Categories
Personazhe

Aqif Selimi, njeriu i 32 viteve burg në të gjitha burgjet e Shqipërisë

Prokurorët që i dhanë dënimin nga Bedri Spahiu deri tek Aranit Çela

Tregimet e burgut të Aqif Selimit u bënë më të dëgjuarit në TV Dardan, në vitin 2003, në Elbasan, ku jetoi e vdiq para një dite 85-vjeçari nga Peqini, njeri prej Mandelave të Shqipërisë. Brenda ndërgjegjes së këtij njeriu, ishte skalitur ideja e transmetimit për brezat e vuajtjes së njeriut nga diktatura për të njohur atë të keqe, e cila, nëse harrohet, rikthehet me format më monstruoze tipike që bëjnë regjimet fashiste dhe komuniste. Që në fillim do të thosha që nuk janë një e dy, por 32 vite burgu të kryera kokërr më kokërr gjatë 45 vjetëve të regjimit diktatorial enverist. Janë 32 vite burgimesh të një njeriu që u gjykua nga të gjithë prokurorët e përgjithshëm që nga Bedri Spahiu e deri tek Aranit Çela, për “të inspektuar” të gjitha burgjet e Shqipërisë nga kalaja e Gjirokastrës e deri në Spaç të Mirditës, që nga Qafa e Barit e deri në Ballsh, që nga Bulqiza e Burreli e deri në Tiranë. Një kalvar i tërë misteresh që fshihnin birucat e sigurimit të shtetit, në emër të një “shteti demokratik”, por që prodhoi vetëm diktaturë.

Pak nga jeta e Aqif Selamit

Lindi në Peqin, në vitin 1927, në një familje të mesme qytetare. Shquhej për një djalosh energjik dhe i pashëm.

Në moshën 16 vjeç bëhet pjesëtar i kohës e Luftës Antifashiste, por më shumë edhe si shoqërues i të mirënjohurit Mustafa Gjinishi, që, si peqinase, e donte dhe e mbante me vete. Vlerësimi që kishte Aqif Selimi për Mustafa Gjinishin ishte shumë i madh, sepse ai ka qenë njeriu që i dha edhe një lloj drejtimi mendimeve të Aqif Selimit. Tregimet për Mustafain, ai i kishte si një medaljon. Aqif Selimi është një nga dëshmitarët në ditën e fundit, kur Mustafa Gjinishin e vranë.

Pas çlirimit të vendit, për shkak të zhgënjimit të shpejtë që pati, Aqif Selimi do të piketohej si një njeri i rrezikshëm dhe jeta e tij do të merrte një drejtim me vuajtje nga vitet e burgimeve të gjata që pati deri në fund të viteve ‘80.

Ishte babai i dy fëmijëve, një djali dhe një vajze.

Për më tepër, dënimet e Aqif Selimit i ngjajnë filmave me ngjarjet e kobshme të komunistëve serbë me shqiptarët e Kosovës, për shkak të torturave dhe presioneve psikologjike dhe fizike, po aq sa edhe dënimeve të zgjatura me zhvendosjet në birucat famëkeqe që zbatoi Sigurimi i Shtetit sipas modeleve të UDB-së Jugosllave. Të vetmet vite në liri të pjesshme, por me survejime të mëdha, kanë qenë 1966-1974, koha kur edhe u martua dhe bëri dy fëmijët një pas një, si dëshmitarë të jetës së tij. Ai i gëzoi pjesërisht fëmijët, pas viteve të dënimit tjetër dhe në këto vitet e demokracisë.

