Categories
Këshilla Shëndet

Variçet, veshjet që duhet të evitoni dhe disa këshilla praktike

Një veshje shumë e ngushtë pengon qarkullimin e gjakut. Kush vuan nga shqetësime të lidhura me qarkullimin e keq të gjakut duhet të evitojë të veshë: xhinse dhe veshje shumë në ngushta. Duhet të zgjidhni pantallona të gjera dhe bluza pambuku.

  • Bëni mirë të eliminoni zhartierët dhe të përdorni çorape elastike dhe të buta. Ka çorape që përmirësojnë qarkullimin e gjakut. Bëhet fjalë për çorape të bëra me një fije të posaçme që reduktojnë në mënyrë të ndjeshme prezencën e kapilarëve dhe të variceve, pasi ushtrojnë në këmbë një masazh shumë të nevojshëm.
  • Evitoni këpucët me shumë takë dhe majë. Këmba duhet të ketë një sipërfaqe të mirë mbështetëse tek këpucët dhe taka nuk duhet të jetë shumë e lartë. Ajo perfekte është taka mesatare 4-5 cm.
  • Mos e ekzagjeroni, duke ngrënë në tavolinë, pasi mbipesha favorizon qarkullimin e keq të gjakut. Preferoni gjithmonë një dietë të pasur me fruta dhe me perime. Zgjidhni ujë natyral që lehtëson eliminimin e skorieve të organizmit. Ndaloni të gjitha pijet me gaz.
  • Përpiquni të mos pini duhan, pasi duhani ngushton enët e gjakut.
  • Evitoni mbajtjen e të njëjtit pozicion për orë të tëra. Të kalosh një ditë të tërë ulur ose në këmbë provokon probleme të mëdha. Është mirë të shpini këmbët të paktën çdo orë. Ideale është të rrini me këmbët e ngritura, kur t’i ndjeni ato shumë të lodhura. Niveli i këmbëve duhet të jetë i njëjtë me atë të zemrës.

Lexo edhe: Variçet, metodat e fundit të trajtimit

Categories
Këshilla

Alarmi / Lodrat për fëmijët kanë lëndë të rrezikshme. Ruani fëmijët

Lëvizja e Gruas për Zhvillim Integral ka dhënë alarmin se lodrat e fëmijëve përmbajnë kimikate jashtë normës së lejuar. Përmes një deklarate për shtyp, ata sqarojnë se nga analizat e bëra në institutin e Fizikës Bërthamore, rezultoi se lodrat ishin të dëmshme për shëndetin e fëmijëve.

Sipas LGZH, lëndët kimike të gjetura tek Testimi Publik i Lodave tregon dhe një here se lëndët toksike që u gjendën mund të janë një pjesë e mijëra të kimikateve që mund të jenë të pranishme në produktet e përditshme të destinuara për fëmijët. Në këto momente, është pothuajse e pamundur që prindërit të dinë nëse produktet përmbajnë lëndë kimike të rrezikshme.

Tek trupat e kukullave atje ku u bënë matjet e para PVC (Polyvinyl chloride) u paraqit me nivele të larta ku elementi kryesor përbërës ishte: Chloride (Cl),Kalcium (Ca), Zinc (Zn). Në pjesën e këpucës të kukullës paraqitej një lloj tjetër plastike, ndërsa në trup rezultoi me përmbajtje të lartë Chloride (Cl), këpucët rezultuan se kishin si mbushës Dioxid Titanium (Ti O2) dhe Zinc (Zn).

Si konkluzion i Testit të Lojrave në rezultatet e paraqitura nga Instituti i Fizikës Bërthamore të Zbatuar, Universiteti i Shkencave Tiranë, kukullat e testuara rezultonin se indikatorët e PVC paraqitnin rezultate shumë më tepër normës së lejuar. Në këtë investigim, prania e përqendrimit të lartë të klorit është konsideruar si një zëvendësues për gjetjen e PVC pasi PVC është i vetmi plastikë e zakonshme e bërë me klor. Në mënyrë të ngjashme, prania e Ca, Zn, TiO2, në mostrat e lodrave përbën rrezikshmëri për shëndetin e fëmijëve. Pigmentet apo ngjyruesit janë përdorur në mënyrë rutinore tek PVC dhe këto mund të përbëhen si nga komponimet kimike organike dhe inorganike.

Ngjyruesit që përmbajnë metale janë shumë të zakonishme dhe mund të përfshijnë kadmium, plumb, krom, hekur, antinom, nikel, kobalt, bakër, titan, mangan dhe zinkut. Pothuajse të gjitha lëndët e mësipërme dhe komponimet janë potencialisht toksike.

PËRBËRËSIT E RREZIKSHËM

100% e mostrave të kukullave të testuara përmbajnë indikatorë të lartë të PVC – duke identifikuar gjithashtu dhe produktet e bëra nga PVC duke matur përmbajtjen e tyre në klor. 100% e lodrave të testuara përmbanin PVC-në.

