Çfarë do të ndodhë në seritë e javës në telenovelën më të dashur për shqiptarët

Xhengizi del në gjyq, Ejshani gënjen dhe dëshmon kundër tij. Përsëritet historia

1-  Xhengizi del në gjyq, Ejshani gënjen dhe dëshmon kundër tij. Ai dënohet me burgim të përjetshëm. Përsëritet historia

2- Bahari gjen Ezelin dhe Ejshanin duke u puthur. Shokohet dhe kërkon të arratiset. Ezeli i arrin në aeroport. I tregon se është Omeri

3- Serdari i tregon Xhengizit se kush e futi në kurth. Ramizi, ndërkohë, rrëfehet tek Ezeli. Thotë se djemtë nuk i ka vrarë ai

Ezeli i shpjegon rregullat e brendshme të burgut Xhengizit, sikur të kishte qenë më parë atje. I kujton shumë qartë se në burg është në shtetin e Ramizit. Xhengizi, megjithëse bën sikur dëgjon këshillat e Omerit, vazhdon të sillet si të ishte jashtë. Por kjo ishte diçka e planifikuar. Xhengizi rrihet keq me pretekstin se bëri hile në një lojë. Më vonë, në sherr përfshihet edhe Ezeli, gjoja për të mbrojtur Xhengizin dhe të dy futen në birucën e ndëshkimit, për shkak të sherrit.

Ezeli, pra, është duke e realizuar dhe, pse jo, shijuar, planin e tij në mënyrën më perfekte. Nga njëra anë i shkruan Baharit se duhet të vazhdojë mjekimin, i jep asaj kurajë dhe i bën moral, ndërsa në anën tjetër, kur Ejshani e viziton në burg, i flet asaj pa i rënë në sy për Ejshanin e kohëve të vjetra. Ejshani, sa vjen dhe lidhet më shumë me Ezelin. Gati përmbush të gjitha orientimet që i jep ai. Ka ardhur koha që ajo të dalë të dëshmojë në gjykatë për Xhengizin. Ejshani ka nisur të frikësohet se do të duhet të bëjë dëshmi jo të vërtetë në gjykatë.

&&&

Ezeli del nga burgu. Me të dalë, puna e parë që bën, shkon tek Bahari, i jep asaj kurajë dhe e nxit për vazhdimin e kurimit. Pastaj takohen me Aliun dhe Ejshanin dhe debatojnë rreth planit. Ezeli ka dyshime në lidhje me faktin në do të jetë në gjendje Ejshani ta vazhdojë planin edhe në gjykatë. I duket se ajo nuk mundet të dalë përballë Xhengizit dhe të gënjejë. Këtë dyshim duket se e ka edhe Aliu. Ai fillon t’i flasë rëndë Ejshanit. Serdari i vëzhgon fshehtas ata. Ai e kupton që është një plan në mes dhe, me të gjetur mundësinë e parë, e shtrëngon Ejshanin që ta bëjë edhe atë pjesë të planit. Ai, natyrisht, do përfitimin e tij ekonomik në gjithë lojën që po luhet.

Ramizi ka disa dosje që përfshijnë dhe komprometojnë rëndë Serdarin dhe ia jep Ezelit. Serdari, me të parë ato në duart e Ezelit, fillon t’i lutet Ezelit dhe tërheq menjëherë mbrapsht kërkesën për të qenë pjesa e planit të tyre. Por, natyrisht, ishte një tërheqje e përkohshme, pasi Serdari e ndjen shumë mirë erën e lekut.

&&&

Është dita e gjyqit të Xhengizit. Të gjitha provat janë kundër tij. Ejshani dëshmon në gjyq kundër Xhengiziit dhe vazhdon planin që ka nisur me Ezelin dhe Aliun. Pra, Ejshani bën të njëjtin veprim, siç bëri me Omerin. Ajo, kur largohet nga salla, i kërkon falje Xhengizit, ashtu si bëri 12 vjet më parë me Omerin. Xhengizi shkatërrohet komplet dhe kujton gjithçka ka bërë. Merr dënimin me burg përjetë. Ezeli e realizoi hakmarrjen e parë.

&&&

Ezeli shkon pranë së ëmës dhe i tregon për atë që i bëri Xhengizit. Melihaja reagon shumë ashpër, kur dëgjon të gjitha ato gjëra. Mendon që Omeri që njeh ajo nuk do ta bënte një gjë të tille. Fjalët që thotë Merti kur përcjell Ezelin tek dera, “po të ishte i vëllai gjallë, asnjë nga këto nuk do të ndodhnin”, ia përziejnë mendimet atij.