Siç tregonte edhe vetë xha Aqifi, pas Luftës si ishte organizuar në forcat e ushtrisë si radiondërlidhës, për të cilin bëri edhe një kurs dhe një natë, pasi kishte parë një ëndërr sikur ishte takuar me një oficer anglez, ia tregon shokut të tij, i cili e denoncon dhe këtu, që nga viti 1946 fillon kalvari i vuajtjeve të tij. Dënohet me pushkatim. Arrin të arratiset, por përsëri kapet, se ngatërruan rrugën e nuk e kaluan dot kufirin. E dënojnë dhe e burgosin në kalanë e Gjirokastrës. Në rrëfimet e tij të drejtpërdrejta në ambientet dhe ish-qelitë e burgut, sytë e këtij njeriu lotonin ende nga vuajtja shpirtërore dhe dhimbja që ndjente si shqiptar i mirë, sepse ishte i brumosur me idetë, që pas çlirimit do të jetonim në liri dhe demokraci, por që, në fakt, jetoi në diktaturë si i gjithë kombi shqiptar.

Aqif Selimi mbahet mend nga miqtë e tij, si një nga njerëzit e fortë të burgjeve shqiptare që ruajti në kujtesë çdo gjë që lidhej me luftën dhe pasojat e burgimeve. Ka njohur shumë personalitete në burgjet e ndryshme dhe me ta ndjeu vetëm kënaqësinë e njeriut të etur për intelektualizëm, njësoj si të ishte me Mustafa Gjinishin që e donte si të shenjtë.

Në sentencat e tregimeve të tij mbaj mend të thoshte si kishte takuar në burgun e Gjirokastrës, Mazar Dinon nga Paramithia e Çamërisë, të cilën e kujtonte me një respekt të veçantë kur i porosite djemtë e rinj që të donin atdheun se fara e komunizmit që mbolli serbi në Shqipëri, edhe barin do ta thajë, pale njeriun do ta bëjë që të ndjejë veç vuajtje. Pikërisht ashtu ndodhi.

Një herë mbaj mend se si tregonte njeri nga ish të burgosurit e Kalasë së Gjirokastrës, kur Koçi Xoxe, ish-ministër i Brendshëm, thirri në zyrën e tij kryetarin e degës së Punëve të Brendshme të Tiranës, të cilin e urdhëroi që deri të nesërmen në darkën e një dite më pas kërkonte 300 të arrestuar. “Me çfarë akuze, shoku ministër, e pyet”. Përgjigjja ishte e shpejtë “Të krijohen” nuk kanë nevojë për komente, se flasin vetë faktet.

Në një rast tjetër, tregonte kur ishte në burgun e Tiranës, në vitin 1962 dhe vjen për inspektim ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku, dhe i pyeste një e nga një të gjithë të burgosurit se përse ishte dënuar njeri e përse ishte dënuar tjetri. Të gjithë i përgjigjeshin për këtë ose atë faj. Njeri nga të burgosurit nga Krraba e Tiranës, një burrë i gjatë e i fuqishëm, i përgjigjet “Mua më kanë dënuar kot, shoku ministër”. Ishte e papritur përgjigja për ministrin Balluku dhe ia kthen menjëherë “po ti duhesh pushkatuar ore, si ore dënuaka partia jonë kot?”. “Mund të mos dënojë, por meqë më pyete, të thashë”, ia preu malësori i Krrabës. Ndërsa ministri Balluku, me një lloj naiviteti, i përgjigjet: “Po përse ore nuk më dënon mua partia kot, por të dënon ty?”. Ndërkohë që edhe burri i Krrabës i përgjigjet qetësisht “Belqim s’të ka ardhur radha shoku ministër”. Ishte e fortë dhe me pasoja për të burgosurin se druri që ai hëngri, tregonte xha Aqifi, mezi e sollëm në vete për dy javë. Pas 13 vjetësh, kur në vitin 1975 Beqir balluku do të dënohej si armik dhe në një moment vajtën dhe e morën nga qelia për ta pushkatuar, ai u drejtohej kriminelëve “Çfarë bëni kështu oree, i thoni more shokur Enver, se mua po më dënojnë kot”. Paradoksale, por e vërtetë, ashtu ndodhi siç i tha i burgosuri i Krrabës.

