndrim të premë në favor të Perëndimit të krishterë…”, pasi, siç do të theksojmë më poshtë, ai ka luftuar dhe kundër Perëndimit të krishterë. Lidhur me kërkimin e aleatëve në Perëndim nga ana e Skënderbeut, kjo nuk do të thotë aspak se Skënderbeu, luftës së tij çlirimtare e mbrojtëse të atdheut të vet, i paska dhënë karakter katolik. Për analogji mjafton të kujtojmë një moment historik të ditëve tona kur, në vitet 1990-‘91, ish-Presidenti Ramiz Alia, me emër mysliman por me bindje ateiste, edhe pse në atë kohë ishte në fuqi Kushtetuta e vitit 1976, kur shteti shqiptar ishte i sanksionuar si i vetmi shtet ateist në botë dhe me ligj ndalohej ushtrimi i fesë në Shqipëri, i imponuar nga rrethanat e kohës, u detyrua që të lidhte marrëdhënie diplomatike me shtetin e Vatikanit. Por kjo nuk do të thotë dhe nuk vërteton aspak që R. Alia të jetë kthyer as në katolik dhe as në mbrojtës të krishterimit, ndoshta as besimtar.

Në këtë aspekt, mendimi ynë përforcohet edhe nga mendimi i z. Vlash Prendi, i cili në studimin e tij “Gjergj Kastrioti dhe Selia e Shenjtë”, ndër të tjera, shkruan: “Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit me Vatikanin janë pasqyrë e një prej aspekteve më të rëndësishme të personalitetit të tij prej burri shteti dhe diplomati, të lindur në Dibër, më 6 maj 1405, dhe vdekur në Lezhë, më 17 janar 1468. Duke qenë se selia e shenjtë në Mesjetë ishte pushteti qendror i Europës dhe ushtronte autoritetin e saj si mbi aspektet fetare të banorëve të Europës, ashtu edhe mbi të gjitha aspektet e tjera të jetës së tyre, ishte mençuri nga ana e Skënderbeut që të përpiqej të fitonte vëmendjen e Vatikanit dhe ta përdorte për qëllimet e tij. Qysh në fillim, duhet theksuar se marrëdhëniet midis Skënderbeut dhe Selisë së Shenjtë u ndërtuan mbi bazën e interesit të ndërsjellë, si nga ana e Skënderbeut, ashtu edhe nga ana e Selisë së shenjtë, interesa këto që erdhën duke u forcuar me kalimin e kohës dhe me rritjen e famës së Skënderbeut si strateg në luftën kundër osmanëve”. (Vlash Prendi: Papa Klementi XI, Gjergj Kastrioti dhe Selia e Shenjtë”, “Republika”, datë 4 nëntor 2012, fq. 14).

Po kështu, nisur nga fakti se në një letër përgëzuese që Papa Kaliksiti II (1455-1458), i kishte dërguar Skënderbeut pas fitores së tij në betejën e vitit 1457 në Ujëbardhë, kundër ushtrisë turke prej 80.000 vetash, nën komandën e gjeneralit të sprovuar turk Isak bej Evronezi. Ndër të tjera, ai përdor një shprehje të tillë figurative vlerësuese për Skënderbeun: “Nuk ka njeri në botë që të mos ngrejë në qiell veprat tuaja me lëvdatat më të larta dhe të mos flasë për fisnikërinë tuaj, si për një atlet të vërtetë në mbrojtje të krishterëve. (Cituar sipas K. Frashërit, “Skënderbeu, jeta dhe vepra”, Tiranë, 2002, f. 484).

Një shprehjeje të tillë figurative, një similitude si ajo e lartpërmendur, e motivueshme dhe e pranueshme për të dalë nga goja e një pape, apo qoftë edhe nga goja e një prifti të Skënderbeut, është e pakuptueshme dhe e papranueshme që t’i jepet një interpretim si ai i lartpërmenduri, duke shtrembëruar të vërtetën historike, aq më tepër kur autori i tij është një studiues laik i shekullit XXI.

Lidhur me nxjerrjen e konkluzioneve dhe interpretimin e ngjarjeve historike, mbi bazën e kronikave të ndryshme për Skënderbeun dhe luftën e tij, Prof. Kristo Frashëri, shkruan:

“Njoftimet kancelareske, kronikale, epistolare dhe memorialistike, janë subjektive… ata nuk vijnë nga një dorë e vetme, por nga fronte të ndryshme të frymëzuara nga interesa të veçanta, sidoqoftë të pavarura njëri nga tjetri, madje në shumë raste, nga fronte kundërshtare midis tyre, disa tepër miqësore dhe disa tepër armiqësore ndaj Shqipërisë, ndaj luftës së shqiptarëve dhe ndaj politikës së Skënderbeut. Kështu, për shembull, letrat e papëve, sidomos ato të Kalikstit III drejtuar Skënderbeut, janë të gjitha me notë panegjirike. Papët e ngrenë lart heroin shqiptar, e nxitin ta vazhdojë me vendosmëri luftën kundër sulltanit për mbrojtjen e krishterimit dhe nuk ngurojnë ta quajnë “athlet të Krishtit” (Athleta Christi) – atlet në kuptimin e luftëtarit të madh që mbron një çështje fisnike. Në bazë të këtyre letrave, jo pak historianë e kanë vlerësuar Skënderbeun si një kapiten që luftoi për mbrojtjen e krishterimit. Përkundrazi, Republika e Venedikut nuk e cilëson asnjëherë përleshjen shqiptaro-turke si luftë fetare…” (Kristo Frashëri “Marin Barleti panegjirik, fjalimet e heronjve të trilluara”, te “Gazeta Shqiptare” dt. 17 shkurt 2012, f. 20-21).

Në këtë këndvështrim, nisur nga fakti se lufta çlirimtare dhe mbrojtëse e popullit shqiptar nën udhëheqjen e Skënderbeut ka penguar, njëherësh, edhe kalimin e ushtrive osmane përtej Adriatikut, në Itali etj. Kurrsesi, nuk duhet të spekulohet me keqinterpretime subjektiviste të tilla, që për hir të interesave pragmatiste të çastit, të arrihet deri aty sa t’i ndryshohet edhe karakteri atdhetar i luftërave të popullit shqiptar nën udhëheqjen e Skënderbeut duke u dhënë atyre karakter fetar, sikur gjoja ata paskan pas prioritet mbrojtjen e krishterimit.

Lidhur me sa më sipër, theksojmë se deri më sot, pas 545 vitesh nga vdekja e Skënderbeut, nuk është gjetur asnjë dokument historik që të flasë për Skënderbeun dhe ku ai të jetë shprehur me gojën e vet se ka qenë “mbrojtës i krishterimit”. E shprehur më qartë nuk gjendet asnjë pohim që Skënderbeu të ketë pranuar se ai ka luftuar për të mbrojtur krishterimin.

Në këtë aspekt, në favor të mendimit tonë na vjen në ndihmë një dokument autentik i kohës së Skënderbeut, i panjohur deri më tani nga historiografia, por i zbuluar para pak kohësh nga historiani Oliver Yens Schmitt. Ai, mbi bazën e atij dokumenti, si në veprën e vet kushtuar Skënderbeut, ashtu edhe në intervistën e tij, dhënë publicistit Fatos Lubonja para pak kohësh, ka konkluduar se “lufta e tij (e Skënderbeut – A.H) kundër Sulltanit s’ishte gjë tjetër, veçse hakmarrje personale ndaj vrasjes së të atit”. E thënë ndryshe, ai pohon se Lufta e Skënderbeut nuk ka pas karakter fetar, me të cilin jemi dakord. Ndërsa lidhur me pjesën e dytë të mendimit të tij “… për hakmarrje personale”, mendojmë krejt ndryshe nga Schmitt-i. Për të qenë i saktë dhe me qëllim që lexuesi të nxjerrë konkluzionet e veta objektive, po citojmë këtu disa fragmente nga intervista e Schmitt-it:

“Para së gjithash, nuk kemi pasur asnjë dokument mbi motivet personale të Skënderbeut, që, sikurse e kam theksuar që në fillim, nuk i japin, megjithatë, një shpjegim motivesh kryengritjes.

Në fakt, dokumenti në fjalë na jep informacion mbi politikën italiane dhe na përshkruan audiencën e ambasadorit të Skënderbeut në Romë. Skënderbeu quhet në këtë kontekst një “infide” (i pafe) (e thënë ndryshe, Skënderbeu konsiderohet mysliman – A.H.), një e dhënë kjo që u korrigjua nga i njëjti ambasador disa ditë më vonë në një raport të dytë, që e plotësoi të parin.

