Categories
Të ndryshme

“Sagë mbretërore”, një dokument historik për tokën e lashtë – perlë e natyrës

Duke shfletuar romanin epope të shkrimtarit   Shefki Karadaku

“Sagë mbretërore”, një dokument historik për tokën e lashtë – perlë e natyrës

Nga BARDHYL AJAZI

Këto ditë të nëntorit të njëqindtë të Pavarësisë tek secili është rritur dëshira dhe interesimi për të njësuar e për të ditur më shumë rreth ngjarjeve të rëndësishme që ka përjetuar Shqipëria. Populli ynë e ka pasur gjithmonë të shenjtë njëqindvjetorin. Në çdo lindje apo ditëlindje urimi i parë është: “U bëfsh njëqind vjeç”, “u bëftë njëqind vjeçe vajza”, “u bëftë njëqind vjeç djali”.

Kështu edhe shtetit të parë shqiptar iu bë ky urim nga populli që e ngjizi: “U bëftë njëqind vjeç!”

Sepse një shtet, një popull në njëqind vjet ka ç’të thotë, ka ç’të bëjë. Bën historinë e tij. Dhe Shqipëria e ka bërë historinë e saj në këto njëqind vite me ngjarje të mëdha e tepër të rëndësishme. Populli e ka bërë historinë e tij si protagonisti kryesor në këto ngjarje. Një ndihmesë dhe një shërbim të madh në pasqyrimin me vërtetësi të historisë japin objektet e trashëguara, gojëdhënat, rapsoditë, dëshmitë, dokumentet, historianët e mirëfilltë si dhe njerëzit e letrave: shkrimtarët, poetët dhe letrarët në përgjithësi. Dhe, ç’është e vërteta, ngjarjet më të rëndësishme në këto njëqind vite, apo dhe në tërë jetën e këtij populli të lashtë e vital, janë pasqyruar në këngët e tij, në vjersha e në poema, në valle, në pikturë e në skulpturë, në pjesët skenike e në kinematografi, në tregime e në romane të shkruara. Janë të shumta veprat, që kanë dalë e dalin në dritë e që i kushtohen njëqindvjetorit të Pavarësisë.

Një vepër e tillë është edhe romani: “Sagë mbretërore” i shkrimtarit Shefki Karadaku. Në këtë roman epope shtjellohen ngjarje të rëndësishme fill pas shpalljes së pavarësisë e në vazhdim. Aty shpërndahet tisi i kohës dhe qartësohen shkaqet dhe rrethanat në të cilat erdhi dhe më pas iku Princ Vidi, dhe më tej si rrodhën ujërat e turbullta nëpër këtë tokë të lashtë, perlë të natyrës.

Romani është i ndarë në tri pjesë domethënëse: “Rebelimi” – “Prag lufte” – “Eklips”.

Duke shfletuar librin, përpara syve kalojnë në mënyra kronologjike ngjarje të mëdha me ardhje dhe ikje monarkësh, me ardhje plot pompozitet dhe ikje me turp të pushtuara, me ardhje dhe ikje diplomatësh dinakë, me ardhje dhe ikje gjeneralësh mburravecë, me ardhje dhe ikje perandorësh e perandorish që në mënyrë të fshehtë apo të hapët, në rrugë diplomatike djallëzore, apo ushtarake të pamëshirshme donin të rrëmbenin dikur copën më të madhe të kësaj toke të bekuar nga Zoti.

Por të gjithë këta ardhacakë mizorë të paftuar a të padëshiruar gjetën këtu një truall të nxehtë, që i dogji këmbët si dhe një popull liridashës, që u dogji të gjitha planet skllavëruese e asimiluese të tyre. Një popull që lirinë e ka të shtrenjtë sa ka jetën.

Duke shfletuar librin, vetvetiu lexuesi bëhet pjesë e atyre ngjarjeve falë bagazhit të pasur njohës dhe punës së përkushtuar shumëvjeçare të Shefki Karadakut. Si shkrimtar i talentuar dhe me përvojë të gjatë dhe të suksesshme në fushën e letrave, ka ditur të ndërthurë me mjeshtëri të vërtetat e dokumentuara dhe historike me ngjyrat artistike e nerv poetik komponent të rëndësishëm për një vepër të madhe letrare kaq të mirëfilltë.

Në roman, ashtu si ngjarjet, një vend të veçantë zënë aktorët, që luajnë këtë dramë shekullore, figura të njohura e pak të njohura, figura të rëndësishme e tepër të rëndësishëm, vendas apo muhaxhirë, të fuqishëm dhe tepër të ndërlikuar, por autori, me eksperiencën dhe stilin e tij të veçantë, duke përdorë me mjeshtëri dialogun, bën që këta personazhe të shumtë e të papërcaktuar, të qartësojnë me gojën e tyre pozicionin, qëllimin dhe karakterin e tyre. Dhe kjo e bën romanin tërheqës, komunikues dhe lehtësisht të kuptueshëm nga lexuesi.

