Categories
Art dhe Kulture

“Onufri 2012”, “Ndoshta të ëndërrosh”

Rreth ekspozitës në Galerinë Kombëtare të Arteve, 28 dhjetor 2012 – 03 shkurt 2013

Në Galerinë Kombëtare të Arteve Figurative në Tiranë, më datën 28 dhjetor 2012 deri më 3 shkurt 2013, është hapur ekspozita ONUFRI 2012, e titulluar “Ndoshta të ëndërrosh”, me iniciativën krijuese të artistëve Arjan Shehaj, Remijon Pronja, Genti Korini, Mariana Kostandini, Luçian Bedini, Violana Murataj dhe Alketa Ramaj, e konkretizuar në veprat e tyre, piktura, fotografi dhe video.

Në krah të çdo vepre të tyre lexoj (lexojmë) tituj të Arjan Shehaj, “NOES”, të Remijon Pronja, “DIMENSIONE TË NDRYSHME”, “VIZATIME NË TEKNIKË TË PËRZIER”, “MITING”, “DY MINUTA E 31 SEKONDA” VIDEO, të Genti Korini, “ABSTRAKT Nr. 11.02, Nr. 11.04, Nr. 11.11, 11.06, të Mariana Kostandini, “EVE, fotografi me ngjyra, “PA TITULL”, të Luçian Bedeni, “SHKRUAR PREJ DRITE”, 2 LITOGRAFI NË PLLAKA XHAMI, “PA TITULL”, Video, të Violana Murataj, video të Alketa Ramaj, “PA TITULL”, fotografi me ngjyra.

Nga e gjithë kjo shfaqje artistike çfarë shikoj (shikojmë), përtej asaj që duket, mendohet, fantazohet nga këta krijues të jetës dhe kohës moderne të sotme shqiptare, të lirisë dhe hapësirës konceptuale të modernitetit të artit në Shqipëri.

“Ndoshta të ëndërrosh” është kërkim i modernitetit apo një përpjekje si fenomen, spektakël dhe komunikim me publikun dhe botën?

Le të vazhdojmë në këtë shkrim, natyrisht në këndvështrimin tim (tonë) si piktor, që të kuptojmë se çfarë duan të thonë këta artistë modernë në këtë ekspozitë me titull “NDOSHTA TË ËNDËRROSH”.

Që nga titulli, më lind e drejta të them e të shkruaj, se këta artistë, që merren me pikturën dhe artin e jetës së sotme moderne, janë një e shumë sy tepër kompleks mbi realitetin e gjallë, njeriun si objekt, subjekt dhe botën promotore universale. Këtë lloj arti e shohim si një postmodernizëm pa koncept ose një formulë të panjohur në botën njerëzore i cili, në shfaqjen e tij nuk sugjeron asnjë ide alternative apo konkrete se ai, vërtet është bindës dhe i pranueshëm për një masë të caktuar njerëzish, qofshin këta edhe profesionistë të artit figurativ modern.

Këta krijues, të rinj në moshë dhe në krijimtari artistike, përpiqen nëpërmjet veprave të ekspozuara të shfaqen para publikut artdashës shqiptar si një modernizëm të ri bashkëkohor shqiptar në kushtet e reja të lirisë dhe pluralizmit të ideve, koncepteve, kërkimore etj. për të konsistuar drejt imazhit modern të sotëm. Kërkim i modernitetit nga këta krijues, natyrisht është një përpjekje si fenomen i njohur dhe i kultivuar në institucionet e artit shqiptar, duke filluar nga Liceu Artistik, Akademia e Arteve, Galeria Kombëtare ato shtetërore e private.

Kërkimi dhe realizimi i modernitetit nga këta krijues vjen në një këndvështrim të imponuar nga koha dhe realiteti i ri artistik, që do të thotë, se përpiqen të ekspozojnë motive të dukshme si karakteristika të reja të shfaqjes së modernistit, si gjatë ëndërrimit në ndryshim të vazhdueshëm modern bashkëkohore nga njeri brez artistësh figurativ, në tjetrin.

Duke udhëhequr nga mendimi “Ndoshta të ëndërrosh”, këta artistë vëzhgojnë mjedisin përreth nesh, duke vizatuar e kompozuar copëza realiteti përmes sistemit vizual të komunikimit dhe duke na shfaqur gjetje të reja të kohës moderne të sotme. Kjo pikturë, fotografi, video etj që shohim në këtë ekspozitë, natyrisht, është një formë e re tregimi artistik, që do të thotë, se për këta krijues modernë, është një çështje e mënyrës se si vetë kohët dhe sistemet shoqërore apo artistike, gjejnë lëvizje të reja, shprehje, me gjithë shpërthimet, dëshirat dhe komplekset e tyre si fenomen, qoftë edhe si art i jetës së re moderne. Në këtë ekspozitë “ONUFËR” me titull “NDOSHTA TË ËNDËRROSH”, shikoj (shikojmë) një vazhdimësi për revolucionarizmin e mendimit të ri krijues të vetë artistit, sidomos të brezit të ri, aktiv e produktiv në të njëjtin sens dhe ndjeshmërinë njerëzore, të cilat, të gjitha së bashku sjellin ndryshime cilësore të artit, pikërisht sot, në kushtet e jetës së sotme moderne shqiptare.