Për të gjykuar vlerën e burimit, duhet pasur parasysh edhe situata politike e atij momenti: Kostandinopoli kishte rënë disa muaj më parë dhe Papa Nikolla V po përpiqej dëshpërimisht të organizonte rezistencën kundër përparimit osman. Në këtë moment, një ambasador nga Shqipëria kërkon ndihmë dhe thekson se zotëria i tij nuk po lufton për fenë e krishterë, por për “odio privato”. Thjesht, nuk ka arsye pse diplomatët milanezë të kenë sajuar një histori të tillë. Do të kishte qenë shumë më e lehtë që ata të kishin raportuar për një princ ballkanas që po kërkonte ndihmë në një luftë fetare kundër Perandorisë Osmane myslimane, argument ky që do t’u vinte shumë për shtat edhe ideve politike të papës dhe klimës politike në Italinë e asaj kohe. Ambasadorët e Skënderbeut duhet ta kenë kuptuar se pozicioni i tij ishte disi i pavolitshëm, sepse papa sigurisht do të ishte më i gatshëm të mbështeste një princ të krishterë që paraqiste veten si kampion të krishterimit kundër islamit, sesa një fisnik që ishte përfshirë në një konflikt personal me sulltanin dhe ambasadorët e të cilit theksonin se feja nuk luante ndonjë rol në këtë ndeshje. Nuk është për t’u habitur që Skënderbeu ndërroi shumë shpejt strategji dhe u përpoq të sigurojë ndihmë si kampion i një lufte fetare, ide kjo që u zhvillua vite më vonë nga Papa Kaliksi III. Prandaj, mendoj se një analizë e dokumentit dhe e kontekstit të tij shpie në përfundimin se ambasadorët milanezë thjesht kanë raportuar çfarë dëgjuan nga ambasadori i Skënderbeut. Ata s’kishin pse ta ndryshonin parashtrimin e tij që ishte mjaft i informuar edhe për sa i përket strategjisë detare të Mehmetit. Dhe s’është se ata kanë përçuar thashetheme, sepse kanë qenë vetë dëshmitarë të audiencës”. (Oliver Yens Schmitt: Lufta e Skënderbeut, hakmarrje personale”, “Panorama”, e hënë 08 tetor 2012, fq. 18)

Faktet që mësojmë nga dokumenti i lartpërmendur, se në raportin diplomatik të ambasadorëve italianë dërguar Selisë së Shenjtë, Skënderbeun e quajnë “infide” (të pafe) d.m.th. mysliman, sepse çdo jo të krishterë, njerëzit e besimeve të tjera, Selia e Shenjtë i konsideronte të pafe (infide), si edhe fakti se komenti që bën vet Oliver Yens Schmitt, kur pohon se “një ambasador nga Shqipëria kërkon ndihmë dhe thekson se zotëria i tij (d.m.th. Skënderbeu-A.H) nuk po lufton për fenë e krishterë” është një argument autentik dhe tepër bindës që vërteton se lufta e Skënderbeut kundër Sulltanit nuk ka pas asnjë karakter fetar por thjesht patriotik. Ndërsa lidhur me interpretimin e Schmitt-it, se Skënderbeu paska luftuar kundër Sulltanit për “odio privato” për hakmarrje ndaj vrasjes së të atit” (“Odio privato” mund të përkthehet si hakmarrje” – sqaron Schmitt, po aty, fq. 19), e sqarojmë historianin gjerman Schmitt se në konceptin shqiptar mbrojtja e të drejtave dhe e hakut dhe marrja e gjakut për babanë dhe prindërit e vëllezërit etj, nuk është jashtë patriotizmit, por, bile, që këtu fillon patriotizmi. Theksojmë se fjala “atdhe” (term ky, sipas prof. E. Çabej, i krijuar nga F. Konica) në gjuhën shqipe vjen nga fjalët “dheu i atit, i babës, kurse fjala “mëmëdhe” që kanë pas përdorur rilindësit shqiptarë, vjen nga fjala: “dheu i mëmës, i nënës” (“Mëmëdhe quhet toka, ku më ka rënë koka”, – ka shkruar A. Z. Çajupi). Në këtë këndvështrim, theksojmë se atdheu e atdhedashuria fillojnë, së pari, nga babai e nëna, nga shtëpia e lagjja dhe pastaj më gjerë, atdhe quhet e gjithë sipërfaqja e tokës deri në piramidën e kufirit të shtetit amtar. Prandaj, një njëri që nuk lufton për të mbrojtur të drejtat e prindërve të vet, ai kurrsesi nuk mund të mbrojë as atdheun dhe as të tjerët; së pari, njeriu duhet të jetë nacionalist në kuptimin patriot, pastaj internacionalist. Për pasojë, mendimi i Schmitt-it se lufta e Skënderbeut kundër Perandorisë Osmane qenka bërë vetëm për “odio privato” (hakmarrje personale), është tepër subjektiv, alla Schmitt-çe.

Historiani i mirënjohur i ditëve tona, prof. Dr. Kristo Frashëri, në veprën e vet “Skënderbeu, jeta dhe vepra” ka saktësuar se, përderisa Skënderbeu luftoi jo vetëm kundër pushtuesve osmanë, por edhe kundër venedikasve, nuk mund të thuhet që ai luftoi si mbrojtës i krishterimit: “Skënderbeu nuk zhvilloi luftëra pushtuese, nuk shtypi popuj të ndryshëm dhe nuk krijoi perandori botërore. Ai luftoi me tërë pasionin e pafund dhe me tërë gjeninë e jashtëzakonshme për të mbrojtur atdheun e vet dhe në interes të popullit të vet, mbretërinë e lirisë, për të mbrojtur këtë mbretëri jo vetëm nga armiqtë e Lindjes, por edhe nga grabitësit dinakë të Perëndimit”. (Kristo Frashëri, “Skënderbeu”, Tiranë 2002, f. 485).

Në përforcim të mendimit se lufta e Skënderbeut kundër Perandorisë Osmane nuk ka pas karakter fetar për të mbrojtur krishterimin perëndimor dhe se ai nuk ka qenë atlet i Krishtit, siç thonë disa të tjerë, ndihmon edhe pohimi i historianit tjetër të mirënjohur, z. Kasem Biçoku, kur shkruan: “Skënderbeu ka luftuar edhe kundër ushtrive të krishtera, si në vitet 1447-1448 kundër ushtrive veneciane, edhe në vite 1460-1461 kundër trupave të princit të Tarantit në Italinë e Jugut.

Në radhët e ushtrisë shqiptare, përkrah njëri-tjetrit, kanë qenë luftëtarët e besimit të krishterë, katolikë e ortodoksë, por edhe të besimit mysliman, siç ka qenë vetë Skënderbeu dhe nipi i tij, Hamzai … Skënderbeu dhe Hamzai kanë pasur deri në fund të jetës emra myslimanë”. (Kasem Biçoku, në “Tema”, 2 mars 2005, f. 9).

Pra, argumentet flasin qartë se Skënderbeu ka qenë vetëm “atlet” i atdheut të vet. Por këtu, natyrshëm, lind një pyetje: “Ku e mësoi ai këtë politikë dhe harmoni ndërfetare?”

Përgjigja e kësaj pyetje, për mendimin tonë, është vetëm kjo: “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, vetëm pasi u bë Skënderbej, d.m.th. vetëm pasi u njoh me parimet e fesë islame, me Kuranin e shenjtë të myslimanëve dhe pasi e pranoi atë si fe të vetën, kur u njoh me ajete të tilla kuranore si ato ku theksohet ruajtja e identitetit personal e kombëtar, mbrojtja e lirive dhe e të drejtave të njeriut, jo vetëm si individ, por edhe si komb, si etni, pra të drejtat nacionale të kombeve e kombësive, në përgjithësi, dhe “nuk ka imponim në fe”, “ndalohet konvertimi në fe i tjetrit me dhunë”, atëherë atij iu zgjua ndjenja kombëtare dhe iu shtua më shumë ndjenja e mallit dhe e dashurisë për atdheun e vet, dhe në momentin e përshtatshëm, kur iu krijuan kushtet për t’u kthyer në atdhe, në kohën e luftës së Sulltanit me J. Huniadin e Hungarisë, në nëntor të vitit 1443, Skënderbeu braktisi të gjithë titujt, ofiqet e nderet që gëzonte në oborrin e Sulltanit, ku ishte një nga gjeneralët më të lavdishëm të Perandorisë osmane dhe erdhi në Shqipëri. Së pari, erdhi në Dibrën e vet, i pritur krahëhapur, prej nga ku bashkë me dibranët çliroi Krujën më 28 nëntor 1443 dhe më pas, më 2 mars 1444, organizoi e drejtoi Kuvendin e Lezhës, nga ku me Besëlidhjen e Lezhës krijoi dhe sanksionoi shtetin e parë kombëtar shqiptar, duke i bashkuar të gjithë principatat shqiptare në një shtet kombëtar. Me këtë akt, Skënderbeu, vuri në praktikë (urdhrat) ajetet kuranore të tilla që udhëzojnë për çlirimin e vendit, krijimin e shtetit dhe ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar, si individ dhe si komb. Përndryshe, lind pyetja: “Atëherë, përse nuk e krijuan më parë shtetin shqiptar, ashtu siç bëri Skënderbeu në Kuvendin e Lezhës, asnjëri prej feudalëve shqiptarë të krishterë, bashkëkohës të Skënderbeut, siç ishin Aranitët, Balshajt, Dukagjinët, Muzakajt, Topiajt, Zahariajt, etj., të cilët jo vetëm ishin shumë më të pasur e më të fortë ekonomikisht sesa Skënderbeu e Kastriotët në atë kohë, por ata ishin dhe të lirë këtu, në Shqipëri, secili në pronën e në principatën e vet?!

