Categories
Këshilla Shëndet

Variçet, veshjet që duhet të evitoni dhe disa këshilla praktike

Një veshje shumë e ngushtë pengon qarkullimin e gjakut. Kush vuan nga shqetësime të lidhura me qarkullimin e keq të gjakut duhet të evitojë të veshë: xhinse dhe veshje shumë në ngushta. Duhet të zgjidhni pantallona të gjera dhe bluza pambuku.

  • Bëni mirë të eliminoni zhartierët dhe të përdorni çorape elastike dhe të buta. Ka çorape që përmirësojnë qarkullimin e gjakut. Bëhet fjalë për çorape të bëra me një fije të posaçme që reduktojnë në mënyrë të ndjeshme prezencën e kapilarëve dhe të variceve, pasi ushtrojnë në këmbë një masazh shumë të nevojshëm.
  • Evitoni këpucët me shumë takë dhe majë. Këmba duhet të ketë një sipërfaqe të mirë mbështetëse tek këpucët dhe taka nuk duhet të jetë shumë e lartë. Ajo perfekte është taka mesatare 4-5 cm.
  • Mos e ekzagjeroni, duke ngrënë në tavolinë, pasi mbipesha favorizon qarkullimin e keq të gjakut. Preferoni gjithmonë një dietë të pasur me fruta dhe me perime. Zgjidhni ujë natyral që lehtëson eliminimin e skorieve të organizmit. Ndaloni të gjitha pijet me gaz.
  • Përpiquni të mos pini duhan, pasi duhani ngushton enët e gjakut.
  • Evitoni mbajtjen e të njëjtit pozicion për orë të tëra. Të kalosh një ditë të tërë ulur ose në këmbë provokon probleme të mëdha. Është mirë të shpini këmbët të paktën çdo orë. Ideale është të rrini me këmbët e ngritura, kur t’i ndjeni ato shumë të lodhura. Niveli i këmbëve duhet të jetë i njëjtë me atë të zemrës.

Lexo edhe: Variçet, metodat e fundit të trajtimit

Categories
Shëndet

Lëndimet e boshtit kurrizor, pse shkaktohen?

Palca kurrizore mund të dëmtohet në momentin e lëndimit të unazës, por edhe më vonë me rastin e lëvizjes, evakuimit dhe transportin e të lënduarit. Shtylla kurrizore përbëhet prej unazave, kocka të brizuara që renditën si tërësi duke formuar kanalin e boshtit kurrizor. Brenda kanalit të shtyllës kurrizorë gjendet palca kurrizore, ganglionet e nervave dhe qelizat, të cilat përçojnë impulset nervore nga truri në pjesë të ndryshme të trupit dhe anasjelltas. Nga palca kurrizore, veç e veç, ndahen nervat, të cilët dalin nga kanali i shtyllës kurrizore. Te thyerjet e unazave, fragmentet kockore mund të lëndojnë palcën kurrizore që shpije deri te paraliza e plotë ose e pjesshme e muskujve dhe humbja e ndjeshmërisë nën nivelin e lëndimit (paraplegia-paraliza e ekstremiteteve të poshtme, quadriplegia-paraliza e të katër ekstremiteteve).

Shkaktarët më të shpeshtë të lëndimit të boshtit kurrizor

Aksidentet e trafikut

Në aksidentet e trafikut pësojnë të gjitha pjesët e unazave, por më të shpeshta janë lëndimet e vertebrave të qafës të shkaktuara për shkak të lakimit të vrullshëm përpara në ndeshjen ballore, në drejtimin e pasmë kur goditja është në pjesën e pasme të veturës.

Kërcimi në ujë

Ky është një shkaktar i frakturave të unazave të qafës dhe pasoj e paralizës së tërë trupit.