I nderuar atdhetar

Para se xha Aqifi të bënte intervistat e tij në TV Dardan, më qershor 1998 i dërgonte një letër shoqatës “Vatra”, në SHBA, ku ndër të tjera i shkruante se “50 vjet më parë, isha i ri, i dëlirë, atdhetar, idealist, nacionalçlirimtar. Por komunistët aventurier, të pashpirt, të pabesë, antikombëtarë, më dënuan me vdekje. Zoti më shpëtoi jetën. Kalvarit të mundimeve në burgje dhe internime u bashkua me të mijëra atdhetarëve të tjerë. Paralelja autentike ndërmjet idealit, torturimit, mundimeve, flijimit sublim të mrekullisë së ringjalljes së Krishtit profet, me idealin torturimin, mundimeve, mrekullisë së mbijetesës sime në ferrin e vërtetë komunist, më jep bindje që është vullneti i shenjtë i Perëndisë mbijetesa ime dhe urdhri i shenjtë i saj të jetë dëshmitar i pakontestueshëm në akuzën mbarëkombëtare ndaj komunistëve për tradhti, krime lufte, gjenocid të pashembullt 50-vjeçar.

Jam ndë r të pakët dëshmitarë okularë të gjallë të krimeve monstruoze, intrigave, pusive ndaj personaliteteve të Luftës nacionalçlirimtare. Kam amanetin e të rënëve për liri dhe Shqipëri Etnike, shtet demokratik që të denoncoj emër për emër dhe kronologjikisht tradhtarët dhe xhelatët e tyre. Jam “memorial” i gjallë i qëndresës stoike në torturë fizike, në etje, në uri e mundime të qindra intelektualëve të shquar në burgjet katakombe enveriste.

I nderuar atdhetar, në emër të interesave të larta të kombit dhe atdheut në homazh të të rëndëve për komb e atdhe, në respekt të kalvarit të gjatë të mundimeve të mia 50-vjeçare, ju lutem më krijoni mundësinë për të ardhur në SHBA, në tempullin e lirisë, pranë “Vatrës” atdhetare të rilindësve të ndritur me qëllimin e shenjtë: t’i tregojmë botës shqiptare monstruozitetin 50-vjeçar komunisto-enverist, t’i japim sa nuk është vonë momentit të sotëm kursial shqiptar alarmin e rrezikut të madh të zhdukjes si komb e troje, sërish të tradhtuar prej të njëjtëve komunistë, sërish të sulmuar prej shovinistëve serbë grekë”.

Ishte qershor 1998, kur ky martir i gjallë i luftës dhe i burgimit komunist ndjente rrezikun e së keqes që i avitej shqiptarëve prej fqinjëve të tyre. Aqif Selimi nuk është ëmë, pro në mendjet dhe zemrat e shtresës së të persekutuarve, por edhe qytetarëve që e njohën dhe e dëgjuan Aqif Selimin në rrëfimet e tij të sinqerta si vetë ai.

 

Hyqmet ZANE

 

 

 

Categories
Personazhe

Veli Dedi, komandanti i lavdishëm shqiptar i betejave të Madridit e Marsejës

Në 100-vjetorin e lindjes së gjeneral major Veli Dedit, patriot e trim i madh nga Kosova, luftëtar internacionalist për lirinë e popullit spanjoll e francez, hero i popullit shqiptar

Veli Dedi zotëronte disa gjuhë. Përveç gjuhës së nënës, ai e zotëronte frëngjishten, spanjishten, italishten dhe serbishten, që i kishin mundësuar të lexonte, të mësonte e të fitonte shumë njohuri e përvoja. Thoshte se vetëm kështu, me sjelljet, me qëndrimin e autoritetin, “oficeri edukon tek ushtari kulturën qytetare dhe ushtarake, disiplinën, pamjen e jashtme, zbatimin me korrektësi të detyrës së tij

Në ceremoninë e varrimit të tij më 3 shkurt 1995, përfaqësuesi i Ambasadës së Francës në Tiranë, si atashe ushtarak, ndër të tjera, theksoi: “Më vjen keq që një shqiptar që ka luftuar për çlirimin e popullit tim, unë e takoj të vdekur”.