Përgjigjja e kësaj pyetjeje retorike, dihet. Asnjëri prej princave shqiptarë të lartpërmendur të krishterë, as nuk e kishin konceptin e kombit shqiptar, por ata ishin të përçarë e të indoktrinuar nga ideja e globalizmit të krishterë dhe viktimë e politikës së Romës së vjetër “Përça dhe sundo!” Ato nuk e njihnin fare përmbajtjen e fesë islame e të Kuranit, për të cilën, rilindësi i madh shqiptar, i krishteri, Anton Zako Çajupi, ka përcaktuar: “Ideja myslimane ishte e begatshme, intuitive, spirituale. (“Baba Tomorri”, Alis A. Z. Çajupi, “Rolet e besimeve fetare në Ballkan” (gazeta “Ballkani”, dt. 1 mars 2007, f. 17).

Përgjigjja më e mirë për të gjithë ata që kërkojnë të interpretojnë dhe t’i ndryshojnë karakterin atdhetar të luftës së Skënderbeut është konkluzioni shkencor i prof. Dr. Kristo Frashërit, i cili, në veprën e tij, përcakton: “Lufta çlirimtare, një çerekshekullore me fitoret e saj të mahnitshme, e ndryshme prej kryengritjeve të mëparshme, është një nga veprat historike të Skënderbeut.

Vepra e dytë historike, madje më e madhja për nga vlera historike, është krijimi i shtetit me karakter kombëtar dhe jo partikularist.

Vepra e tretë historike është, pa dyshim, kthimi i Shqipërisë në një gardh që pengoi kalimin e ushtrive osmane në Gadishullin Italik, duke mbrojtur qytetërimin europiano-perëndimor”. (K. Frashëri, “Skënderbeu, jeta dhe vepra”, Tiranë 2002, f. 481, 482, 483).

Pikërisht për këto dhe shumë arsye të tjera, dy senatorët amerikanë, që iu drejtuan kongresit për një rezolutë në Kongres për Skënderbeun, e mbyllin kërkesën e tyre më këtë thirrje: “Të ftojmë qeverinë e SHBA-ve që, në bashkëpunim me partnerë evropianë, ta përshpejtojnë integrimin e Shqipërisë dhe të Kosovës së lirë në Bashkimin Evropian, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e madh dhe sakrificën e bërë nga Gjergj Kastrioti dhe populli shqiptar për shpëtimin e Evropës Perëndimore nga pushtimi osman”. (citimi sipas gazetës “tema”, datë 4 nëntor 2005, f. 9).

Sa aktual dhe i dobishëm është Skënderbeu për atdheun tonë, edhe tani, 545 vite pas vdekjes së tij!

Në këtë aspekt flet mjaft qartë intervista e ish-ambasadorit amerikan të SHBA-së në Shqipëri, z. Withers botuar në gazetën “Sot”, datë 19 janar 2012, f. 2, kur flet për zhvillimet politike aktuale në Shqipëri:

“… Shqipëria ka një nga shembujt më të mëdhenj të udhëheqjes me gjithë historinë, që është Skënderbeu. Mjafton t’i hedhës një sy modelit që ai ka lënë, pasi ai ishte një udhëheqës që solli bashkimin në Besëlidhjen e Lezhës, në vitin 1444. Ai i bashkoi të gjithë palët rivale për interesa kombëtare. Udhëheqësit e sotëm nuk janë bashkues, janë përçarës. Shqipërisë i duhet një Skënderbe sot, më shumë se kurrë ndonjëherë më parë. Por në Shqipërinë e sotme, nuk ka Skënderbe dhe mua më vjen keq për një gjë të tillë”.

* Kryetar i Shoqatës etnokulturore “Çidhna dhe Kastriotët”