Rënia nga lartësia

Për lëndim të unazave duhet dyshuar:

  • kur i lënduari ankohet në dhimbje në shpinë dhe qafë
  • kur lëndimi është i përcjellë me humbje të vetëdijes
  • në çdo lëndim të rëndë të kokës
  • te lëndimet e shumëllojshme

Kompresioni i zemrës në mes të sternumit dhe shtyllës kurrizore

Shenjat e lëndimit të palcës kurrizore

  • dobësia ose paraliza e ekstremitetit (pyeteni të lënduarin a mund të lëvizë duart dhe këmbët ose gishtërinjtë e dorës dhe këmbës).
  • Dobësimi ose humbja e ndjenjës (pyeteni të lënduarin se a e ndien prekjen tuaj në këmbët, trup dhe duar).
  • Ndjenja e nxehjes në ekstremitetet. Ndonjëherë i lënduari ka ndjenjën se është “ndarë përgjysmë”.

Veprimet

Vetë dyshimi në lëndimin e boshtit kurrizor kërkon veprime sikur ky lëndim të ekziston.

  • Derisa pritni ardhjen e ndihmës së shpejt lëreni të lënduarin në vend në pozitën të cilën e keni gjetur.
  • Kur dyshoni në lëndime të unazave të qafës me kujdes fiksoni me duar kokën që ta evitoni lëvizjen.
  • I thoni të mos lëvizë dhe mos e leni vetëm.

Situatat në të cilat duhet ta tërhiqni të lënduarin

  • Nëse personi është pa vetëdije kontrolloni frymëmarrjen dhe cirkulacionin dhe sipas nevojës ndërmerrni masat reanimuese.
  • Të pavetëdijshmit, i cili ka frymëmarrje e ktheni në pozitë të krahut.
  • Nëse i kërcënohet rreziku në vendin ku qëndron (p.sh. autoudha, zjarri) transferoje në vend të sigurt. Për ngritje dhe tërheqje të lënduarit nevojiten shumë njerëz, të cilët duhet t’i koordinojnë lëvizjet e tyre. I lënduari lëvizë si tërësi e plotë, pa e lakua trupin. Kur dyshojmë në lëndimet e pjesës së unazave cervikale një person duhet ta mbaj kokën ta evitojë lakimin dhe rotacionin e kokës. Këtë do ta bëj ashtu që shuplakat e duarve t’i vendos nën shpatullat e viktimës derisa koka shtrihet në parakrah.
  • Nëse ndihma e shpejtë mjekësore nuk ka qasje atëherë mbetët që vet ta bëni imobilizimin ta lidhni të aksidentuari-viktimën. Ju nevojitet një dërrasë e gjerë ose pllakë (mund të shërbej edhe dera) ose automjeti adekuat. Kur dyshojmë në lëndime të unazave të qafës, koka duhet të fiksohet me jastëk dhe rripa në të dy anët që të mënjanohen tërheqjet gjatë transportit.
Categories
Lifestyle Shëndet

Vrapi? Një ilaç i vërtetë, nëse bëhet mirë. Këshilla për ata që vrapojnë

Të vraposh më pak se 15 kilometra në javë është një mundim që shkon kot: aktiviteti fizik është shumë i paktë për të aktivizuar mekanizmat që të mbrojnë nga arterioskleroza dhe sëmundje të tjera të zemrës. Por nëse distanca dyfishohet, pra nëse ju impenjoheni për të vrapuar për një orë tre herë në javë, në gjak zhvillohet një revolucion i vogël: Kolesteroli i keq zvogëlohet në favor të kolesterolit të mirë, presioni i gjakut ulet, ulet edhe glicemia, por mbi të gjitha akumulimet e yndyrës në gjak ndalohen. Praktikisht arterioskleroza dhe rreziku i infarktit reduktohen mjaft. Nëse më pas impenjimi juaj rritet dhe distanca që përshkoni bëhet rreth 75 kilometra në javë, ose më mirë rreth një orë vrap në ditë, rreziku për shqetësimet kardiake përgjysmohet.

Në konkluzione të tilla kanë arritur studimet e zhvilluara në “Center for Health Promotion & Education” (Qendra për Promovimin e Shëndetit dhe të Edukatës) në Atlanta. Dhe këto të dhëna të gërshetuara edhe më studime të shumta të tjera, të çojnë në përfundime të reja dhe të panjohura më parë: çdo minutë në jetë e kaluar duke vrapuar shton tre minuta jetëgjatësi.