Mbi 100 vjet më parë, me 5 prill 1912, në fshatin Dede të Komunës së Medvegjës në Kosovën lindore, në familjen e Jasharëve, (bashkëshortëve Musa dhe Gjyle Radinoci) u lind fëmija i tetë, Veliu. Ai lindi mes hallesh e vuajtjesh të mëdha të shkaktuara nga robëria e egër e çnjerëzore serbe që kishte përfshirë të gjitha familjet e trojeve shqiptare të asaj treve. Gjyshi dhe babai i tij pati luftuar si para dhe pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit përkrah burrave të mëdhenj shqiptarë, të atij kuvendi historik, si dhe gjatë luftërave ballkanike për lirinë e trojeve etnike dhe shpalljen e pavarësisë që u arrit me 28 Nëntor 1912.

Shkollën fillore e kreu në Medvegjë e Gazdar, të mesmen-gjimnaz në Leskoc. Fakultetin e makinerisë e kreu në Beograd. Më 1932, punoi në një firmë në Shkup, me synim për të shkuar në Turqi, por, siç thotë vetë, ai në kujtimet e tij, një shkrim i Bedri Pejanit ndikoi që të vinte në Shqipëri. “Nga Bedri Pejani kisha mësuar historinë e Kosovës, ndërsa nga Emrush Myftari e kisha më të afërt se nga duhej të orientohem në jetën time”,- thoshte Veliu. Po kështu, besnik i qëndroi porosisë së nënë Gjyles që i kishte dhënë për vazhdimin e shkollës ushtarake: “Ma mirë me opingat e Shqypnisë se sa me çizmet e Serbit”.

Pasi erdhi në Shqipëri, vazhdoi shkollën mbretërore të oficerëve, por njëherësh, i lindi dëshira për të shkuar në Akademi Ushtarake në Itali, gjë që e shtyu për të mësuar gjuhën italiane shumë shpejt. Kështu në vitin 1934 shkoi në Itali për studime ushtarake, ku për dy vite kreu Akademinë e Xhenios e të Artilerisë në Torino.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri dhe Itali, njihet me shumë patriotë shqiptarë, si, Ali Këlmendi, Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Emrush Myftari, Sali Vuçiterna, Ibrahim Gjakova, Xhemal Kada, Asim Vokshi (një ndër shokët më të ngushtë të tij), etj.

Me 1933, bëhet anëtar i Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës. Vazhdimisht, e deri sa ndërroi jetë, mendja i punonte e zemra i rrihte për Atdheun, për Shqipërinë e Kosovën e për mbarë trojet shqiptare.

Internacionalisti i dekoruar me “Urdhrin e Kavalierit të Lirisë”

Kur fashistët e Frankos iu vërsulën Spanjës Republikane në 1936-ën, Veliu u nis në mbrojtje të lirisë së popullit spanjoll, bashkë me Asim Vokshin, Ramiz Varvaricën, Xhemal Kadën, Zef Hotin, Musa Fratarin, Thimio Gogozotin e të tjerë, që dhanë jetën, gjënë më të shtrenjtë të njeriut, për një ideal të madh, për lirinë e popullit spanjoll. Shokët e tij të luftës, Petro Marko, Skënder Luarasi, Justina Shkupi, Zef Prela e të tjerë, së bashku me shumë luftëtarë spanjollë të lirisë, e vullnetarë antifashistë italianë, në shumë beteja të fronteve të rezistencës spanjolle dhe luftime të brigadave internacionaliste, panë Veliun të hidhej me trimëri të rrallë kundër fashistëve, me thirrjen “NO PASERA!”. Në fillim, luftoi me Brigadën “Garibaldi” përkrah brigadave internacionaliste të 57 vendeve të botës, përfshirë batalionin “Abraham Linkoln” të Amerikës.

Frontet kryesore të luftës ku mori pjesë Veliu kanë qenë: Fronti i Madridit, Barcelonës, i Aragonës dhe i Ebros. Më 1937, gradohet kapiten dhe në sajë të aftësive, profesionalizmit e zotësisë të tij mundi të marrë e të kryejë detyra të rëndësishme, si shef Xhenio e shef Operativ i Divizionit të Ebros. Për aftësitë e shfaqura në fushën e betejës, për guximin dhe trimërinë e treguar gjatë luftës në çdo front, në 1938-ën, dekorohet me “Urdhrin e Kavalierit të Lirisë”.