Categories
Analiza

Valter Memisha, vrojtues i hollë i fjalës shqipe

Nga Petrit Malushi

Prof. Dr. Valter Memisha, aktualisht drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, në Tiranë, në hullinë e hapur prej tij, vazhdon të japë për lexuesit shqiptarë të fushave e niveleve të ndryshme, që nga më të thjeshtat e deri tek ato akademike, punime e vepra serioze. Përqendrimi i tij është bërë kryesisht në studime të mirëfillta për gjuhësinë shqiptare dhe fjalën shqipe. Një prej tyre, dalë nga botimi kohët e fundit, është titulluar “Studime për fjalën shqipe”, me përmbledhje artikujsh, për të cilin si recensues janë dy emra të njohur të gjuhësisë shqipe, Prof. Dr. Agron Duro e Prof. Dr. Thanas Feka. Kur arrin në faqen e fundit të këtij vëllimi, duket sikur nuk i shpëton dot tundimit për t’u shprehur rreth vlerave që ai mbart, më i pakti kontribut ky për djersën e derdhur dhe mundin e shumë viteve punë nga studiuesi e gjuhëtari Memisha. Materiali që shtrihet në 303 faqe është i renditur në katër kapituj. Nga faqja 9 deri në 138, në kapitullin e parë “Studime semantike për fjalën shqipe”, janë sistemuar 12 temat: Dukuri të polisinonimisë te foljet e prejardhura në shqip, Mbiemrat prejpjesore në “Fjalorin e gjuhës shqipe” të K. Kristoforidhit, Rreth mbiemrave prejpjesorë në shqipe dhe në greqishte, Rreth normës leksikore, semantike e morfologjike të mbiemrave prejpjesorë në shqipe, Rreth emërtimeve të kafshëve në Labëri, Paradigma të veçanta fjalëformuese në leksikun dialektor të shqipes, Emrat me parashtesën mos- në shqipen standard, Rreth shndërrimit të togfjalëshit të lirë në njësi frazeologjike në shqipe, Martin Camaj dhe leksiku i munguar, Rreth intelektualizmit të leksikut të shqipes, Leksiku i shqipes standarde dhe sfidat e shekullit të ri, Rreth hapësirave huazuese të shqipes sot në nën sistemin leksiko-semantik. Kapitulli i dytë “Fjala dhe fjalori” mbush faqet 141 deri 207 me 6 temat: Rreth vargut folje-emër veprimi – mbiemër prejpjesor në fjalorët shpjegues të shqipes, Termat togfjalësha në fjalorët shpjegues të shqipes, Rreth fjalorëve shqip-greqisht dhe greqisht-shqip, Rreth sistemit emëror në Fjalorin e gjuhës shqipe të M. Elezit, Për një fjalor të vogël të shqipes standard, Rreth një fjalori shkurtesash në gjuhën shqipe. Gjashtë tema ka edhe kapitulli i tretë “Shqipja dhe për shqipen” në faqet 211-269, që janë: Vështrim për të folmen e trevës së Tepelenës, A.Z. Çajupi dhe pesha e fjalës së vendlindjes, Paradigma e shqipes te “Valët e detit” të Spiro Dines, Veçori të shenjimit gjuhësor urban në veprën e Musine Kokalarit, Dukuri gjuhësore të këngës lirike matjane, Disa përvijime për “Fillime të Gramatikës shqipe për shkollat përmetare” të Iljas Jahja Përmetit. Në kapitullin e fundit “Personalitete, vepra”, faqet 273 – 303, zënë vend 5 temat : J. Bulo për gjuhën dhe gjuha e J. Bulos (Duke lexuar “Magjia dhe magjistarët e fjalës”), Vëzhgime për leksikun në veprën e I. Kadaresë (Duke lexuar “Kadareja dhe fjala shqipe të Gj. Shkurtaj dhe të T. Caushit), Akademik Shaban Demiraj për etnogjenezën e shqiptarëve përmes onomastikës dhe toponomastikës (Kundrime për qarkun e Vlorës), Ndihmesa e prof. Jani Thomai për kuptimin dhe lëvizjen kuptimore, Akademik Jani Thomai dhe leksikografia shqipe në shek. XXI. Fjalës, peshën dhe vendin e vet Studimet e Prof. Dr. Valter Memisha, të përzgjedhura për në këtë botim, flasin për një punë shumë të kujdesshme, këmbëngulëse , voluminoze, të pashtershme, të shtrira si në rrafshin horizontal edhe në thellësi të fjalës shqipe, të funksioneve, të sistemeve, të konteksteve gramatikore e sintaksore të saj. Duket se fjala shqipe, e çdo treve shqiptare, e çdo autori apo e çdo folësi të thjeshtë, ndihet e privilegjuar kur bie në syrin, veshin dhe dorën e Prof. Dr. Memishës. Ai, si bletët punëtore, pa u lodhur, pa u mërzitur, madje me endje e shumë kënaqësi, i merr ato me përkujdesje, mbush hojet, “i mjaltëzon” nëpërmjet analizave të hollësishme, duke u lënë e vendosur çfarë kanë të domosdoshme dhe duke u hequr ç’kanë të panevojshme, i struktururon e ristrukturon në formë e kuptim në raport me gjuhën standarde, u jep peshën dhe vendin e vet. E për këtë ai kalon nëpër duar faqe të tëra librash shkencore e artistike, punimesh e kumtesash, dëgjon këngë lirike, biseda , ligjërime, urime, mallkime, pa treguar mospërfillje në asnjë rast. Vetëm pas kësaj Prof. Dr. Memisha ndihet i qetë, pasi për të fjala shqipe duhet të vihet ashtu siç i takon në shërbim të çdo shqipfolësi, lexuesve të thjeshtë e të kualifikuar, studentëve, nxënësve, mësuesve, pedagogëve, akademikëve, gjuhëtarëve e studiuesve. Valter Memisha, falë përvojës së grumbulluar nëpërmjet kontakteve në terren, në nivele të ndryshme arsimore parauniversitare e universitare, punimeve shkencore, gradave e titujve të fituar, vendosmërisë, ka kapacitete të tilla që i japin siguri për të ndërmarrë studime prirëse në rrafshe të veçanta, apo edhe të guxojë të plotësojë me argumente nga këndvështrime të reja, ku të tjerët nuk kanë depërtuar dot para tij. Ai është konkret e bindës, po aq sa i thellë, i thjeshtë e i kuptueshëm në paraqitjen e argumenteve dhe materialeve, respekton punën e të tjerëve dhe nuk absolutizon për të ardhmen. Studime semantike për fjalën shqipe “Duhet të pohohet se klasa e foljeve është nga më të studiuarat në shkencën tonë gjuhësore… Arritje të rëndësishme janë shënuar në studimin e rrafshit semantik. Por kjo nuk do të thotë se në këtë kah çdo gjë është e mbyllur dhe nuk ka më hapësira për sipërmarrje studimore të mëtejshme”,- shprehet i sinqertë Memisha, që në faqen e parë tek “Dukuria e polisinonimisë te foljet e prejardhura në shqipe”. Duke u futur në analiza shkencore, më tej në këtë temë, ai merret me fenomenet që dalin te klasa e foljeve dhe shkruan: “… foljet e shqipes, si dhe fjalët e klasat e tjera , ndahen në dy grupe të mëdha: folje njëkuptimëshe e shumëkuptimëshe… marrëdhënia kuptim/sinonim te foljet shumëkuptimëshe shfaqet mbizotëruese”. Ilustrimin e këtij konstatimi autori e bën me folje të ndryshme, ndër të cilat për foljen punoj liston 20 kuptime e 22 sinonime dhe për foljen qëndroj 18 kuptime e 14 sinonime. “Interesante dhe me dukuri të larmishme del vija e lëvizjes kuptimore gjatë krijimit të makrosistemeve kuptimore të foljeve dhe shfaqja sinonimike, e vargjeve a e grupeve sinonimike tek ato”, – vëren autori për klasën e foljeve, duke trajtuar më poshtë hollësisht rrugët e fjalëformimit të tyre: parashtesor, prapashtesor, parashtesor e prapashtesor njëherësh, apo kalimet nga klasat e emrave, mbiemrave, ndajfoljet e brenda vetë kësaj klase. Por sipas Memishës: “… polisemia te foljet e prejardhura është një dukuri semantike shumëpërmasore, me dukuri që lidhen me kuptimin dhe me lëvizjen kuptimore dhe kërkon shqyrtime më të plota dhe të thelluara…” Tek “Mbiemrat prejpjesorë në “Fjalorin e Gjuhës Shqipe” të K. Kristoforidhit, autori ka vërejtur se prej Kristoforidhit brenda këtij fjalori në mbiemrat është përfshirë edhe grupi paradigmatik prejpjesorë me rreth 400 njësi, ku 220 janë të mirëfilltë dhe 180 të emërzuar. Me interes për lexuesin është fakti që autori i ditëve tona liston dukuri të përmbajtjes së mbiemrave sipas përmbajtjes, kuptimit vepror, shpjegimet e mbiemrave me perifrazim, sinonimi, antonimi a dukuri të tjera jo vetëm brenda shqipes, por edhe në kalimet shqip – greqisht. Ndërkohë, te dukuritë strukturore studiuesi është fokusuar mbi anën morfologjike të mbiemrave. Me mbiemrat prejpjesorë Memisha merret edhe në vijim te “Rreth mbiemrave prejpjesorë në shqipe dhe në greqishte”, ku pohon se në këtë punim të shkurtër është bërë objekt studimi grupi paradigmatik i mbiemrave prejpjesorë, të cilët, në secilën nga të dy gjuhët, shfaqen deri diku me veçanti leksikore e semantike dhe, së shumti, me veçanti morfologjike. “Formimi i tyre (mbiemrave prejpjesorë) në gjuhën shqipe, në thelb është një proces dyshkallësh: folje (pjesore)- mbiemër… Në greqishte procesi është më i tejdukshëm … Procesi i fjalëformimit këtu është trishkallësh: folje-pjesore-mbiemër”, është një nga pohimet e mëposhtme të këtij studiuesi, që vështrimin në këtë plan e ka hedhur edhe te gjuhët anglisht, italisht e rusisht. “Në greqishte, – bën një tjetër dallim Memisha,- kemi një zgjidhje leksikografike të kushtëzuar nga tradita. Ndryshe ndodh në shqipe. Mbiemërzimi i pjesores është një rrugë shumë prodhimtare për pasurimin e klasës së mbiemrave”. Te ky vëllim, autori mbiemrave prejpjesorë u ka kushtuar edhe punimin: ”Rreth normës leksikore, semantike e morfologjike të mbiemrave prejpjesorë në gjuhën shqipe”. Qëndrimi i tij në rreshtat e këtij shkrimi është sa mbështetës për pasurimin e gjuhës shqipe, po aq edhe kritik për krijimin e fjalëve të reja, kur shkelen rregullat gramatikore apo për disa huazime krejtësisht të panevojshme. “Formalisht, me ndihmesën e nyjës së përparme, çdo pjesore kthehet në një mbiemër dhe sot, veçan në ligjërimet shkrimore, vërehet lehtësisht përdorimi i mbiemrave të tillë dhe, ç’është më interesante, vërehet një prirje e skajshme për formimin e tyre. Jo rrallë, sidomos në publicistikë e në përkthime, ndeshesh me formime mbiemrash që nuk ndjekin asnjë ligjësi morfologjike a semantike. Mbiemërzimi shumë shpesh ka karakter rastësor, të paqëndrueshëm dhe mundësitë e krijimit të tyre kapërcejnë shpesh edhe përtej rregullsive paradigmatike (semantike etj.) të fjalëformimit “(f. 41). “Në ligjërimet e shkruara, vihet re se shumë kuptime të foljeve po pasurojnë strukturën kuptimore të mbiemrave prejpjesorë. Procesi i krijimit të mbiemrave prejpjesorë është i hapur. Ata shfaqen me përdorim atributiv e predikativ” (f. 42-43). Në përfundim të këtij punimi gjuhëtari Memisha vëren “… se po formohen shumë mbiemra prejpjesorë a po zgjerohen kufijtë e strukturave kuptimore të tyre, sidomos në ligjërimet e shkruara, nganjëherë në kundërshtim me ligjet e normën leksikore, semantike e fjalëformuese të shqipes” (f. 46). Një punim sa origjinal po aq edhe interesant në këtë kapitull është “Rreth emërtimeve të kafshëve në Labëri”, që mbart mesazhin se, është populli i thjeshtë ai që e ruan dhe e pasuron gjuhën, është ai që i pranon, u jep jetë ose i injoron fjalëformimet e reja me brumin e vetë shqipes, apo të huazuara nga gjuhë të tjera. E për këtë autori shprehet: ”Bariu lab, i ndodhur në më të shumtën e kohës në gjirin e natyrës e në krye të tufës, shfaqet si vëzhgues e si dallues i hollë i ngjyrave e i nuancave të tyre, i shenjave në trupin e këtyre kafshëve, i ndërthurjes dhe i shpërndarjes së këtyre shenjave, duke krijuar me rrugë e me mjete të larmishme gjuhësore e nga më prodhimtaret emërtime të shumëllojshme”. Merita më e madhe e Memishës në këtë rast është në faktin tjetër që për çdo fjalë, togfalësh, njësi frazeologjike, kur ndeshet apo është në kërkim, nuk qëndron indiferent, ndërsa duhet pranuar se të grumbullosh 8000 njësi leksikore e frazeologjike të natyrës blegtorale, kontaktet me terrenin blegtoral duhet t’i kesh të shpeshta, gjë që vështirë se dikush tjetër mund të sakrifikojë në këtë drejtim. Ai edhe një njësie gjuhësore, që gjatë ligjërimit të përditshëm është më se e zakonshme, arrin t’i japë vlerat reale në kontekstet gjuhësore, historike e shoqërore. “Ka emërtime që motivohen nga njëngjyrësia e trupit të kafshës nga ndërthurja e ngjyrave në të gjithë trupin, mbi një shenjë në ballë, etj. Në gojën e barinjve dhe të popullsisë së lidhur me jetën baritore gjallojnë emërtime që dalin me përdorime dyshe: si fjalë të përbëra dykryegjymtyrëshe, por me tri ose katër tema fjalëformuese dhe motivuese, si emërtime të pathjeshta etj”,- vëren në analizën e tij Prof. Dr. Valter Memisha. Në materialin e sistemuar në faqet pasardhëse trajtrohet “Paradigma të veçanta fjalëformuese në leksikun dialektor”. Ndër të tjera, autori shprehet: “Pasuria leksikore ndahet në dy grupe të mëdha paradigmatike: në emërtime të mirëfillta fjalë dhe në njësi frazeologjike. Njësitë frazeologjike vetëm sa motivohen nga togfjalësha të lirë por që kanë në përbërje një emërtim që lidhet me kafshët… Grupin e dytë, më të madhin dhe kryesorin, e përbëjnë emërtimet e mirëfillta për kafshët… Te këto emërtime, si pjesë e leksikut dialektor, dallojmë tre tipa gjuhësorë: tipin leksikor, tipin fjalëformues dhe tipin fonetik..” (f. 61-62). Ilustrimi i pohimeve të mësipërme bëhet me një numër të konsiderueshëm shembujsh. Nga klasa e emrave në këtë botim, drejtori i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë , ka përzgjedhur “Emrat me parashtesën mos- në shqipen standarde”. “Një grup paradigmatik, i hapur dhe me mundësi shumë të mëdha pasurimi, është edhe ai i emrave me kuptim mohor të formuar me parashtesën mos-,… Në shqipen standard parashtesa mos-, me origjinë nga pjesëza mohuese mos-, shërben për formimin e emrave, të mbiemrave, të përemrave dhe të ndajfoljeve me kuptim mohues a të kundërt”,- e fillon këtë punim autori