Po aq interesante janë rezultatet e studimit që evidentojnë se kur vrapi parandalon dhe kuron osteoporozën, një sëmundje që godet më shumë gratë pas menopauzës, duke i bërë kockat e tyre më të dobëta dhe kështu, më të predispozuara për fraktura. Pra, rezistenca e kockave të grave qe kanë vrapuar gjithmonë rezulton 40 për qind më e madhe se tek ato gra të cilat kanë zhvilluar një jetë sedentare. Një vlerë, vërtet e konsiderueshme. Atëherë më ardhjen e kësaj stine të bukur, do t’u bënte mirë të gjithëve që, pasi të jeni konsultuar me mjekun, të vishni atletet dhe me një vullnet edhe më të fortë, të nisni të bëni pasditeve vrap.

Kilogramët false, ato reale dhe kilogramët e rrezikshme

Po, por duhet të dini se kilet që mund të humbisni duke vrapuar janë të tre tipeve të ndryshme: reale, falsë e për fat të keq edhe të rrezikshëm. Kilet reale, më të vështirë për t’u eliminuar janë të përbërë nga dhjami i tepërt. Në çdo kilometër të përshkuar me vrap, digjen rreth 70 kalori. Duke qenë se çdo gram dhjam i korrespondon 9 kalorive, rënia reale e peshës për çdo kilometër është 7.7 gramë. Pak në të vërtetë . Po si ndodh që pas një ore vrapim në mënyrë të veçantë kur temperatura është e lartë, kilet e humbura mund të jenë edhe dy ose tre? Bëhet fjalë për kile false, që vijnë nga uji që del me djersën dhe nga harxhimi i karbohidrateve të grumbulluara në muskuj në formën e glikogjenit. Janë kile, të cilat merrem sërish duke pirë ujë dhe për shkak të oreksit që hapet për të ngrënë. Për fat nëse vrapimi praktikohet me rregull, le të themi për një orë tre herë në javë, që pas muajit të parë pesha trupore zvogëlohet duke mbajtur këtë tendencë. Por le të vijmë në fund tek kilet e rrezikshme. Janë kilet që mund të humbasë një person që është i dobët shumë dhe që për të vrapuar është i detyruar të djegë proteinat e muskujve. Një rrezik të cilin duhet ta kenë në qendër të vëmendjes në mënyrë të veçantë atletët.

Këshilla për femrat që vrapojnë

Zonjusha dhe zonja, nëse vraponi bëni mirë të vishni reçipeta. Mjekët e Universitetit të Portsmouth, duke analizuar në mënyrë tredimensionale lëvizjen e gjoksit gjatë vrapimit, kanë arritur në përfundimin se spostimet shkojnë mesatarisht 9 cm për një hap-vrap. Për çdo milje të përshkuar, gjoksi zhvendoset me rreth 135 metra. Duke pasur parasysh se gjoksi peshon mesatarisht 200-300 gramë, këto spostime mund të krijojnë një stres të madh për lëkurën, tërheqje të shtresave të shoqëruara me dhimbje të atyre që ne në gjuhën popullore u themi “këputje mishi”. Natyrisht që edhe pasojat estetike janë të padëshiruara. Dëmtimet, sipas drejtoreshës së studimeve, Joanne Scurr — evitohen duke veshur reçipetat klasike që reduktojnë rreziqet në 38 për qind dhe më mirë akoma do të ishte nëse përdoret recipeta sportive me siglën “shock absorber”, që reduktojnë tronditjet e gjoksit deri në 78 për qind.

Efektet e vrapimit në organizëm

Për trurin: Vrapimi stimulon në nivelin cerebral prodhimin e endorfinave, substance që, duke dhënë ndijime të njëjta me ato të morfinës, ulin perceptimin e dhembjes, reduktojnë efektet negative të tensionit nervor dhe për pasojë përmirësojnë tonin e humorit

Për zemrën: Vrapimi përmirëson eficencën e qarkullimit të gjakut dhe të punës së zemrës. Gjatë ushtrimit fizik, në fakt, hyjnë në qarkullim substance që kanë një efekt zgjerues për enët e gjakut si adrenalina dhe noradrenalina. Pra rezistenca e gjakut kur takon muret e enëve është e vogël, me efekt uljen e tensionit të gjakut.

