Çekia mbështet Shqipërinë në rrugën e integrimit

Në takimin e zhvilluar mes kryeministrit Berisha dhe ambasadores së Çekisë, Bronislava Tomashova, është biseduar për integrimin e vendit në BE. Ambasadorja e siguroi kryeministrin se sikundër edhe gjatë kësaj periudhe, Republika Çeke do të mbështesë fuqishëm Shqipërinë në të gjitha hapat e saj të mëtejshëm, për të marrë sa më parë statusin e vendit kandidat dhe për t’u bërë anëtare e plotë e Bashkimit Europian. Në këtë kontekst, ambasadorja Tomashova shprehu vlerësimin më të lartë të vendit të saj për miratimin e Planit të Veprimit për adresimin e rekomandimeve të Komisionit Europian, duke e konsideruar atë një zhvillim shumë të rëndësishëm në ecurinë pozitive që Shqipëria ka shënuar gjatë kësaj periudhe, në kuadër të procesit të integrimit e marrjes së statusit kandidat. Ambasadorja Tomashova e falenderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë e miqësore dhe e siguroi se ajo personalisht dhe ambasada çeke janë të vendosur për të punuar ngushtësisht me qeverinë shqiptare, për t’i sjellë edhe më pranë dy vendet e popujt miq dhe për të konsoliduar lidhjet e forta të miqësisë e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët. Më tej, në takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve si dhe u rikonfirmua vullneti i dy qeverive e vendeve për t’i intensifikuar ato edhe më tej në të gjitha fushat, në veçanti në fushën ekonomike, shkëmbimeve tregtare, në sektorin energjetik, në fushën e arsimit, mbrojtjes së mjedisit dhe sidomos në tërheqjen e investitorëve çekë për investime të rëndësishme në Shqipëri.

 

Comments are closed.