Gjatë analizës më tej shkruhet “Grupin paradigmatik të emrave të formuar me parashtesën mos- e përshkojnë dy linja kryesore. Linjat që lidhen me madhësitë themelore që marrin pjesë në fjalëformim, pra linja trigjymtyrëshe ndajshtesë-temëfjalëformuese-njësi emërore dhe linja që lidhet me rrafshin semantik, me semantemat dhe me ndryshimet kuptimore që sjell formati fjalëformues”. Vëmendjen e prof. dr. Memishës e ka tërhequr edhe shndërrimi i togfjalëshit të lirë në njësi frazeologjike në shqipe. Rreth këtij fenomeni ai shprehet: ”Pranohet se, përgjithësisht, njësitë frazeologjike janë formuar nga shndërrimi i figurshëm i shkallëshkallshëm i togfjalëshave të lirë. Një çështje e cekur në punime të ndryshme, por e patrajtuar gjerësisht, është ajo e mjeteve që realizojnë shndërrimin e figurshëm, një proces ky shumëplanësh dhe i ndërlikuar. Ne po ndalemi te krahasimi, metafora, metonimia, sinekdoka dhe hiperbola, duke iu drejtuar, kështu motivimit semantik dhe shkallës së këtij motivimi”. “Martin Camaj është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë shqiptare dhe autori më me peshë në diasporën shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore”,- e ka nisur kumtesën “Martin Camaj dhe leksiku i munguar”, autori i librit “Studime për fjalën shqipe. Sipas këtij autori, leksiku i Camajt përfshin njësi të njohura, pak të njohura a të panjohura dhe mund të kundrohet nga disa prerje, ndërkohë që fjalori i veprës së tij përbëhet nga dy grupe të mëdha njësish: nga grupi i njësive nga leksiku i gjuhës amtare dhe nga grupi i njësive të krijuara nga vetë Camaj. “Në prozën e M. Camajt, ndër të tjera, merr jetë jo vetëm fjala shqipe e ajo gege, por edhe shumë fjalë të reja, të krijuara prej tij, sipas gjedheve të shqipe, që përbëjnë një pasurim horizontal të fjalorit mbarëkombëtar”,- është një prej dhjetëra mendimeve e shembujve të tij, të shprehur për këtë gjeni të letërsisë moderne shqipe, gjatë ligjërimit të kësaj kumtese, pa mundur dot që në një shkrim të këtyre përmasave të përfshijmë më tepër nga materiali i servirur. Po edhe kaq mendojmë se është e mjaftueshme për të joshur lexuesin mbarëshqiptar që të mos humbasë rastin për të marrë në dorë librin e autorit Memisha, ku vlerësimet dhe ilustrimet për Camajn janë ndër më të mrekullueshmet. Për një gjuhëtar të niveleve sipërore siç është Prof. Dr. Valter Memisha, çdo dukuri që mund të ndodhë me gjuhën shqipe nuk mund të kalohet pa u vënë re. E në këtë kontekst, një prej punimeve të tij ka qenë “Rreth intelektualizmit të gjuhës shqipe”, në fokus të së cilit janë dukuritë e pas viteve ’90 të shekullit të kaluar e në vazhdim. “Intelektualizmi leksikor, ka qenë një proces i pandalshëm dhe i natyrshëm gjatë gjithë zhvillimit historik të gjuhës sonë. Për këta 20 vjetët e fundit është pohuar, jo njëherë se gjuha jonë amtare ka qenë dhe është përpara sfidash të mëdha… Që modernizimi dhe intelektualizmi i leksikut të shqipes ka qenë dhe është një proces në rritje të vazhdueshme, vërehet lehtësisht në fjalorët e ndryshëm , njëgjuhësh e dygjuhësh”,- argumenton ky autor, duke shtjelluar e analizuar më tej një material të konsiderueshëm, në mbështetje të temës, prej të cilit po sjellim edhe një fjali nga paragrafi përmbyllës “Intelektualizmi si proces përfshirës duhet të na ndihmojë që të pengojmë a të ndalojmë ngritjen e fjalorit të rrugës në mjet shprehjeje”. Thuajse në të njëjtën linjë, Memisha qëndron edhe në dy kumtesat pasuese “Leksiku i shqipes standard dhe sfidat në shekullin e ri” dhe ”Rreth hapësirave huazuese të shqipes sot në nënsistemin leksiko-semantik”. Për më tepër këtu i mëshon faktit “Gjuha është sistem dhe proces, çka do të thotë në mënyrë të natyrshme dhe të padiskutueshme që edhe standardi jo vetëm është varietet i kodifikuar, por edhe i hapur për zhvillime të ndryshme. Standardi është normëzim, është kodifikim, është rregullim i ndërgjegjshëm… Procesi i hapjes ka sjellë në të gjitha ligjërimet e shqipes ardhjen e shumë fjalëve të panevojshme, që jo vetëm kanë zvogëluar vlerat e fjalës shqipe, por që kanë çuar edhe në një shpërfillje ndaj kësaj fjale” (f. 126,134). Fjala dhe fjalori. Studimin “Rreth vargut folje – emër veprimi – mbiemër prejpjesor në fjalorët e shpjegues të shqipes”, që përfshihet në pjesën e dytë të botimit, Memisha e ka përfunduar pasi ka kaluar nëpër duar FGjSH 1954, FGjSSh 1980 dhe FSHS 1984/2002. Opinionet rreth kësaj dukurie, për secilin fjalor,apo të veçantat dhe të përbashkëtat midis tyre, ai i shpreh qartë. “Në FGjSh 1954 gjenden 3585 vargje, nga të cilat: folje –emër veprimi –mbiemër përpjesor 173, folje – emër veprimi 938, folje 2167, folje-mbiemër prejpjesor 202, emër veprimi-mbiemër prejpjesor 1, emër veprimi 41, mbiemër prejpjesor 63”,- ndërkohë që evidentime të tilla e analiza fjalëformimi janë bërë edhe për dy fjalorët e tjerë. Një moment tjetër përkushtimi i këtij autori për fjalën shqipe duket edhe në: “Termat togfjalësha në fjalorët shpjegues të shqipes”, te të cilët ai është përqendruar në: sasinë e termave togfjalësh, cilët terma do të kenë përparësi, kufiri i togfjalëshit terminologjik, karakterin e lidhjeve të përbërësve të termave togfjalësh, emërtimet e pathjeshta e termat e pathjeshtë, vështrimi i tyre në rrafshin strukturor”, e më tej. Ndryshimet, në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të kaluar dhe dhjetë vitet e para të shekullit të ri e në vazhdim, brenda vendit tonë e përtej kufijve shtetërorë, kanë qenë shumëplanëshe, pa lënë kurrë jashtë aspektin gjuhësor. Prof. Dr. Valter Memisha këtë fenomen e ka rrokur dhe e ka shtjelluar në rreshtat e kumtesës “Rreth fjalorëve shqip – greqisht dhe greqisht-shqip”. Trajtesa është e gjerë që nga kushtet historike të bashkëjetesës së dy vendeve, imponuese edhe për bashkëjetesën e dy gjuhëve, lëvizjet e njerëzve që shoqërohen edhe me mbartjet e fjalëve, hartimi dhe përdorimi i fjalorëve që më herët e tani në kohët moderne, kushtet e hartimit të tyre, formimi arsimor e gjuhësor i hartuesve, qëllimet dhe faktorët e hartimit, niveli gjuhësor në raport me gjuhën standarde, analiza të fjalëve dhe shprehjeve në sistemet e paradigmat gjuhësore. “Fondi i fjalorëve dygjuhësh greqisht-shqip dhe shqip-greqisht përfshin edhe fjalorë të tjerë të botuar nga dashamirë të njërës apo tjetrës gjuhë, sidomos fjalorë me një numër të vogël fjalësh, fjalorë shprehjesh të etnokulturës… Shumë prej tyre janë punë që nuk kanë asgjë të përbashkët me një vepër leksikografike të mirëfilltë. Për të mënjanuar përdorimin e tyre që së shumti sjell pasoja negative, lind si e domosdoshme që të organizohet dhe të institucionalizohet hartimi dhe botimi i fjalorëve të vegjël praktikë, i fjalorëve shkollorë dhe i fjalorëve të tipit të mesëm. Qarqet akademike dhe universitare duhet ta kenë përparësi edhe këtë objektiv”,- konkludon Memisha. Problemet që lindin me fjalët në fjalorët, ky gjuhëtar i shtjellon dhe te: “Rreth sistemit emëror në fjalorin e gjuhës shqipe të M. Elezit”, “Për një fjalor të vogël të shqipes standarde” dhe “Rreth një fjalori shkurtesash në gjuhën shqipe”. “Fjalori i M. Elezit ka veçoritë e veta, me prurje dhe me mangësi. Ai, tashmë ka ardhur te ne”,- shkruan në një paragraf studiuesi, ndërsa për temën e dytë vëren se mungojnë ende disa tipa fjalorësh për shqipen , si një fjalor i madh i shqipes standard e një fjalor “thesaurus”, që do të pasqyronin sa më gjerë pasurinë tonë leksikore, frazeologjike e semantike. Shqipja dhe për shqipen Kapitullin e tretë “Shqipja dhe për shqipen” autori e ka filluar me kumtesën “Vështrim për të folmet e trevës së Tepelenës”. Në faqet e kësaj kumtese zënë vend faktet se e folmja e Tepelenës vështruar nga rrafshi i varianteve gjuhësore gjeografike, përfshihet në dialektin e toskërishtes jugore, pasi lumi i Vjosës merret si kufi ndarës i toskërishtes veriore dhe jugore, ndërsa edhe toskërishtja jugore del me dy degëzime të mëdha: me labërishten dhe çamërishten. Ndër veçoritë e të folmes së Tepelenës, autori përmend: zanorja a e theksuar në Kurvelesh del shpesh ë; asimilimi i grupeve të bashkëtingëlloreve mb, nd, ngj, përkatësisht në m,n,nj; shurdhimi i bashkëtingëlloreve të zëshme , sidomos në fund të fjalës; kontraktimi i zanoreve etj. “E folmja e Tepelenës,- pohon pas listimit të një numri të konsiderueshëm argumentesh Memisha,- ka peshën dhe vendin e vet në formimin e gjuhës letrare te njësuar. Ajo ka