Artistët, Arjan Shehaj, Remijon Pronja, Genti Korini, Mariana Kostandini, Luçian Bedini, Violana Murataj dhe Alketa Ramaj, vijnë në këtë ekspozitë me veprat e tyre si një kategori apo cilësi e re shpërthyese të mendimit të lirë dhe preferencial, nga një këndvështrim i botës së tyre konceptuale moderne, për të krijuar marrëdhënie të reja e të papara jetësore e njerëzore, të panjohura asnjë herë tjetër. Arti, për ta, është një fakt nga jeta, i përgjithësuar në vepër, si një kujtesë që ruan dimensionet vijuese të arsyes së tyre dhe të njeriut, qoftë ajo shqiptare apo botërore. Procesi krijues i tyre merr ndjeshmërinë e një arsyetimi dhe të së drejtës për të shpalosur vlerat e një artisti bashkëkohor, që vështron realitetin e sotëm, drejt e në sy. Ata, me veprat e tyre piktorike, fotografike dhe video, tregojnë gjëra të reja dhe reale, që i shohim dhe i prekim, por nuk i vërejmë emocionalisht si vlera estetike të veçanta, në këtë modernitet kompleks dhe universal. Për këta artistë, të rinj në karrierën krijuese artistike, çdo gjë e re dhe dinamike në realitetin e sotëm shoqëror shqiptar përbën një kuriozitet të panjohur, por që ekziston apo ka ekzistuar në kohë, sisteme të ndryshme të jetës njerëzore dhe artistike. Këto i shohim në veprat e këtyre artistëve të ekspozuara “ONUFËR 2012”, “NDOSHTA TË ËNDËRROSH” në Galerinë Kombëtare të Arteve Figurative në Tiranë.

Nëpërmjet këtyre veprave të realizuara me një koncept postmodern, artistët ecin në një periudhë të re për syrin, kulturën, këndvështrimin, gjetjen etj., ende pa identitet dhe me trajta, që e angazhojnë në një sipërfaqe të vështirë për t’u vizatuar artistikisht. Është periudhë e jetës komplekse dhe të ngarkuar me lloj-lloj fenomenesh paradoksale, të dallueshme e misterioze për artistin, që do të thotë një shikim të ndjeshëm dhe të nevojshëm për të arritur në konfigurimin e vetëm të idesë në vepër me kuptim dhe koncept të gjerë tipik për kohën moderne të sotme, siç i shikojmë në ekspozitën “ONUFRI 2012”. Po t’i shikojmë me vëmendje dhe ndjeshmëri shpirtërore e realiste, në aspektin artistik, bindemi se ky art dhe këto vepra të këtyre artistëve i ngjasojnë postmodernizmit të sotëm në Shqipëri e në botë. Prej këtej arrijmë në një reflektim, që kërkon vlerësim nëse këta artistë janë tepër të ndjeshëm ndaj jetës dhe fenomeneve të saj, artit dhe rrymës artistike që kanë preferuar si të mundshme drejt vlerave.

Në këtë drejtim ia vlen të shfaq disa mendime për artin e sotëm modern dhe artistin e kësaj rryme, sa komplekse aq edhe koherente për artdashësin dhe publikun e gjerë shqiptar, natyrisht, në këndvështrimin teorik dhe profesional.

Procesi krijues, vepra artistike dhe artisti piktor, skulptor, fotograf etj. si protagonist aktiv e më gjerë, kërkon (kërkojnë) një analizë të situatës së saj dhe se deri në ç’masë ajo përbën një objekt apo subjekt të pranueshëm estetik në raport me procesin e krijimtarisë artistike, qoftë ai edhe postmodern.

Struktura dhe identiteti i veprës, që shohim në këtë ekspozitë “ONUFËR 2012”, nuk mund të kuptohen jashtë marrëdhënieve të saj me veprimtarinë krijuese të artistit të sotëm modern e bashkëkohor. Çdo vepër, e shfaqur, dëshmon për shumë elementë modernë të procesit krijues të saj. Më lindin pyetjet: A është (janë) vërtet kjo vepër e ekspozuar para publikut artdashës shqiptar një produkt improvizimesh apo rezultat i një pune konceptuale të gjatë e këmbëngulëse të talentuar, a është produkt i një frymëzimi të ndjerë apo sajese e një fantazie të ftohtë, a është e argumentuar dhe bindëse apo e varfër në vlerat artistike?