Për aparatin tretës: Duke vrapuar, rregullohen funksionet e aparatit tretës edhe sepse me një aktivitet fizik konstant, qendra cerebrale e urisë tenton të ekuilibrohet, gjë që çon në kërkesën për një ushqim më të mirë me një sasi më të ulët.

Për kockat: Vrapimi ka treguar se është një ushtrim fizik shumë i mirë për të mos ndjerë pasojat e reduktimit të mineraleve në kockave që çojnë në brishtësinë e tyre, në mënyrë të veçantë nga gratë me moshë 35-40-vjeçare dhe sidomos tek ato pas menopauzës.

Për enët e gjakut: Për të përballuar kërkesën me oksigjen që kanë muskujt gjatë vrapimit, enët e gjakut e në mënyrë të veçantë ato periferike, zgjerohen dhe zhvillohet, duke përmirësuar qarkullimin e gjakut, vrapimi është armik i celulitit.

Categories
Shëndet

Pse shkaktohet dhe si mund të kurohet koliti

Masat që merren për parandalimin e sëmundjes dhe regjimi ushqimor që duhet të ndiqet

Koliti është një sëmundje, nga e cila vuajnë një e treta e shqiptarëve, megjithëse shumë pak dinë ta vetëkurojnë këtë sëmundje. Shumë prej të sëmurëve që vuajnë nga koliti, i nënshtrohen një terapie për një kohë të gjatë me ilaçe dhe dietë të rreptë, por pa pasur ndonjë përmirësim të dukshëm.

Kjo sëmundje tepër serioze dhe mjaft shqetësuese, e cila prek shumë njerëz, quhet ndryshe sëmundje e zorrës së trashë. Kjo sëmundje ka të bëjë me inflamacionin e mukozës në zorrën e trashë.

Simptomat e para tek të prekurit nga koliti

Koliti karakterizohet nga dhimbje të lehta që më pas bëhen të forta, duke përfshirë gjithë zorrën e trashë. Mund të shoqërohet me heqje barku ose me vështirësi në të dalët jashtë. I sëmuri mund të ketë dhembje koke ose turbullira në kokë, mund të ketë edhe pak temperaturë. Në rastet kur sëmundja ka avancuar, pra kur ai e dëmton shumë mukozën e zorrës së trashë, në jashtëqitje mund të ketë më tepër mukus dhe shpeshherë edhe gjak.

Shkaqet e shfaqjes së sëmundjes

Kjo sëmundje pezmatuese akute ose kronike në zorrën e trashë, mund të provokohet nga helmime ekzogjene (substanca ushqimore të prishura, që dëmtojnë zorrët, helmime ekzogjene (uremi, diabet, atrit urik), infeksione bakteriale, virus dhe parazite ose alternimin e të dyjave për humbjen e ekuilibrit, mund të jetë edhe e një natyre alergjike (reaksion i ushqimeve, helmues bakteriale ose e një natyre të inflamacionit kronik (koliti ulceroz).

Shkaqe të tjera të shfaqjes së kësaj sëmundjeje janë dispepsia brujtese (kur karbohidratet, dhe sidomos amidoni, nuk treten mire dhe arrijnë në pjesën e poshtme të zorrës së hollë dhe asaj të verbër pa u tretur, ku u nënshtrohen rregullave brujtëse jashtë rregullave të tretjes) dhe ajo skeptike (ushqimet kalojnë të patretura në zorrën e hollë dhe atë të trashë), sëmundjet e barkut ose mikrobet patogjene, një ushqyerje jo e mirë, përdorimi i ushqimeve natyrore të papërpunuara nga mosërtypja e mirë e ushqimit.

Gjithashtu, përdorimi i disa ilaçeve të hemorroideve. Kjo ndodh kur i sëmuri me hemorroide bën vetë terapinë, duke marrë jodure, arsenike të ndryshëm ose ilaçe të tjera me të cilat ka vetëm një përmirësim të përkohshëm.