edhe tipare të dialektit jugor në të gjitha nënsistemet dhe me lëndën gjuhësore të përbashkët dhe atë që ka marrë prej të dy të dy dialekteve, ka formuar sistemin e vet mbidialektor, me normë të njëjtë për të gjithë”. “A. Z. Çajupi dhe pesha e fjalës së vendlindjes”, është një tjetër studim i përfshirë në pjesën e tretë të këtij botimi, rreshtat e të cilit, të mbushur me shembujt e përzgjedhur, sjellin para syve të lexuesit perlat e zagoritit dhe admirimin e mirënjohjen e autorit për punën e paqme gjuhësore që Çajupi ka bërë. Ja një fragment: “Ai e mori brumin gjuhësor të vendlindjes, e përdori mjeshtërisht, e pasuroi me fjalë e shprehje, me lidhje të reja nga më mbresëlënëset, e pasuroi me nuanca kuptimore e risemantizoi një pjesë të madhe të leksikut, e luftoi fjalën e huaj deri në habi, duke e ngritur gjuhën amë në ato lartësi që vetëm Naim Frashëri e kishte bërë para tij”. “Paradigma e shqipes te “Valët e Detit” të Spiro Dines”, është një tjetër punim që ka tërhequr vëmendjen e prof. dr. Valter Memishës. Edhe këtu ashtu si te punimi për Çajupin, ai është ndalur për prurjet disapërmasore të Dines. “Pardigma e shqipes si vlerë kombëtare,-shkruan Memisha,- zbulohet në poezitë kushtuar rilindësve a mëmëdhetarëve, vjershat kushtuar albanologëve të huaj, poezitë me temë patriotike, ato që lidhen me marrëdhëniet me grekët e qreqishten, ajo shfaqet përciptazi edhe në onomastikë e konkretisht në fushën e emrave vetjakë të shqiptarëve”. “Të gjithë rrafshet gjuhësore në veprën e M. Kokalarit markojnë, shenjojnë, mbartin mesazhe shumëkahëshe, e , njëherazi, diferencojnë mjedisin qytetës gjirokastrit”,- shkruhet në faqen 241 të botimit, nën temën “Veçori të shenjimit gjuhësor urban në veprën e Musine Kokalarit”, materiali i së cilës shtrihet në 14 faqe. Analiza në këtë rast është e orientuar në mjetet gjuhësore të së folmes gjirokastrite si nënvariant i variantit dialektor jugor, përveçimi i ligjërimit artistik, regjistrat mbresëlënës të komunikimit, sjelljen e jetës urbane si copëza mozaiku, dukuritë karakteristike për të folmen e qytetit të Gjirokastrës në rrafshin morfologjik, ndërtimet e paradigmave të zgjedhimit dhe të lakimit, fjalët dialektore, frazeologjia, rrafshi sintaksor, etj. Por për një gjuhëtar të kompletuar, objekt studimi nuk janë vetëm veprat, qofshin këto letrare, shkencore, apo krijime të trevës së tij. Kështu ka ndodhur edhe me Memishën që, edhe pse lindur në mjedisin tepelenas, tërhiqet e shfleton me shumë ëndje krijimtarinë e autorëve verorë e kosovarë, apo lirikën popullore si te “Dukuri gjuhësore të këngës lirike matjane”. “Që në krye e pohojmë ,- shkruan autori,- se në lirikën popullore matjane, si në mbarë lirikën popullore shqiptare , ndeshim një fjalor të zgjedhur”, e më tej shton: “Po japim shkurt pasurinë gjuhësore përmes figurshmërisë, ku vërejmë se shpesh ka jo vetëm përdorime, por edhe kuptime të figurshme të fjalës”. Fragmentet e këngëve të sjella para lexuesit për ilustrim shoqërohen edhe me ndërthurjen e figurave letrare si: krahasimi, epiteti metaforik, metafora, simboli, shqyrtimet gjuhësore në rrafshin fonemor e morfemor, fjalësor e fjalëformues, sintaksor e tekstor. “Disa përvijime për “Fillime të gramatikës për shkollat përmetare” të Ilias Jahja Përmetit” , është punimi që mbyll pjesën e tretë të këtij botimi. “Fondi i traditës i gjuhës shqipe,- shprehet Memisha që në fillim,-ngërthen një numër jo të vogël gramatikash , të hartuara nga autorë shqiptarë dhe të huaj, në Shqipëri e jashtë hapësirave të saj. Në këtë fond gjendet dhe kjo gramatikë, për të cilën po ndalemi, duke paraqitur në vija të përgjithshme vlerat e mangësitë që ajo mbart”. Dhe më poshtë. duke qëndruar në këtë pozicion, ai pasi jep konsiderata për rëndësinë, trajtimin e dukurive gjuhësore dhe qëllimin e veprës së Ilias Jahja Përmetit në kohën e botimit, e tani si pjesë e fondit, ndalet në elemente të sistemit gramatikor e sintaksor të këtij materiali në raport me shqipen e sotme standarde. Sipas studiuesit, pjesën më vëllimore, më të plotë e më të arrirë në Gramatikën e I. Përmetit e zë ajo që merret me morfologjinë . Punimi përmbyllet me një tabelë të gjatë dykolonëshe terminologjike, të pranëvëna; ato të qëmtuara prej Gramatikës së I. Përmetit dhe gjuhës së sotme standarde, në krye të së cilës Memisha shkruan: “Për të dhënë të plota vlerat e gramatikës, si dhe për të lehtësuar sado pak punën e një përdoruesi a studiuesi të saj , po japim terminologjinë e përdorur në të ,duke përqasur në atë bashkëkohore”. Personalitete, vepra “Personalitete, vepra”, pjesa e katërt e botimit të Prof. Dr. Valter Memishës, mbart shkrime analitike për vepra të botuara nga personalitete të gjuhës shqipe, apo punime të tyre për fjalën shqipe. “Jorgo Bulo, me të drejtë ndan shqetësimin se shqipja sot kërcënohet seriozisht nga ardhja e panevojshme e shumë fjalëve të huaja, e idiomave gjoja kulturore e deri te ndërtimet e panevojshme sintaksore prej gjuhëve perëndimore, – mbështet autori te “Jorgo Bulo për gjuhën dhe gjuha e Jorgo Bulos (Duke lexuar “Magjia dhe magjistarët e fjalës)”. Në vijim, ndër të tjera, lexojmë se: me interes të jashtëzakonshëm për lexuesin e studiuesin, por veçanërisht për arkivistin dhe gjuhëtarin është dritarja që J. Bulo hap në fushën e leksikografisë; gjuha e J. Bulos ka vendin dhe peshën e vetë në studimet tona dhe ka krijuar stilin e vet të paraqitjes së vlerave; gjuha e veprës së tij është sa shqipe, aq dhe shkencore, sa e rrjedhshme aq edhe argumentuese; fjala e sintaksa e saj janë të qarta, të pastra. “Në projektet e Prof. Shkurtaj, ka qenë që herët shestimi për një studim të gjerë e të thellë të universit të fjalës kadareiane. Mjaftoi një fjalës prej 2000 njësish leksikore nga ky univers, të qëmtuara dhe të shoshitura prej studiuesit T. Caushi, që studiuesi të shkonte te gjeniu i letrave,- hedh mendimin e tij , vrojtuesi i fjalës shqipe, Memisha, te “Vëzhgime për leksikun në veprën e I. Kadaresë (Rreth librit “Kadareja dhe fjala shqipe” të Gj. Shkurtaj dhe të T. Caushit””, ndërkohë që Kadareja shikohet si një nga personalitet më të fuqishme e më ndikuese në procesin e pasurimit dhe të pastrimit të shqipes së sotme, të intelektualizmit dhe demokratizimit të saj. “Akademik Shaban Demiraj për etnogjenezën e shqiptarëve përmes onomastikës dhe toponomastikës”, është një tjetër punim i këtij botimi që ka kërkuar vëmendjen e autorit, nga i cili po shkëputim vetëm një fragment: “Në veprën e profesorit gjejmë informacion shkencor, por edhe metodën e studimit. Në punime të shumta përgjithësisht është zbatuar e gërshetuar me mjeshtëri, me profesionalizëm dhe frytshmëri të lartë studimi gjuhësor e ai historik, studimi etnografik e ai gjeografik, studimi sociolinguistik e ai arkeologjik, studimi krahasues e ai përqasës”. Dy punimet e fundit, të cilat prof.dr. Valter Memisha i ka përfshirë në botimin për fjalën shqipe, përmbajnë materiale për “Ndihmesa e prof. Jani Thomait për kutpimin dhe lëvizjen kuptimore” dhe “Akademik Jani Thomai dhe leksikografia shqipe e shek. XXI”. Në punimin e parë vlerësohet puna dhe kontributi i pamatshëm i prof. J. Thomait për botimet gjithë  pëfshirëse të sistemeve të gjuhës shqipe, e veçanërisht për leksikografinë. E, në punimin e dytë ai shkruan konkretisht: “Vëmendja e profesorit, gjatë viteve të punës, por edhe tani, nuk është shkëputur asnjëherë nga detyra të tilla, si plotësimi i spektrit tipologjik leksikografik të shqipes, rritja e cilësisë shkencore, nxitja e kritikës shkencore e studimeve teorike në këtë fushë, shfrytëzimi i përvojave botërore e bashkëkohore, botimi e përhapja e fjalorëve, përdorimi i mjeteve dhe metodave kompjuterike në leksikografi, forcimi i bashkëpunimit dhe i shkëmbimit të përvojave, përgatitja e leksikografëve etj”. Gjykuar, jo vetëm nga numri i punimeve për gjuhën shqipe të përfshira në këtë vëllim, por edhe nga tematika e larmishme e tyre në plot punime e botime të tjera, problematika që rroket, argumentet bindëse në mbështetje apo jo, të çështjeve të parashtruara e të shtruara nga studiues vendas e të huaj, orientimi në debate dobiprurëse, niveli i lartë shkencor i demonstruar e shumë elemente te tjera, të cilët është e vështirë të përfshihen në rreshtat e një shkrimi, emri i Prof. Dr. Valter Memisha ka zënë një vend komod në aureolën midis emrave të tjerë, të nderuar, të studiuesve dhe gjuhëtarëve të gjuhës shqipe.