PVC është plastika më e keqe duke krijuar rreziqe të mëdha dhe mund të përmbajnë aditivë që janë të rrezikshme për shëndetin e njeriut. Dioksid titaniumi i cili u gjend në testimin e kryer është një ultravjollcë (UV) – një katalizator aktivizues i cili në bazë të studimeve shkakton dhe kancer në qëniet njerëzore. Chloride vinyl në rastin konkret është e pashmangshme në prodhimin e PVC dhe mund të shkaktojë probleme të rënda shëndetësore, si kancer, dëmtimin endometriozale, dëmtime neurologjike, dëmtime të sistemit imunitar, probleme të frymëmarrjes, dëmtime të mëlçisë dhe të veshkave deri në defekte të lindjes.

MUNGON ETIKETA E RREZIKUT

Lodrat e testuara me rezultat pozitiv për PVC nuk ishin të etiketuara si të tilla në produkt ose paketim, duke e bërë pothuajse të pamundur për prindërit që të zgjidhnin PVC-free produkte për fëmijët e tyre.

Lodrat nuk përmbanin asnjë etikete dhe asnjë të dhënë as në gjuhën shqipe dhe në as një gjuhë tjetër lidhur me elementët që përmbanin lodrën.

Categories
Këshilla

Qëndrimi ulur, rrezik diabeti tek femrat

Sipas një kërkimi shkencor, femrat që qëndrojnë ulur rreth 7 orë në ditë janë më të rrezikuara nga diabeti. Studimi del në përfundim se diabeti prek më shumë femrat që kalojnë më shumë kohë ulur se sa ato aktive pas analizave të testeve të gjakut të vullnetarëve që u vëzhguan. Por kërkuesit e Universitetit të Leicesterit (Angli) nuk gjetën një lidhje të tillë tek meshkujt. Diabeti mund të shkaktojë infarkte në zemër dhe probleme me sytë përveç faktit që mbipesha shkakton inaktivitet fizik.

Categories
Këshilla Shëndet

Goditja e fundit për gurët në veshka

Shkaqet e krijimit të gurëve në veshka, shpesh janë të panjohura. Mënyra të caktuara të të ushqyerit mund të jenë shkak për formimin e gurëve tek njerëz të ndjeshëm, megjithatë shkencërisht nuk besohet se konsumi i ushqimeve specifike nga persona të ndjeshëm shkakton formimin e gurëve në veshka.

Një person që ka familjarë me gurë në veshka, ka më shumë mundësi të jetë më i ekspozuar ndaj shfaqjes së tyre. Çrregullime të caktuara metabolike si hiperpara­tiroidizmi, infeksionet urinare, çrregullime të veshkave si dhe sëmundje cistike të tyre, janë, gjithashtu, të lidhura me formimin e gurëve. Gjithashtu, më shumë se 70 për qind e njerëzve me një sëmundje të rrallë të trashëguar që quhet renal tubular acidosis, janë më të ekspozuar ndaj formimit të gurëve në veshka.

Shkaktarë të tjerë të gurëve në veshka mund të jenë: konsumi i tepërt i vitaminës D; infeksionet urinare si edhe bllokimi i rrugëve urinare. Disa diuretikë dhe antiacidë me bazë kalciumi mund të rrisin rrezikun e formimit të gurëve në veshka duke rritur sasinë e kalciumit në urinë.

Gurët e veshkave mund të formohen edhe tek personat që kanë infeksion kronik në zorrë ose që kanë pasur një operacion by-pass intestinal. Gjithashtu, edhe kur urina përmban sasi të tepërt të substancave të caktuara. Këto substanca mund të krijojnë kristale të vogla të cilat shndërrohen në gurë. Gurët në veshka mund të mos shfaqin simptoma deri sa fillojnë të lëvizin poshtë nëpër tubat përmes të cilëve urina shkon në fshikëz. Kur kjo ndodh, gurët mund të bllokojnë rrjedhjen e urinës nga veshka. Kjo gjë shkakton ënjtje të veshkave duke sjellë dhimbje shumë të fortë.

Gurët në veshka shfaqen më shpesh tek meshkujt. Ekzistenca e tyre rritet më shumë kur meshkujt hyjnë në të 40-at dhe vazhdojnë deri në të 70-at.

Tek femrat, shfaqja e gurëve në veshka është më e shpeshtë kur ato hyjnë në të 50-at. Kur tek një person shfaqet një gur në veshka, rritet mundësia që të zhvillohen edhe gurë të tjerë.

Lëngjet, elementi më i rëndësishëm për pacientët me gurë në veshka

Në mënyrë që të prodhohet një volum urinar prej të paktën 2 litrash në ditë, rekomandohet të pihen sasi të bollshme lëngjesh. Në periudhat e djersitjes së vazhdueshme apo ushtrimeve fizike, rekomandohet një sasi ditore prej 3 ose më shumë litra lëngje (mbi 12 gota). Është e rëndësishme që sasia e lëngjeve të shpërndahet në mënyrë sa më të barabartë gjatë 24 orëve. Pothuajse të gjitha lëngjet janë të rekomandueshme të pihen, por bikarbonatet dhe uji mineral i pasur me kalcium janë veçanërisht të rekomandueshëm. Nga ana tjetër, formimi i gurëve në veshka nxitet nga sasitë e mëdha të çajit të zi ose çajrave tjerë si edhe pijeve freskuese të gazuara. 