Masat që duhet të marrë i sëmuri

I sëmuri duhet t’i nënshtrohet një diete rigoroze, jo shumë të rreptë e të kufizuar, por e tillë që t’i japë atij të gjitha lëndët ushqyese, vitaminat dhe kripërat e nevojshme. Për të sëmuret do të rekomandohej të përdornin kryesisht ushqime te lëngshme, supa me zarzavate duke përdorur dhe vajin e ullirit. Ushqimet e thata janë kategorikisht të ndaluara.Ushqimi për çdo vakt duhet të jetë në sasi të paktë që të tretet lehtë e të mos shtyhet në zorrën e trashe pas tretjes se çdo vakti, pasi e dëmton atë.Ushqimet duhet të jenë të ziera ose të pjekura mire dhe sidomos të përtypen sa më mirë.Të kufizohen pijet alkoolike, kafja, buka e freskët, prodhimet bimore natyrore e të forta, të kripurat.

Të mos përdoren ushqime pikante

Ne rastet kur i sëmuri ndien dhimbje, përdoret buskopan, nospa spazmaforma. Kur i sëmuri ka probleme me aparatin tretës, atëherë duhen përdorur tretës të ushqimeve siç është mezynforte, me qëllim që ushqimi të shkojë i gatshëm në zorrë.Trajtimi i kësaj sëmundjeje varet nga shtrirja dhe rëndësia e saj.Koliti distal, që është një nga llojet e këtij koliti, trajtohet me lyerje me mesaline dhe kortikosteroide, ndërsa koliti disi i rende qe përfshin kolonin sigmoid trajtohet me mesaline, sulfalazine dhe kortikosteroide orale. Koliti i rende trajtohet me kortikosteroide intravenoze, ciklosporine ose me operacion. Ne kolit fulminant jepen antibiotike.

Pasojat dhe komplikimet

Megakolon toksik, peritonit. Në këtë rast, mund të kemi shtim të rrezikut së shfaqjes së kancerit të kolonit. Për parandalimin e këtij rreziku duhet te behet patjetër kolektomi.Një tjetër pasojë mund te jete shfaqja e gurëve ne veshka. Për parandalimin e kësaj duhet shtuar sasia e kalciumit ne diete; kalciumi reagon me acidin oksalik në zorrë dhe parandalon thithjen e tij.

Koliti kronik

Here pas here acarohet, duke u kthyer në kolit akut, me temperature, dhembje të forta në zorrën e trashë, diarre dhe me më shumë mukus në feces.Koliti kronik ulceroz është më i rëndë nga llojet e tjera, sepse dëmton shumë mukozën në zorrën e trashë, duke e zgjeruar atë dhe në këtë mënyrë inflamacioni përhapet.Simptomat janë të ngjashme me kolitin e zakonshëm, por me ndryshimin se ne jashtëqitje ka më tepër mukus dhe shpeshherë qelb e gjak. I sëmuri ndien dhembje në zonën e zorrës së trashë që është e dëmtuar. Kjo sëmundje ka fazat e saj acaruese dhe merr formën e dizanterise. I sëmuri mund të dobësohet shume dhe mund të shfaqen ndërlikime të ndryshme.

Koliti ulcerativ

Është sëmundje idiopatike autoimune e kolonit. Kjo sëmundje prek gjithmonë rektumin, por mund të shtrihet edhe me tej. Ne qofte se preket vetëm rektumi, në këtë rast, kemi të bëjmë me proktik ulcerativ, nje semundje beninje.

Shenjat dhe simptomat e ketij lloji koliti jane: diarre me gjak, dhembje barku, kolike, megakolon toksik, peritonit.

Diagnoza: Kolonoskopi dhe biopsi

Ne kolonoskopi shihen zona ulceroze që gjithmonë përfshijnë rektumin, mukoza duket e brishtë dhe gjakoset kollaj.Në biopsi shihen absoese ne kripte dhe polimorfonukleare te shumte; preken vetëm mukoza dhe submukoza, jo e gjithë trashësia e murit te zorrës.