Në burg, ndërkohë, vazhdon dhuna ndaj Xhengizit. Një djalë i ri vjen pranë Xhengizit dhe i kërkon t’i lexojë një letër. Letrën, në fakt, e kishte shkruar Daja (Ramizi) dhe djali që kërkoi që Xhengizi t’i lexonte letrën, i ngul atij thikën në këmbë dhe largohet. Xhengizi telefonon Ejshanin nga burgu dhe i tregon për gjendjen e tij. I thotë se do ta vrasin dhe e pyet në është e lumtur tani apo jo, që ka arritur të gjithë qëllimin e saj. Ejshani nuk kthen asnjë përgjigje, por vetëm qan në telefon.

&&&

Aliu nuk duron dot më dhe i dërgon Baharit fotot e Ezelit me Ejshanin. Do që ajo të dijë të vërtetën dhe të mos tallet më prej tyre. Vetë qëndron në makinë, bashkë me Tevfikun, dhe do që të vëzhgojë reagimin e Baharit. Tevfiku i flet rëndë Aliut për të mos e shkatërruar Baharin, tani që ajo ka vendosur të kurohet. Aliu bëhet pishman dhe i prekur nxiton dhe ia merr zarfin Baharit, pa i rënë në sy.

&&&

Ejshani vjen tek Ezeli që t’i thotë se ka hequr dorë nga gjithçka, madje edhe nga ëndrra e hotelit. Ezeli, që ishte duke pritur Baharin, habitet kur përpara tij sheh Ejshanin. Nuk kishte argument për të bindur Ejshanin që dukej e vendosur në këtë zgjedhje të saj. Fillojnë të puthen. Është edhe dikush tjetër që do që t’i bëjë surprizë Ezelit dhe vjen më herët në shtëpinë e tij. Bahari, që donte të bënte surprizën, përballet me një surprizë shumë të hidhur dhe largohet me vrap. Ezeli vrapon nga pas. Bahari i kërkon Aliut që ishte duke e pritur tek porta ta largojë që andej me të shpejtë. Ajo ndihet e shokuar dhe e tradhtuar nga dy njerëzit që donte më shumë në jetë.

&&&

Në këtë kohë, Xhengizit në burg i vjen një vizitor që nuk e priste. Kur i thotë gardiani: “të erdhi daja”, ai nuk habitet. Por vizitori nuk ishte Daja, por Serdari. Serdari i thotë se erdhi që t’i tregojë të vërtetën.

&&&

Bahari shokohet kur sheh Ezelin me Ejshanin. Aliu e merr dhe e largon Baharin prej andej. Ezeli me Ejshanin fajësojnë njëri-tjetrin për atë që ndodhi. Kur largohet Ejshani, Ezeli fillon të pendohet për planin që ka nisur. Ai po u bënte keq të gjithëve me këtë plan, madje edhe njerëzve të pafajshëm dhe që nuk duhet të përfshihen në hakmarrjen e tij. Për të ndrequr gabimin e bërë, del nga shtëpia.

&&&

Serdari shkon tek Xhengizi dhe i tregon atij çfarë ka parë dhe çfarë mendon ai. I tregon atij se Aliu, Ezeli dhe Ejshani kanë bërë këtë me plan dhe se Ezeli është i lidhur me Ejshanin. Serdari dhe Xhengizi bëjnë një plan. Në fillim Xhengizi do ta thërrasë Ejshanin në takim, në burg. Ejshani shkon të flasë me Baharin, por Aliu nuk e lejon. Ejshani e kërcënon Aliun se do t’i tregojë Baharit çdo gjë që di për të. Bahari dhe Ejshani bisedojnë. Ejshani i thotë se ajo e do Ezelin se dhe Ezeli e do atë. Bahari, kur dëgjon këto, shkatërrohet fare.

Bahari i thotë Ejshanit se ajo gjithmonë e ka lënë vetëm dhe e ka harruar atë. Ejshani i thotë asaj se për të hyri në ferr, bëri gjënë më të keqe që mund të bënte, por nuk do t’i tregojë Baharit se çfarë ka bërë. Nuk ia tregon që të mos mërzitet Bahari.