Si i trajtojmë gurët e veshkave?

Një pjesë e konsiderueshme e gurëve, veçanërisht e atyre me diametër më të vogël se 0.5 cm, bien spontanisht. Plani i mjekimit ndryshon në varësi të vendndodhjes së gurëve (veshka, kanali urinar, fshikëza e urinës), numrit dhe diametrit të tyre. Ndërkohë që aplikimi i ndërhyrjeve kirurgjikale me prerje të mëdha ka qenë shumë i përhapur deri para pak kohësh, në sajë të zhvillimit teknologjik, krahas aplikimit të metodës së thyerjes së gurëve, filluan të aplikohen operacione të mbyllura me prerje minimale, gati të padukshme: nefrolitotomia perkutane. Kjo lloj ndërhyrjeje tepër e favorshme për pacientin, e aplikuar në Shqipëri jo vetëm shpëton pacientin nga dhimbjet e mundimshme të gurëve, por e bën këtë nën kushte shumë komode duke minimizuar kohën e hospitalizimit dhe të rikthimit aktiviteteve të përditshme.

Kirurgjia Perkutane e gurëve

Para futjes së metodave moderne të kirurgjisë urologjike, mënyra e vetme e eliminimit të gurëve të veshkave ishin operacionet e gjata traumatike me prerje mbi 10 cm. Jo vetëm madhësia e plagës, por edhe koha e gjatë e hospitalizimit dhe rikuperimit bënin që këta paciente t’i shmangeshin ndërhyrjes, shpesh deri në insuficience totale të veshkës. Në sajë të nefrolitotomisë perkutane; kirurgjisë minimalisht invazive, vetëm 1 për qind e gurëve të veshkave operohet me metodën e vjetër. Në shumicën e rasteve, gurët që nuk mund të nxirren me metodën e thyerjes ose që janë në një madhësi që nuk lejon daljen nëpër ureter nxirren jashtë veshkës me metodën më të avancuar të kirurgjisë endoskopike: nefrolitotomi perkutane. 

Operacioni Perkutan i gurëve të veshkës

Në nefrolitotominë ose nefrolitotripsinë perkutane, kirurgu bën një prerje të vogël në shpinë nëpërmjet së cilës hyn me anë të një kateteri deri në brendësi të veshkës, aty ku është pozicionuar guri. Më tej, nëpërmjet një sonde që hyn në të njëjtin kateter, kirurgu arrin të shohë me sy të lirë madhësinë dhe vendosjen e gurit dhe ta tërheqë atë jashtë veshkës, pikërisht përgjatë këtij kateteri të vetëm. Nëse guri është më i madh se kateteri, atëherë më parë copëtohet në brendësi të veshkës dhe pastaj aspirohet nga sonda. Sipas zgjedhjes së pacientit dhe mjekut anestezist procedura kryhet nën anestezi të përgjithshme, lokale ose shpinore.

Te cilët pacientë aplikohet kjo procedurë?

Kjo procedurë mund të përdoret për të trajtuar gurët e veshkave që kanë këto karakteristika:

• Janë më të mëdhenj se 2 cm në diametër.

• Janë të mëdhenj dhe të shkaktuar nga një infeksion (staghorn calculi).

• Bllokojnë daljen e urinës jashtë veshkës.

• Nuk mundet të thyhen nga litotripsi e jashtme me presion valësh (ESWL).

• Gurët që formohen në pjesën e poshtme të bashkimit të veshkës me kanalin urinar (kaliks), për shkak të vendosjes anatomike dhe gravitetit, mund të trajtohen nëpërmjet kirurgjisë perkutane edhe kur janë më të vegjël se 2 cm.

Ushqimet që rekomandohen tek pacientët me gurë në veshka

Perimet dhe frutat e shtojnë sekretimin urinar të gurëve. Konsumimi i ushqimeve me përmbajtje të lartë oksalati (spinaq, panxhar, arra) duhet të jetë minimal ose të kombinohet me ushqime të tjera që kanë sasi të mëdha kalciumi (psh, spinaq me djathë), që parandalon përthithjen e sasive të mëdha të oksalatinës nga zorrët, gjë që do të çonte në rritjen e sekretimit urinar.

Një sasi e tepërt e konsumit të proteinave nga mishi dhe peshku, rrisin rrezikun e gurëve në veshka, pra, konsumi i këtyre ushqimeve duhet pakësuar. Gjithashtu, rekomandohet konsumimi i një sasie të reduktuar të kripës, duke qenë se sodiumi që gjendet në kripën e zakonshme mund të rrisë rrezikun e formimit të gurëve në veshka. Nga ana tjetër, një reduktim total i kripës çon në rënien e volumit urinar. Kështu, rekomandohet konsumimi i një sasie të kontrolluar kripe.