Categories
Analiza

Biblioteka Rrëshen / Magjia e punës me librin

Rreth punës së kualifikuar të Bardhe Markut në bibliotekën e Rrëshenit

Ka qenë një zakon imi i kahershëm që sapo shkoja në një qytet, të kërkoja ndonjë librari, pasi vetëm duke soditur librat, ndjeja kënaqësi dhe qetësi. Kështu veprova edhe këto ditë kur shkova në qytetin e Rrëshenit. Në fakt, librari nuk gjeta, por një miku im i mirë, piktori i mirënjohur, Pjetër Marku, më rekomandoi të vizitoja Bibliotekën Publike të këtij qyteti. U nisa drejt ndërtesës se saj. Një ambient i rregullt, i pastër dhe i sistemuar për t’u pasur zili. Çdo gjë në vendin e vet. Skedarë të plotësuar dhe shumë funksionalë, libra të sistemuara, të rregulluara dhe të skeduara që ta kishte enda ti ndiqje me sy. Unë si dashamirës i librit isha kurajoz të mësoja diçka nga puna e punonjësve të kësaj biblioteke të pasur dhe shumë funksionale. Këtë kuriozitet ma shoi drejtuesja e bibliotekës, znj. Bardhe Marku, një grua me intelekt, e gjallë, e shkathët dhe shumë e komunikueshme. Ajo ishte e kudondodhur dhe në moment të servirte atë çfarë kërkoje. E kryente punën me pasion dhe me dëshirë, sepse veç shkollës së lartë ishte specializuar në fushën e punës me librin. Ajo, veç informacioneve që na jep për punën dhe aktivitetin e bibliotekës ndër vite, na njeh edhe me një botim të rrallë të sajin, dalë nga shtypi kohët e fundit dhe titulluar “Në gjurmët e bibliotekës publike “Gjon Gazulli” Rrëshën”, përmes të cilit lexuesi njihet me historinë, veprimtaritë, punën për pasurimin, marrëdhëniet me institucionet e tjera dhe planet për të ardhmen e bibliotekës publike në qytetin artdashës të Rrëshenit. Duke u kthyer prapa në vite, mësojmë se në vitin 1963, në një ndërtesë të vogël njëkatëshe, u themelua Biblioteka e Rrëshenit, që aso kohe ishte në vartësi të Pallatit të Kulturës së rrethit drejtues i së cilës ishte Mehmet Borova, një muzikant i talentuar, qe punoi shumë për ta pasuruar këtë bibliotekë, megjithëse vështirësitë ishin prezente dhe fondet mjaft të pakta. Qyteti i Rrëshenit, asokohe ishte qytet industrial me një numër jo të vogël banorësh, prandaj edhe ky institucion kulturor nuk i plotësonte nevojat e lexuesve, as si tituj dhe as si shërbime. Vetëm në vitin 1974, u arrit të bëhej skedimi dhe inventarizimi i bibliotekës dhe të niste funksionimi sipas skedarëve dhe kartelave të lexuesit. Në vitin 2002 vjen drejtuese e kësaj biblioteke Bardhe Marku dhe tërë puna në këtë bibliotekë vihet mbi baza profesionale dhe shkencore.

Biblioteka e Rrëshenit ka në fondin e saj mbi 70. 000 ekzemplarë dhe libra të gjinive të ndryshme, në këtë institucion veç drejtueses punon edhe Marte Lleshi, me një përvojë pune 25-vjeçare me librin. Kjo është një pasuri e paçmueshme në lëmin e kulturës e siguruar me mund, djersë dhe sakrifica. Pasurimi i saj ka ardhur dita-ditës me botime të reja dhe të vjetra, vendase dhe të huaja. Vlen të përmendet se botimet e viteve para çlirimit janë siguruar nga mësuesi shkodran që punonte në Rrëshen, Kin Baqeli, më tej edhe mjeku i mirënjohur mirditor, Paulin Shqalësi, i dhuroi këtij institucioni bibliotekën e tij personale me një numër të konsiderueshëm botimesh. Pasurimi i kësaj biblioteke ka vazhduar ritmikisht dhe numri i kapjeve sa vjet dhe po shtohet. Kujdes është treguar edhe për pasurimin e saj me botimet për fëmijë.

Në Rrëshen funksion shtëpia botuese “Mirdita” me drejtor krijuesin e njohur mirditor, Ndue Dedaj, i cili ritmikisht i ka dhuruar kësaj biblioteke botimet e kësaj shtëpie që arrin deri në 100 tituj librash të llojeve dhe gjinive të ndryshme. Kjo është një pasuri e madhe për këtë institucion, i cili ka modifikuar një stendë të posaçme për botimet e krijuesve mirditorë. Një arritje tjetër e kësaj biblioteke është edhe sigurimi i botimeve të autorëve nga Kosova, sidomos përmes binjakëzimit me bibliotekat e qyteteve më të mëdha të këtij shteti. Sot, në bibliotekën e qytetin të Rrëshenit mund të gjesh botime të ndryshme të institucioneve shkencore në Kosovë dhe të mjaft krijuesve më në zë të kësaj treve.