Categories
Këshilla Shëndet

Goditja e fundit për gurët në veshka

Shkaqet e krijimit të gurëve në veshka, shpesh janë të panjohura. Mënyra të caktuara të të ushqyerit mund të jenë shkak për formimin e gurëve tek njerëz të ndjeshëm, megjithatë shkencërisht nuk besohet se konsumi i ushqimeve specifike nga persona të ndjeshëm shkakton formimin e gurëve në veshka.

Një person që ka familjarë me gurë në veshka, ka më shumë mundësi të jetë më i ekspozuar ndaj shfaqjes së tyre. Çrregullime të caktuara metabolike si hiperpara­tiroidizmi, infeksionet urinare, çrregullime të veshkave si dhe sëmundje cistike të tyre, janë, gjithashtu, të lidhura me formimin e gurëve. Gjithashtu, më shumë se 70 për qind e njerëzve me një sëmundje të rrallë të trashëguar që quhet renal tubular acidosis, janë më të ekspozuar ndaj formimit të gurëve në veshka.

Shkaktarë të tjerë të gurëve në veshka mund të jenë: konsumi i tepërt i vitaminës D; infeksionet urinare si edhe bllokimi i rrugëve urinare. Disa diuretikë dhe antiacidë me bazë kalciumi mund të rrisin rrezikun e formimit të gurëve në veshka duke rritur sasinë e kalciumit në urinë.

Gurët e veshkave mund të formohen edhe tek personat që kanë infeksion kronik në zorrë ose që kanë pasur një operacion by-pass intestinal. Gjithashtu, edhe kur urina përmban sasi të tepërt të substancave të caktuara. Këto substanca mund të krijojnë kristale të vogla të cilat shndërrohen në gurë. Gurët në veshka mund të mos shfaqin simptoma deri sa fillojnë të lëvizin poshtë nëpër tubat përmes të cilëve urina shkon në fshikëz. Kur kjo ndodh, gurët mund të bllokojnë rrjedhjen e urinës nga veshka. Kjo gjë shkakton ënjtje të veshkave duke sjellë dhimbje shumë të fortë.

Gurët në veshka shfaqen më shpesh tek meshkujt. Ekzistenca e tyre rritet më shumë kur meshkujt hyjnë në të 40-at dhe vazhdojnë deri në të 70-at.

Tek femrat, shfaqja e gurëve në veshka është më e shpeshtë kur ato hyjnë në të 50-at. Kur tek një person shfaqet një gur në veshka, rritet mundësia që të zhvillohen edhe gurë të tjerë.

Lëngjet, elementi më i rëndësishëm për pacientët me gurë në veshka

Në mënyrë që të prodhohet një volum urinar prej të paktën 2 litrash në ditë, rekomandohet të pihen sasi të bollshme lëngjesh. Në periudhat e djersitjes së vazhdueshme apo ushtrimeve fizike, rekomandohet një sasi ditore prej 3 ose më shumë litra lëngje (mbi 12 gota). Është e rëndësishme që sasia e lëngjeve të shpërndahet në mënyrë sa më të barabartë gjatë 24 orëve. Pothuajse të gjitha lëngjet janë të rekomandueshme të pihen, por bikarbonatet dhe uji mineral i pasur me kalcium janë veçanërisht të rekomandueshëm. Nga ana tjetër, formimi i gurëve në veshka nxitet nga sasitë e mëdha të çajit të zi ose çajrave tjerë si edhe pijeve freskuese të gazuara. 

Si i trajtojmë gurët e veshkave?

Një pjesë e konsiderueshme e gurëve, veçanërisht e atyre me diametër më të vogël se 0.5 cm, bien spontanisht. Plani i mjekimit ndryshon në varësi të vendndodhjes së gurëve (veshka, kanali urinar, fshikëza e urinës), numrit dhe diametrit të tyre. Ndërkohë që aplikimi i ndërhyrjeve kirurgjikale me prerje të mëdha ka qenë shumë i përhapur deri para pak kohësh, në sajë të zhvillimit teknologjik, krahas aplikimit të metodës së thyerjes së gurëve, filluan të aplikohen operacione të mbyllura me prerje minimale, gati të padukshme: nefrolitotomia perkutane. Kjo lloj ndërhyrjeje tepër e favorshme për pacientin, e aplikuar në Shqipëri jo vetëm shpëton pacientin nga dhimbjet e mundimshme të gurëve, por e bën këtë nën kushte shumë komode duke minimizuar kohën e hospitalizimit dhe të rikthimit aktiviteteve të përditshme.