Shqiptari, komandant i Forcave Franceze të Rezistencës për rajonin e Marsejës

Në fund të 1939-ës, kur Revolucioni Spanjoll u mbyt me gjak nga fashistët e Musolinit e të Frankos, Veliu, me shumë antifashistë të tjerë, kaloi nga Spanja në Francë për të vazhduar më tej luftën kundër pushtuesit nazist të Francës. Fillimisht, atje i vendosën në një kamp përqendrimi, gjë që Veliut i shërbeu për të mësuar mjaft mirë gjuhën frënge, që e përdori, më së miri, për sa kohë që jetoi e luftoi në Francë. Në këto kushte përqendrimi, nuk duroi dot për shumë kohë dhe u arratis, duke iu bashkuar luftëtarëve të rezistencës franceze pas pushtimit nazist të vendit. Veliu mori pjesë dhe u dallua për trimëri e profesionalizëm në organizimin dhe kryerjen e veprimeve luftarake diversioniste në front, e sidomos në prapavijat e armikut, ku me përdorimin e mjeteve të luftës me mina e eksploziv, duke hedhur në erë objekte e linja hekurudhore ua nxiu jetën pushtuesve nazistë të Hitlerit. Ai, i njohur nga bashkëluftëtarët si vaillant albanais (trimi shqiptar) për guximin, trimërinë dhe aftësitë e treguara në luftimet dhe aksionet e zhvilluara, u emërua në detyrën e Komandantit të Forcave Franceze të Rezistencës për rajonin e Marsejës.

Me thyerjen e rezistencës së armikut, të cilit po i vinte fundi, Veliu futet në qytetin e Marsejës dhe përpara turmës që brohoriste, ngrihet e thërret duke valëvitur flamurin francez “Rroftë Franca e Lirë”. Pas disa ditësh luftime, forcat e rezistencës, nën drejtimin e tij, hidhen drejt kodrës së qytetit, ku armiku ende rezistonte e zhvillonte përleshje të përgjakshme. Atje u shfaq heroizmi i tij i pashoq si antifashist trim e i paepur, hero i dy popujve, atij spanjoll e francez. Në luftimet e zhvilluara gjatë betejës përfundimtare, në ditën e çlirimit të qytetit të Marsejës, në 1944, Veliu në ballë të kryengritësve francezë, priu e çau përpara me flamur në dorë përmes breshërive të plumbave e shpërthimit të granatave të armikut dhe vendosi me dorën e tij flamurin e fitores në majë të kështjellës në kodrën e Marsejës po me thirrjen, “Rroftë Franca e Lirë”. Qyteti u çlirua.

Në sajë të aftësive të tij mundi që t’i bindte që të dorëzoheshin 37 mijë fashistë të cilët po luftonin që të rrënonin Marsejën. Argumentet që përdori për bindjen e tyre qenë njohja nga ana e tij e të gjitha Konventave Ndërkombëtare në hollësi e me profesionalizëm, si dhe siguria që u garantonte atyre në krye të njësisë franceze që drejtonte.

Më vonë, bashkë me repartin e tij u transferua në Niçe ku luftoi po me atë trimëri e vendosmëri në frontin franko-italian të Luftës së Dytë Botërore, deri në kapitullimin e plotë të bishës naziste.