Një qëllim më vete në punën e drejtueses së kësaj biblioteke, Bardhe Marku, ka qenë edhe organizimi i veprimtarive të ndryshme artistike dhe punës për propagandimin e librit. Më këtë rast, në ambientet e kësaj biblioteke janë zhvilluar mjaft veprimtari në funksion të këtij qëllimi si promovime librash, hapje ekspozitash, diskutime me krijues etj. Vlen të përmenden promovimet e librave të autorëve Ismail Kadare, Pal Doçi, Mark Tirta, Ndue Dedaj, Gjet Ndoj, Mark Lazri, Gjergj Shyti, Viktor Gjikolaj etj., apo ekspozita me libra të autorëve të Qarkut të Lezhës, si dhe ajo e organizuar me rastin e Ditës Botërore të Librit. Të gjitha këto fakte tregojnë se në këtë institucion të përhapjes dhe propagandimit të vlerave të librit punohet më përkushtim, dëshirë dhe objektiva të qarta. Mjafton të themi se kjo bibliotekë u shërben 14.264 banorëve të këtij qyteti dhe vetëm për vitin 2008, numri i librave të tërhequr nga fondi i librave nga lexuesit ka qenë 21.129 copë.

Mjaftojnë këto shifra për të treguar se biblioteka e qytetit të Rrëshenit, tashmë e pagëzuar me emrin e të mirënjohurit atdhetar Gjon Gazullit duhet bërë shembull përgjithësues për të gjitha institucionet kombëtare të këtij lloji, për pasurimin, promovimin, shërbimin dhe përhapjen e vlerave kulturore dhe të punës me librin aq të domosdoshme sot në ditët tona. Duhet marrë si shembull edhe një fakt domethënës. Drejtuesja e bibliotekës, Bardhe Marku, në bashkëpunimin me bashkinë Rrëshen ka hartuar dhe shpërndarë një certifikatë mirënjohjeje, për të gjithë ata persona që dallohen në kontributin e dhënë për pasurimin e fondit të këtij institucioni. Të bien në sy emrat e të mirënjohurve Muhamet Shatri – studiues, Dr. Zymer Neziri -studiues, Prenkë Gjetaj – shkrimtar, Pjetër Geci-shkrimtar, Mentor Çuku-studiues, Prend Buzhala – kritik letrar, Gjon Jaku – botues etj. Drejtuesja e kësaj biblioteke na informon se ka hartuar një program të veçantë për festimin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së vendit, ku janë planifikuar shumë aktivitete të ndryshme si takime me shkrimtarë të njohur, promovime librash, diskutime letrare, hapje ekspozitash dhe panairesh të librit etj. Në këto aktivitete të larmishme do të ftohen jo vetëm figura të letërsisë shqiptare, por edhe të letërsisë kosovare si dhe arbëreshe S’ka si ndodh ndryshe, sepse edhe Bardhja vjen rrjedh nga një familje intelektuale. Ajo është bashkëshortja e shkrimtarit dhe studiuesit të mirënjohur mirditor Gjon Marku, i cili edhe banesën e tij e ka kthyer në një galeri të vërtetë arti dhe fole te përhapjes së kulturës dhe të dijes. Dhe Bardhja punon shumë me librin si elementi më i domosdoshëm i fitimit të dijes.

VLASH PRENDI

Categories
Analiza

27 apo 28 Nëntor?

Cila do të jetë data e ngritjes së Flamurit në Vlorë, në këtë 100-vjetor të Pavarësisë?

Kjo është çështja që shtrohet së fundmi nga qytetarët e Vlorës në çdo ambient. Një ndoshta “lajthitje” e politikës, që më shumë se kudo tjetër rëndon mjaft në krenarinë e qytetarëve të Vlorës. “Edhe Flamurin do të na e marrin”. E vërtetë apo jo, vlonjatët në këto ditët e fundit kanë marrë si kryelajm jo të mirë, se qeveria dashka ta ngrejë flamurin në Vlorë, më 27 nëntor. Kjo ka sjellë edhe reagimin jo vetëm të qytetarëve, por edhe të historianëve të Vlorës. Në fakt, ende nuk është shprehur asnjë zyrtarisht nëse do të ndodhë kështu, por nëse do të jetë e vërtetë, atëherë Vlorës nuk i mbetet gjë tjetër, veçse të mos e ruajë më me fanatizëm, atë për të cilën njihet në histori – ngritjen e flamurit. Kjo çështje është bërë një objekt serioz në qytet, sepse në të gjitha ambientet intelektuale dhe mediatike diskutohet mjaft për këtë 100-vjetor. Dhe patjetër që edhe përgjigja është në gojë: “Ore, çfarë bëhet kështu me këta politikanët tanë, po na marrin edhe atë pak gjë që e kemi të paktën ekskluzivitetin tonë”. Në fakt, historia ka njohur edhe veprime të tjera të kësaj natyre, nga patriotët, sidomos nga ata të mërgimit apo Kosovar, që flamurin kombëtar e kanë ngritur dhe në 26 ose 27 nëntor jo në Vlorë, por në vendet e tyre, por kjo me plot bindjen mund të quhet një veprim dashamirës. Politika nuk duhet të shtrembërojë historinë, politika nuk duhet ta prek vlonjatin atje ku i dhemb më shumë, tek burrëria e atyre burrave që ranë për liri e pavarësisë, për këtë flamur që kemi sot. Por duket se edhe flamuri po politizohet. Po sikur burrat që bën historinë, Ismail Qemali me shokë të ishin gjallë, si do të ishte reagimi i tyre? Patjetër që një shuplakë apo më shumë se kaq, për ata që edhe historinë kërkojnë ta politizojnë apo t’i vendosin siç duan datat historike. Flamuri duhet ngritur në Vlorë, më 28 Nëntor, me të gjitha nderimet e asaj dite. Madje, Vlora, atë ditë duhet të jetë kryeqyteti i Shqipërisë, ashtu sikundër ndodhi 5 vjet më parë me rastin e 95-vjetorit të Pavarësisë, kur qeveria zbriti në Vlorë e ku Vlorës iu vesh petku i kryeqytetit, të paktën në një ditë të vetme, pasi e meriton. Nga Vlora lindën, lindin dhe do të lindin ngjarjet e mëdha.

Historiani Nasip Xhelili, një ndër pedagogët e Universiteti “Ismail Qemali të Vlorës”, por edhe një ndër ata persona që punuar për dy vite për rikonceptimin e Muzeut të Historisë në Vlorë, shprehet. “Flamuri është ngritur në Vlorë dhe për këtë ka mjaft dokumente e fakte. Unë jam një ndër personat që punoi me këto të dhëna, për grumbullimin dhe sistemimin e tyre, dhe duke u folur tani në mënyrë të përciptë, mund t’u them se, në asnjë rast, këto dokumente nuk vërtetojnë se Flamuri qenka ngritur në ndonjë vend tjetër, por në Vlorë, më 28 Nëntor. Nëse kjo do të ndodh kështu atëherë unë mund të them se është një lajthitje e politikës. Në këto kushte nuk besoj se do të ndodh kështu. Unë mund të them se ka pasur tentativa nga ana e atdhetarëve shumë kohë më parë, për ta ngritur flamurin para datës 28 Nëntor, jo në Vlorë por në vendet e tyre dhe kjo ka qenë thjeshtë një dashamirësi, por nëse kjo e politikanëve është e vërtetë, atëherë është një lajthitje. Unë them se politika nuk duhet të merret me këtë çështje dhe të politizojë flamurin”,- shprehet historiani Xhelili.

Ndërkaq në lidhje me këtë çështje ka reaguar edhe Bashkia e Vlorës, e cila nëpërmjet nënkryetarit të saj Arben Beriqri është shprehur se më 28 Nëntor, presin në Vlorë presidentin e republikës, Bujar Nishanin. “Vlora njeh vetëm një datë për Pavarësinë. Pikërisht më 28 Nëntor, në orën 10:00, presim që Presidenti i Republikës të ngrejë flamurin te Monumenti i Pavarësisë. Shtetin e parë shqiptar pas 500-vjetësh robëri osmane e krijoi burri më i madh i kombit shqiptar pas Skënderbeut, diplomati i shquar, politikani progresist europian, shpirti i pamposhtur shqiptar, Ismail Qemal Vlora. Kjo daton me ngritjen e flamurit në datën 28 Nëntor. Pika tjetër thuhet se në këtë ceremoni marrin pjesë të ftuar titullarë të Republikës së Shqipërisë, trupat diplomatike të akredituar në vendin tonë etj. Në orën 10:00, Presidenti kryen ritin e ngritjes së flamurit. Pika tjetër thotë se për nder të pjesëmarrësve, pushteti vendor shtron një drekë, ku kryetari i bashkisë ngre dolli dhe përshëndet të ftuarit. Kjo ceremoni mbyllet në orën 16:00”, citon nga VKM-ja nënkryetari i bashkisë. Ndërkaq, po sipas tij, festimet me datë 28 Nëntor janë sanksionuar edhe në VKM e datës 23 prill 2004, i cili është botuar në Fletoren Zyrtare dhe në kapitullin shtatë ku flitet për ceremonitë zyrtare, në pikën dy flitet për ceremoninë e ngritjes së flamurit.

 Nga Ermal Sika