Më poshtë, po shkëpus disa pasazhe të vogla për të ilustruar paksa përmbajtjen e romanit: Ja një pjesë e bisedës midis princ Vidit dhe baronit napolitan, Alioti:

– Shikoni baron dhe habituni po deshët. Është koka e Artemisit të Dyrrahut. Ndryshe nga Artemisi grek. E shikoni? Më kanë thënë se gjithë ky qytet është plot sende arkeologjike. Në përgjithësi, sendet arkeologjike gjenden në ato vende që kanë një kulturë të lashtë. Mua më habit gjithmonë fakti i thjeshtë se si njerëzit me paraardhës artistë, të jenë zhytur në varfëri, injorancë dhe konflikte kaq absurde.

– Arkeologët tanë më të mirë thonë se kjo është një kulturë e importuar nga Koloseu,- u përgjigj Alioti. Por princi tundi kokën me dyshim

– Nuk jam dakord me ju. Gjëra të tilla janë gjetur edhe në thellësi të vendit.”

Në kapitullin e shtatë do të lexojmë: “Rebelimi filloi në mënyrë fare spontane. Muhaxhirët e bukës që vinin në Ndroq, Brakull, Picallë duarbosh sollën bashkë me ligatën e asaj kohe të paqëndrueshme urinë dhe urrejtjen. Tokat e vogla dhe të këqija, që u kishin lënë fshatarëve, bejlerët dhe agallarët nuk mund të ushqenin nëntë muaj me radhë një familje edhe me kërkesat minimale. Në fillim ky rebelim nisi me veprime të vetmuara. Aty-këtu doli tym nga grazhdarët e bejlerëve shijakas. U përzunë disa xhandarë të princit, që vilnin të dhjetat në kazanë e Pezës. Toka e zezë villte këlkaza të hidhura, të cilat njerëzit i bashkonin me lotët e tyre për të mbajtur gjallë veten dhe fëmijët…”

Por vjen një çast dhe princ Vidi detyrohet të lërë fronin aq të dëshiruar nga vetë ai dhe kancelaritë që e ngjizën me pompozitet.

“…Për një minutë oborri u rreshtua për ceremoninë e lamtumirës. Princi, i vetëpërmbajtur në kulm, princesha e zbehtë e zemëruar, maxhordomët, oficerët e shërbimit, toga e ceremonive me dragonj hungarezë, të hipur në kuaj të bardhë… Fanfara e kuvertës, që e kishte mësuar himnin shqiptar dy orë më parë, u ra veglave gjithë tringëllima magjepsës. Dukej se po ia shkundte nga supet e sytë e ngazëllyer atë pezm të hidhur disfate, që qarkohej ngado në atë turmë heterogjene politikanësh, ushtarakësh, shërbyesish dhe grash qejfi. Papritur u bë një zhurmë tej nga mesi i himnit. “Është rrëzuar pa ndjenja madam Gertruda” – tha dikush. Panë se si erdhën dy mjekë të vjetër ushtarakë që i vunë në hundën e vogël një flakon të lagur me alkool”

Dhe ja si përshkruhet në librin epope: “Sagë mbretërore” një tjetër ikje. Këtë radhë e mbretit, pas njëfarë shkëlqimi personal.

“… Kryeshembellani hapi derën e bardhë para tij me servilizëm:

– Darka është gati, Madhëri…

– Kjo është nata e fundit. S’dihet se kur ulemi në një sofër mbretërore.

– E përse merakoseni, Madhëri? Ju keni pará dhe paraja ngul gjithmonë rrënjë në botë. Mbretëria është plot telashe, kurse ato janë një mbretëri pa asnjë telash.

U detyruan të ikin pak më vonë nëpër xhadenë që përmbytej herë nga era herë nga shiu. Xhamat e shoferëve u mbuluan me një perde nate. Projektorët e tyre mezi hapnin disa korridore drite nëpër humbëtirën e kodrave e të kthesave. Karvani ecte në një rregull të vjetër, të mistershëm dhe drejtohej gjithmonë nga lindja ose nga juglindja.

Herë-herë, buzë honeve dhe fshatrave hungërinin qentë aq sa trupi i brishtë i mbretëreshës dridhej nga frika…” Faqe 350-351

Por fill pas ikjes së mbretit ia behu pushtimi fashist: “Ajo që nisi para disa vitesh në letrat protokollare dhe në firmat e huave, – vazhdon autori, – zuri të marrë forma të trasha hekuri dhe zjarri…

… Kjo ishte ushtria më e madhe, që kishte mësyrë ndonjëherë bregun shqiptar.