Me sytë e zemrën tek atdheu, Shqipëria, Kosova dhe trojet shqiptare

Por Veliu, sytë e zemrën i kishte gjithnjë tek atdheu, tek Shqipëria, Kosova dhe trojet shqiptare. Kështu që, me 1946-ën, kthehet në Shqipëri me gradën e Majorit Francez, së bashku me bashkëshorten Elena, një italiane, antifashiste, që e njohu në Marsejë, e cila iu bë bashkëpunëtore dhe krah gjatë gjithë jetës së tij. Kthimin e tij në Shqipëri, populli ynë e priti me ngrohtësi, si birin e tij, trim e hero, që ia rriti e lartësoi figurën shqiptarit kudo në botë. Pikërisht për këtë ai u zgjodh për afro dy dekada deputet i rrethit të Tropojës. Pas kthimit në atdhe, me gradën e majorit francez, emërohet në detyrën e Drejtorit të Xhenios së Ushtrisë Shqiptare, ku dha një kontribut të lartë në organizimin, kompaktësimin e konsolidimin e trupave xheniere, si dhe në fortifikimin e brezit kufitar për përballimin e provokacioneve të monarko-fashistëve grekë te gushtit 1949. Gradualisht, mori gradimet në ushtrinë shqiptare deri me gradën e Gjeneral Majorit dhe titullin më të lartë “Hero i Popullit”.

Gjeneral major Veli Dedi ka meritën e veçantë për kontributin e jashtëzakonshëm që dha personalisht për çminimin e mëse 40 km front bregdetar të Shqipërisë, të minuara gjatë Luftës së Dytë Botërore, nga nazistët gjermanë. Me këtë shërbim që i bëri vendit, sot kudo në bregdetin tonë janë ngritur godina, hoteleri e shtëpi pushimi, ku njerëzit jetojnë, pushojnë e argëtohen pa pasur asnjë rrezik për jetën, për efekt sigurie në këtë drejtim. Gjatë gjithë kohës, që punoi në ushtrinë tonë, u shqua për kulturë ushtarake të gjerë, për profesionalizëm, aftësi drejtimi e komandimi, kërkesë të lartë e komunikim të arsyeshëm mbi bazën e argumenteve të nevojshëm.

Gjeneral Veli Dedi, gjatë jetës së tij në Shqipëri pas kthimit nga Franca, më 1946, kreu disa detyra të tjera shtetërore, të cilat, në një mënyre apo në një tjetër, tregonin për një mënjanim e ftohtësi ndaj tij nga drejtimet kryesore. Kjo, për arsye ende të panjohura e të papublikuara, që, me sa duket, i binin ndesh sistemit të kohës. Kështu kreu detyrën e Komandantit të Granizonit për Qytetin e Tiranës e më pas detyrën e Drejtorit të Arkivit Shtetëror të shtetit shqiptar, i cili në vitet ‘50 – të varej e kontrollohej nga Ministria e Punëve të Brendshme. Ketu Veliu shpalosi njeriun me kulturë të gjerë, me vizion e botë të madhe që duke ditur rëndësinë e këtij sektori dhe vlerat e tij për shtetin shqiptar, organizoi punën për vendosjen e çdo dokumenti apo materiali në vendin e vet të arkivit, për ruajtjen e vlerave të tyre në interes të shtetit Shqiptar. Me guxim e përkushtim ka mbledhur e grumbulluar, daktilografuar e përpunuar si dhe arkivuar dokumente që flasin për kombin tonë, e veçanërisht për Kosovën në një periudhë kur marrëdhëniet me ish-Jugosllavinë ishin prishur e acaruar shumë. Shembull domethënës për kujdesin e arkivimit të materialeve të nevojshme është edhe këshillimi që i dha fotografit të Shkodrës, Gege Marubi, që të krijonte një fototekë e ta vinte në dispozicion të shtetit shqiptar, pa pasur frikë për mbajtjen e fotografive në periudha të ndryshme të historisë, sepse ato kanë vlera të pakrahasueshme për ngjarjet e zhvilluara në çdo kohë.

Pas daljes në pension, gjeneral Veliu u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare për shumë vite me radhë dhe njëherësh edhe Anëtar i Forumit Drejtues të Federatës Internacionale të Rezistencës Antifashiste (FIR-it). Këtu punoi me përkushtim të madh duke përfaqësuar denjësisht shtetin shqiptar në organizmat ndërkombëtare për sa u përket luftërave të drejta që ka bërë populli shqiptar në shekuj për liri, pavarësi e demokraci.