Kirurgjia Perkutane e gurëve

Para futjes së metodave moderne të kirurgjisë urologjike, mënyra e vetme e eliminimit të gurëve të veshkave ishin operacionet e gjata traumatike me prerje mbi 10 cm. Jo vetëm madhësia e plagës, por edhe koha e gjatë e hospitalizimit dhe rikuperimit bënin që këta paciente t’i shmangeshin ndërhyrjes, shpesh deri në insuficience totale të veshkës. Në sajë të nefrolitotomisë perkutane; kirurgjisë minimalisht invazive, vetëm 1 për qind e gurëve të veshkave operohet me metodën e vjetër. Në shumicën e rasteve, gurët që nuk mund të nxirren me metodën e thyerjes ose që janë në një madhësi që nuk lejon daljen nëpër ureter nxirren jashtë veshkës me metodën më të avancuar të kirurgjisë endoskopike: nefrolitotomi perkutane. 

Operacioni Perkutan i gurëve të veshkës

Në nefrolitotominë ose nefrolitotripsinë perkutane, kirurgu bën një prerje të vogël në shpinë nëpërmjet së cilës hyn me anë të një kateteri deri në brendësi të veshkës, aty ku është pozicionuar guri. Më tej, nëpërmjet një sonde që hyn në të njëjtin kateter, kirurgu arrin të shohë me sy të lirë madhësinë dhe vendosjen e gurit dhe ta tërheqë atë jashtë veshkës, pikërisht përgjatë këtij kateteri të vetëm. Nëse guri është më i madh se kateteri, atëherë më parë copëtohet në brendësi të veshkës dhe pastaj aspirohet nga sonda. Sipas zgjedhjes së pacientit dhe mjekut anestezist procedura kryhet nën anestezi të përgjithshme, lokale ose shpinore.

Te cilët pacientë aplikohet kjo procedurë?

Kjo procedurë mund të përdoret për të trajtuar gurët e veshkave që kanë këto karakteristika:

• Janë më të mëdhenj se 2 cm në diametër.

• Janë të mëdhenj dhe të shkaktuar nga një infeksion (staghorn calculi).

• Bllokojnë daljen e urinës jashtë veshkës.

• Nuk mundet të thyhen nga litotripsi e jashtme me presion valësh (ESWL).

• Gurët që formohen në pjesën e poshtme të bashkimit të veshkës me kanalin urinar (kaliks), për shkak të vendosjes anatomike dhe gravitetit, mund të trajtohen nëpërmjet kirurgjisë perkutane edhe kur janë më të vegjël se 2 cm.

Ushqimet që rekomandohen tek pacientët me gurë në veshka

Perimet dhe frutat e shtojnë sekretimin urinar të gurëve. Konsumimi i ushqimeve me përmbajtje të lartë oksalati (spinaq, panxhar, arra) duhet të jetë minimal ose të kombinohet me ushqime të tjera që kanë sasi të mëdha kalciumi (psh, spinaq me djathë), që parandalon përthithjen e sasive të mëdha të oksalatinës nga zorrët, gjë që do të çonte në rritjen e sekretimit urinar.

Një sasi e tepërt e konsumit të proteinave nga mishi dhe peshku, rrisin rrezikun e gurëve në veshka, pra, konsumi i këtyre ushqimeve duhet pakësuar. Gjithashtu, rekomandohet konsumimi i një sasie të reduktuar të kripës, duke qenë se sodiumi që gjendet në kripën e zakonshme mund të rrisë rrezikun e formimit të gurëve në veshka. Nga ana tjetër, një reduktim total i kripës çon në rënien e volumit urinar. Kështu, rekomandohet konsumimi i një sasie të kontrolluar kripe.