Ishte ndarë në katër kolona sulmi. Njëra do të nisej drejt Sarandës dhe Vlorës dhe tjetra në veri, drejt Shëngjinit, dhe ajo më e madhja do të mësynte portin e Durrësit. Në radhët e saj numëroheshin mbi dyqind mijë ushtarë dhe oficerë që përbënin thuajse dhjetë divizione të motorizuara. Një peshë të veçantë në fillim të pushtimit kolonial do të lozte grupimi i madh ajror gjeneral Prikolos…” Faqe 353

Dhe më poshtë vazhdon:

– “Poshtë fashizmi!…

– Vdekje fashizmit! Liri popullit!

Dhe në atë çast diçka e tmerrshme tronditi sallën. Njerëzit që qenë lart, vrapuan poshtë dhe dolën nga kinemaja në mënyrë demonstrative, duke lënë pas hijen e një ulërime të madhe…

…Ti zhdukim më mirë – tha një tjetër.

– Më e mira qe që t’i zhdukim nga faqja e dheut, po kush do të na i punojë tokat dhe të na mbushë xhepat?

– E si mund të zhduken? – pyeti me kureshtje një nëpunës, që shkonte pas ministrit me një dosje të zezë në sqetull.

– Duke i vrarë ose syrgjynosur.

– E tmerrshme!

-Këtu nuk ka tmerr. Në qoftë se nuk do t’i zhdukim ne, do të na zhdukin ata pak më vonë. Sepse kërkojnë me insistim pushtetin.

– O Zot!

– Mirë e ka Duçja që i vë nën kërbaç, ditë e natë kërbaç…” Faqe 428

Në kapitullin e njëzet e nëntë të romanit epope: “Sagë mbretërore” autori shkruan: “Mbrëmë ata na shkatërruan batalionin e dymbëdhjetë – tha Renco Dalmacio – Me sa duket, manovra e tyre e re përputhet me strategjinë e në lufte misterioze.

– Ç’mbeti nga batalioni, Renco? – pyeti me inat zëvendësperandori, Francesko Jakomoni.

– Pak gjëra…

– Po nga avionët?

– Edhe ata pësuan dëme, shkëlqesi…” Faqe 482

Dhe sërish përsëritet historia. Fundi i librit na jep edhe fundin e pashmangshëm të pushtuesve, fundin pa lavdi dhe ikjen me turp nëpër terr…

Autori thotë:

“…Pas disa minutash kaluan nëpër qendrën e kryeqytetit të përgjumur. Ajo dukej si një qendër hënore për shkak të topave kundërajrorë që rrinin mbi platformat e hekurta. Grykat e tyre të zbrazura vështronin si sy pa jetë qiellin e ujshëm…

…Atij nga kjo mungesë qetësie i dhembte shpirti… Ai po ikte siç erdhi. U ngjit si ambasador në fronin e një mbreti dhe po zbriste si mbret në fronin e një ambasadori shëtitës, pa mbretëri… Katër vjet mjaftuan ta rrënojnë një gjysmë mbret, kurse për mbretin vendas u deshën njëmbëdhjetë… Po gdhinte kur sosi në aerodromin e Picallit. Shiu që pushoi aty më parë nisi përsëri të bjerë. Ai u ngjit nëpër shkallët rrëmbimthi duke u mbrojtur nga uji me dorën e ngritur si strehë… ai hyri në avionin ushtarak i mërzitur e i lagur. Sapo u ul në njërin nga kolltukët pranë dritareve ovale, gjëmuan motorët. Mëkëmbësi dridhej ngadalë, nën ritmin e dridhjes së avionit. Vetëm kur u shkëput, ai përkuli kokën në dritaren e ngushtë dhe pa për herë të fundit, me keqardhje peizazhin, që linte prapa vetes. Nuk dalloi asgjë konkrete. Masa e zezë e tokës qe po aq indiferente saqë ai sundonte mbi të”. Faqe 513-514.

* Romani: “Sagë mbretërore” i shkrimtarit Shefki Karadaku është një dokument historik më shumë dhe një libër më shumë në fondin e artë të letërsisë shqipe.

Categories
Të ndryshme

Horokopi javor. Virgjëresha: Një histori e re dashurie ju shtyn t’i jepni fund një lidhjeje të gjatë por pa pasion.

Temperatura në ngritje këtë javë dhe jo vetëm në sensin meteorologjik. Do të jeni shumë të apasionuar falë kombinimit Mars-Pluton. Krijoni dhe ofroni emocione të forta që vënë në lojë zgjedhje dhe projekte të mëparshme. Nëse në dashuri jeni të impenjuar, por jo të kënaqur një takim vullkanik mund të shkatërrojë përfundimisht historinë tuaj, e cila nuk shtyhet më. Ndizen pasione të reja që edhe po të jenë rastësore të paktën ndihmojnë që ju të vendosni të lini partnerin. Por mos mendoni se edhe partneri do të rrijë të qajë për ju. Është një lojë ambigue. Edhe partneri do me kohë që kjo histori jo pasioni të mbarojë.