Kontribut të shquar dha në edukimin patriotik të brezit të ri. Si patriot i madh që ishte, shquhet edhe në demaskimin e shovinizmit serbomadh, sepse i digjej shpirti për të parë Kosovën të lirë dhe të pavarur.

Në zyrën, shtëpinë e bibliotekën e tij, harta e Shqipërisë etnike

Në zyrën, shtëpinë e bibliotekën e tij, gjithmonë mbante hartën e Shqipërisë etnike, të nënvizuara viset e saj, veçanërisht ato të Kosovës, vendlindjen e tij, Medvegjen, e cila edhe sot lëngon nën thundrën e serbit, bashkë me Preshevën dhe Bujanovcin. Kosovën e donte të madhe, brenda kufijve të Shqipërisë etnike. “Nuk duam asnjë pëllëmbë tokë më shumë, por ama nuk u lëshojmë asnjë gisht toke nga toka jonë të huajve, kushdo qofshin ata”,- thoshte Veliu.

Kështu, gjithmonë e kishte në qendër të vëmendjes, se si do të bëhej çlirimi i Kosovës, si do të fitohej pavarësia e saj dhe në veçanti, si dhe kur do të bëhej i mundur bashkimi kombëtar e heqja e kufijve ndërmjet shqiptarëve për të vënë në vend padrejtësitë që i janë bërë kombit tonë në shekuj. “Mos vdeksha pa u çliruar Kosova, se dheu nuk më tret”,- thoshte Veliu, e më tej vazhdonte: “Lirinë e konsideroj si frymën që merr njeriu për të jetuar; Them kështu, sepse, pa Kosovë të lirë, nuk ka as liri të Shqipërisë”.

Me dhimbje të madhe kujtonte shpesh herë Masakrën e Tivarit të 1 Prillit 1945, kur qindra rekrutë kosovarë të paarmatosur e të mashtruar u ekzekutuan nga ushtarët serb e malazez, pasi më parë kishin kaluar përmes tokës shqiptare, ngjarje kjo e mbetur shumë e zbehtë për historinë tonë deri para pak kohësh.

Gjeneral Major Veli Dedi ishte, gjithashtu, një studiues i shquar, merrej me punë shkencore, studionte e punonte me librin në disa gjuhë të huaja si frëngjisht, spanjisht, gjermanisht, italisht, serbo-kroatisht, rusisht, e të tjerë. Ai shkruante edhe poezi. Në njërën prej tyre, kushtuar nënës së tij, me dhembje të madhe për Kosovën e Medvegjen këndonte: “Në robëri, nënë, jeta ty të shkoi/ tokën ku kemi lindë nuk po e gëzojmë/ po mos ki dert nanë/ se me luftë do ta çlirojmë”.

Proceset demokratike në Shqipëri i priti me gëzim të madh, i përgëzoi dhe i mbështeti moralisht, në kushtet e një moshe madhore me besimin e madh se ato do të ndikonin e do të ndihmonin në ndryshimin e gjendjes në Kosovë e në çlirimin e saj. Vërtet me luftën që bëri UÇK-ja e mbështetur fuqimisht nga Aleanca e Atlantikut (NATO-ja, Kosova u çlirua dhe fitoi pavarësinë. Por mund të themi se ëndrra e gjeneral Veliut nuk u realizua plotësisht, përderisa Kosovës i mbetën të shkëputura nga trungu i saj, sot e kësaj dite tri komuna të mbetura nën Serbinë, siç janë Presheva, Bujanovci e Medvegja. Dhëntë Zoti që edhe këto treva të çlirohen nga thundra serbe e t’i bashkohen Kosovës së çliruar e të pavarur.