&&&

Xhengizi telefonon Ejshanin dhe i kërkon të shohë djalin, Xhanin. I kërkon asaj që i biri mos të përzihet në këto punë të pista dhe i thotë se do vetëm ta takojë atë. Ezeli është duke folur me Tevfikun, ai është i nxehur me të për arsyen se ai shkoi dhe shpëtoi Aliun. Thotë se Tevfiku ka ngjashmëri të mëdha me Aliun. Ata janë të dy vrasës dhe se Ezeli i sheh të dy njëlloj. Ezeli kërkon nga Tevfiku t’i japë fjalën se kur të vijë koha që të duhet që njërit ndërmjet Aliut dhe Ezelit t’i drejtojë pistoletën, Ezeli a mund të ketë besim tek ai? Tevfiku i thotë se duhet t’i besojë atij dhe i jep fjalën.

&&&

Ezeli flet me Baharin, mundohet t’i shpjegojë asaj se nuk kishte ndërmend aspak ta lëndonte, por ajo nuk ia vë veshin. Pas gjërave që i ka thënë Ejshani, ajo nuk mund ta besojë më Ezelin. Tani Ezeli është heroi i keq në historinë e saj. Aliu kupton se Bahari nuk ka përmirësim në shëndet, sepse ka lënë ilaçet. Bahari do të vdesë, pasi ndihet e lodhur dhe e zhgënjyer nga kjo jetë.

&&&

Ezeli flet me Ramizin. Ramizi shqetësohet për Ezelin dhe për të gjithë situatën, në të cilën ai ndodhet dhe do që ta ndajnë bashkë mërzitjen. Ezeli është i hidhëruar me Dajën, pse ia sugjeron ai veprimet dhe nuk e lë të lirë të veprojë siç e mendon ai. I thotë Ramizit se nuk është njeriu i tij, por miku i tij dhe i kërkon t’i tregojë atij të vërtetën dhe mos t’i mbajë sekrete. Ramizi nuk e lejon Ezelin të largohet dhe i thotë se do t’i tregojë çdo gjë që ai do të dijë. Ramizi i tregon Ezelit historinë e djemve të tij. Ata nuk i kishte vrarë ai.

&&&

Xhengizi takon Ejshanin në burg dhe i thotë asaj se Ezeli kishte një plan dhe se ajo thjesht u përdor për të realizuar atë plan. Ejshani i thotë Xhengizit se dëshiron të shpëtojë prej tij, sepse ai ka kohë që po e mbyt. Ajo do një jetë tjetër pa të.

Fjalët e Xhengizit, në fakt, lënë gjurmë tek Ejshani dhe e turbullojnë atë. Ajo telefonon menjëherë Ezelin dhe fillon ta pyesë. Ezeli shkon të vizitojë Xhengizin në burg. I tregon Xhengizit se ato që i kishte thënë Ejshanit ishin të vërteta. Çdo gjë ishte e planifikuar që në fillim dhe se edhe Ejshanit do t’i vijë radha për ta hequr qafe. Ato që dëgjoi, Xhengizin e varrosën për së gjalli. Ai ndihet shumë keq.

&&&

Bahari merr rrobat e saj pa i rënë në sy Ejshanit dhe vendos të kthehet në Londër. Aliu e kundërshton, por ajo nuk e dëgjon. Tevfiku është duke ndjekur Aliun dhe Baharin. Ezeli po mundohet të lidhet me Baharin. Aliu dikton që Tevfiku po i ndjek. Nuk e lejon atë ta dijë se ku po shkojnë. Ezeli dhe Tevfiku humbin gjurmët e Aliut dhe Baharit.

Bahari, me gjithë këmbënguljet dhe lutjet e Aliut, është e vendosur të ikë. I kërkon atij që edhe për në aeroport mos ta shoqërojë. Aliu telefonon Ezelit dhe i thotë që Bahari iku. I thotë se ai vet nuk mundi ta ndalë dhe i kërkon Ezelit ta ndalojë. Ezeli e mbërrin Baharin pa hipur në avion. I thotë se do që ta ndreqë gabimin. I premton asaj se do t’i tregojë se kush është, në të vërtetë, dhe i kërkon asaj besën për atë të fshehtë. I thotë se është Omeri që 12 vjet më parë u mashtrua nga Aliu, Xhengizi dhe Ejshani.

&&&

Njerëzit e Ramizit nuk e lënë të qetë Xhengizin brenda. I thonë se e kërkon drejtori dhe e nisin për tek dhoma e tij. Aty, ai nuk gjen njeri, vetëm dosjen e Ejshanit dhe të familjes së tij. Kur mendon se Ramizi do ta heqë qafe, në dhomë hyn një person tjetër dhe i thotë se drejtori nuk është.

Comments are closed.