Categories
Të ndryshme

Horoskopi javor. Luani: Javë e fortë pune. Jeni plot ide origjinale, por nuk dini t’i reklamoni

Këtë javë jeni më të sigurtë dhe me grintë se kurrë. Jeni të sigurtë në objektivat tuaj dhe keni ide origjinale pafundësisht. Problemi është se këto ide duhet të pranohen nga njerëzit që qëndrojnë mbi ju dhe mënyra aspak xhentile e shpalosjes së tyre rrezikon të refuzohen. Pra jini më simpatik dhe më reklamues këtë javë. Do të dini të administroni mirë paratë tuaja dhe do të punoni shumë këtë javë. Do të arrini të mbyllni një kontratë për të cilën keni kohë që punoni. Java me punë do të shpërblehet me një fundjavë të bukur udhëtimi me familjen apo miqtë tuaj. Kini kujdes: jot ë gjithë ata që ju buzëqeshin në fytyrë ju duan kur ktheni krahët.

Categories
Të ndryshme

Horoskopi javor. Gaforrja: Këtë javë rrezikoni të grindeni me të gjithë. Dielli dhe Urani luajnë me ju.

Grinta dhe ironia nuk bëjnë pjesë në karakterin tuaj. Dielli dhe Urani në shenjën tuaj do t’ju bëjnë kështu gjatë gjithë javës. Duke qenë se nuk jeni mësuar me këto karakteristika do të lodheni dhe do të ç’orientoheni. Do të përfundojë që do t’ju duhet të kërkoni ndihmën e partnerit pasi nuk do të mund të menaxhoni më situatën me njerëzit që keni rrotull, të cilët me të drejtë do të lodhen nga ironia juaj. Kini kujdes pra me fjalët e tepruara. Më mirë këtë javë shprehuni pak dhe mbajini për vete mendimet tuaja. Nëse do të plagosni të tjerët me fjalët tuaja do të pendoheni shpejt. Javën tjetër nuk do ta besoni se keni qenë ju që i keni thënë ato fjalë.

 

Categories
Të ndryshme

Ëndrrat… Kuptimi i ëndrrave / çfarë do të thonë flutura, merimanga dhe deti

Ëndrrat janë të bukura por dhe jo shumë të qeta.E kushnga e nuk është ngritur ndonjëherë në mëngjes duke menduar gjatë për ëndrrën mbresëlënëse që ka parë?Posi shpjegohen ëndrrat? Ja tre simbole dhe shpjegimet e tyre.

Flutura

Është e njëjta ndjenjë që na shkakton kur e shikojmë fluturën të kalojë lule më lule. Pra ndjejmë as më shumë dhe as më pak por “lehtësi”. Jemi duke kaluar një periudhë të veçantë të shumë impenjime, të mbushur me gëzim, eufori dhe liri. Flutura në ëndërr tregon se gruaja që e ëndërron atë do të njihet në jetën e saj me dikë që do t’i kushtojë një vëmendje të veçantë. Ndoshta do të jetë një dashuri e vërtetë ose një histori gjurmëlënëse dashurie.

Deti

Të notosh në një det të qetë përveçse është një ëndërr shumë e bukur tregon se ju jeni të qetë me shpirtin tuaj. Pra jeta juaj është e qetë dhe gjithçka që ju rrethon ju jep mirësi dhe paqe. Deti personifikon personalitetin. Nëse ëndërroni një det të trazuar atëherë patjetër në jetën tuaj do të ndodhin zhvillime që do t’ju shqetësojnë apo të do trazojnë raportet e qeta që keni ndërtuar me familjen dhe shoqërinë.

Merimanga

Një shpjegim për merimangën lidhet me një nënë shumë posesive që ka aq shumë kujdes për të birin/bijën sa nuk e lë të shkojë në rrugën e vet. Një ndjenjë të tillë fëmija e vuan dhe e ndjen veten si të mbytur. Ndaj duhet të bëni një zgjidhje dhe të ndihmoni edhe nënën tuaj të shikojë gjërat më qartë.

Një tjetër shpjegim për merimangën dhe rrjetën mund të jetë që një i afërmi juaj është duke ju përgatitur një kurth.

Apo nëse shikojmë një merimangë të madhe që vjen vërdallë mund të jetë që ju nuk ndiheni mirë në ambjentin ku punoni dhe jetoni, ndiheni si i ndrydhur dhe frustuar dhe kërkoni të liroheni.