Gjeneral major Veli Dedi, vdiq më 3 shkurt 1995, në Tiranë. U përcoll me nderime e respekt nga shteti shqiptar dhe populli i Tiranës si luftëtar e veteran i Luftës së Spanjës, si komandant i Forcave Franceze të Rezistencës për Marsejën në Luftën e Dytë Botërore. Si ushtarak e Hero i lavdishëm i kombit tonë, si deputet i rrethit të Tropojës, populli i të cilit, me malësorë, me intelektualë, me ushtarakë, rini e deri fëmijët e mbajtën në mesin e tyre, në vatrat e tyre, si njeriun e veçantë të zemrës së tyre, për përfaqësimin e denjë që u bënte, për zgjidhjen e halleve dhe problemeve që kishin, si për shkollimin e fëmijëve, për gjendjen shëndetësore, për punësim, për rrugë e kushte jetese, etj.

Në ceremoninë e varrimit të gjeneral Veliut, Atasheu Ushtarak i Francës në Shqipëri, ndër të tjera theksoi: “Më vjen keq që një shqiptar që ka luftuar për çlirimin e popullit tim, unë e takoj të vdekur”.

Në këtë 100-vjetor të lindjes, familja, farefisi, shokët e veteranët, ushtarakët, të gjithë së bashku kujtojmë gjeneral major Veli Dedin, “Heroi i Popullit” për jetën e tij të lavdishme si një ndër figurat e ndritura të kombit tonë, tek i cili spikatën cilësitë e virtytet më të larta që gëzon njeriu: i thjeshtë, i dashur, i ndershëm, i sinqertë, besnik, i mençur, i pastër moralisht, trim e guximtar deri në vetëmohim. Patriot i madh dhe i pavdekshëm.

I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!

Ali Demushi

Categories
Personazhe

Shuhet kantautori italian Lucio Dalla! Cila ishte karriera e tij

Shuhet kantautori italian Lucio Dalla. Këngëtari bolonjez mësohet se ka vdekur si pasojë e goditjes së infraktit gjatë turit në Zvicër, ku ndodhej atje për realizimin e disa koncerteve. Në datën 4 mars, ai do të festonte ditëlindjen e tij të 69-të.

Një jetë me muzikën: Që prej vitit 1964, në moshën 21 vjeçare ai filloi xhiron e parë muzikore e cila zgjati deri në pjesëmarrjen e fundit në Festivalin e Sanremos, ku ka qenë në skenë së bashku me kantautorin e ri Pierdavide Carone me këngën “Nanì”. Kantautori italian është bërë pjesë e olimpiadës së muzikës italiane me këngë të tilla si: “L’anno che verrà”, “Caro amico ti scrivo o Caruso”, të cilat janë konsideruar kryevepra muzikore.

Fillimet e karrierës artistike: Me muzikën Lucio Dalla është marrë që në moshë të vogël. Pas incizimeve të para do të prezantohet në skenën e Sanremos në vitin 66 me Paff…Bum. Nga periudha kohore e 1974 -1977 ai ka bashkëshpunuar me poetin bolonjez Roberto Roversi. Në 1977 ai shkruan vet tekstet e këngëve të tij: “Com’è profondo il mare”, e më pas në ’78 del Lucio Dalla, me këngë të tilla si Anna e Marco dhe L’anno che verrà.

Vitet 80-të: Pikërisht në periudhën gjatë këtyre viteve, Dalla arrin suksesin në muzikë. Në fillim bashkëpunimi me Francesco De Gregori në turneun “Banana Republic”, i cili u zhvillua në fund të viteve 70-të dhe më pas disku Dalla. Në vitin 1986 është viti i Dallamericaruso, që përmban Caruso. Në këtë periudhë kohore, si pasojë e suksesit të këngës, ai arrin të shesë 8 milionë kopje disqesh, dhe që incizohet në 30 versione të ndryshme, mes të cilave edhe një me Luciano Pavarotti.

Në fund të këtyre viteve Dalla bashkëpunon me një tjetër zë të mrekullueshëm të muzikës italiane, Gianni Morandi. Albumi Dalla/Morandi, arrin sukses edhe nëpërmjet turneve në vende të ndryshme. Në 1990 në television prezanton këngën e tij të re “Attenti al lupo” dhe më pas realizon albumin muzikor “Cambio”. Në total disku arriti thuajse 1.400.000 kopje të shitura.