E megjithatë, vepra artistike, në të drejtën e lirisë individuale krijuese në ide, rrymë, teknikë etj, të piktorit, skulptorit, fotografit etj, si në këtë ekspozitë, ka pavarësinë e vet relative në raport me autorin dhe me veprimtarinë e tij krijuese, pavarësisht që shfaqet në mënyra të ndryshme. Është e natyrshme dhe morale, që artisti pasi e krijon dhe e shfaq në një ekspozitë, vepra artistike, qoftë ajo relativiste, impresioniste, moderne, etj. merr atributet e një objekti estetik, përfshihet në sistemin e qarkullimit artistik, konkurrues, gjithëpërfshirës me të tjerët e pavarur nga vetë krijuesi artist. Në këtë rast, për krijuesit e rinj dhe të panjohur gjerësisht në fushën e artit të sotëm modern, si Arjan Shehaj, Remijon Pronja, Luçian Bedeni, Violana Murataj, dhe Alketa Ramaj, mund të mos ketë shumë informacion e të mos dihet asgjë dhe kjo, nëpërmjet veprës së ekspozuar, qoftë edhe në ekspozitën “ONUFËR 2012”, mund të ruajë vlerën dhe efektet e saj emocionale artistike si gjithë autorët dhe veprat e njohura në çdo kohë e deri më sot.

Shfaqja e ekspozitës reale të veprës artistike, qoftë ajo edhe moderne bashkëkohore e sotme dhe i pavarësisë së saj nga akti krijues ka rëndësi të madhe në krijimtari, sepse ndihmon të kuptohet më mirë nga të tjerët, në këtë rast nga publiku artdashës, se ku qëndron thelbi specifik i artit postmodern, cili është ndërtimi, konceptimi, mesazhi, struktura e veprës artistike, se ku janë përqendruar vlerat e saj emocionale, impresionuese dhe estetike.

Në kohën tonë të lirisë, demokracisë dhe pluralizmit artistik, bëhen përpjekje nga njëra ekspozitë figurative në tjetrën për të sjell realitetin e gjallë jetësor dhe njerëzor, në mënyrë formale, abstraksioni, surrealizmi, pop-arti etj, duke forcuar marrëdhëniet e tyre me procesin krijues.

Çdo akt krijues mban vulën e krijimtarisë artistike, qoftë ai (ajo) edhe moderne. Vlerat artistike, siç i shikojmë në shumë vepra të ekspozitës “ONUFËR 2012”, me titull “NDOSHTA TË ËNDËRROSH”, nuk duken në vetë veprën e shfaqur nga autori, por në atë që ka krijuar realisht si objekt dhe subjekt para syve të njerëzve. Për këta artistë, në këtë ekspozitë, përmes veprës të servirë në mënyrë moderne nuk ka rëndësi vepra artistike e tyre, por akti i krijimit të saj konceptual, vizionar dhe si gjetje e re e tyre. Duke i shprehur këto koncepte, ata në këto vepra specifike të tyre i thonë të tjerëve se çdo gjë që kemi krijuar dhe shfaqur në këtë ekspozitë është rezultat botëperceptimi si përvojë kohore dhe kënaqësi. Vepra e krijuar është objekt interesant vetëm për aktin krijues, si një lëvizje motorike që bluan, por që asgjë nuk mbetet si precipitat apo koncept vlerash shpirtërore për njeriun e sotëm dhe të ardhshëm. Për këta artistë modernë lëvizja e trurit shihet si kënaqësi momentale për t’u marrë me krijimtari artistike dhe s’ka rëndësi nëse realizon vepra artistike të mirëfillta. Duke qenë të frymëzuar nga ky koncept, këta artistë të kësaj ekspozite “ONUFËR 2012”, “NDOSHTA TË ËNDËRROSH”, dhe shumë të tjerë rreth tyre, merren me eksperimentime formaliste dhe moderne brenda konceptit të vizatuar një herë e mirë në trurin e tyre si preferencë dhe kulmi paradoksal ndaj vetes dhe të tjerëve, aq sa para tyre dhe me ndërgjegje injorojnë jetën e gjallë, realitetin aktiv të botës njerëzore.

Tablotë abstraksioniste të kësaj ekspozite janë një dëshmi bindëse e modernizmit të sotëm bashkëkohor shqiptar, që kanë sjellë këta artistë në pikturë, fotografi e video, konceptet moderniste, të cilët, në aspektin profesional të artit të vërtetë nuk e vlerësojnë mjeshtërinë artistike në funksion të krijimit të veprës së përfunduar e të përkryer reale, por talentin e tyre, edhe në qoftë se kanë, e shpërdorojnë në eksperimente shterpe formaliste dhe të kultivojnë në emër të modernizmit përbuzjen ndaj veprave dhe vlerave të vërteta shpirtërore, emocionale dhe artistike, që kërkon njeriu, shoqëria shqiptare dhe dinjiteti i kombit.

Ndini R. Bardhi
Piktor