Ç’na mëson sot Ismail Bej Vlora!?

 Në 100-vjetorin e Pavarësisë, që është dhe kulmorja e jetës së tij, ai na afrohet më shumë e më i ndritshëm, thua pyet se ç’u bë me veprën e tij, pas një shekulli. Akademiku shovinist serb, V. Gjeorgjeviç, i tha botës se shqiptarët, edhe pas një shekulli, nuk do dinë të bëjnë shtet e të tregohen komb (dikush në Shqipëri e dëgjoi këshillën e tij dhe vazhdon ia plotëson dëshirën). Ismail Bej Qemali, sigurisht e ka vështirë të shohë saktë në dredhitë e vendlindjes, se për habinë e habive, vendi i tij nuk i ngriti asnjë përmendore atij që pas 500 vitesh i dha shtetin e pavarur mes gjarpërinjve fqinjë dhe ujqërve europianë. Gjeni i mendjes dhe i veprimit, ai mbetet margaritar që ngado ta kthesh rrezaton shkëlqim e përtej shkëlqimit, jep mësime që në Shqipëri i duhen çdo brezi e çdo kohe. Me sa duket, korniza e kohës, që nga dalja e tij, është tepër e ngushtë për përmasat e figurës të tij dhe paradoksi i çuditshëm është se të huajt e kanë vlerësuar më shumë se në vendin e vet.

          Sado të flasësh për të, të plotë nuk e jep dot asnjë shkrim, pasi te çdo e thënë mbetet diçka e pathënë. Ai qe i shkrirë tek atdheu sa kufijtë mes tyre qenë të padallueshëm. I shqetësuar për Shqipërinë eci si vigan në tri kontinente e gjithmonë hapat i hidhte brenda atdheut të tij. Historiani amerikan,Fullerton, që e nxiti për kujtimet, thotë: “Kujtimet e papërfunduara të jetës së tij janë një bulëz e jetës së tij dhe e vendit për të cilin nuk kurseu asgjë dhe flijoi aq shumë”. Duke e kujtuar në 100-vjetor, për fat të keq, brenda vlerësimeve të merituara, ngrënë krye dhe zëra të mjerueshëm e të dyshimtë që vihen ta shtrembërojnë. Një prej tyre, veshur me mantel demokrati perëndimor e me probleme mendore në tru, duke mos lënë rast pa zhvlerësuar vlerat kombëtare të Shqipërisë, shkruan se “Ismail Qemali bëri çmos për interesa të tij”. E vazhdon shtrembërimin një shëtitëse franceze që provon stilon mbi historinë e Shqipërisë gjer te marrëzi fëmijësh se “Ismail Qemali qe disa ditë në pushtet”; se “krijoi një Pavarësi Otomane” etj., limonada sallonesh të huaja. Në “Kujtime”, ai pohon të vërtetën e tij: “Mund të kisha arritur postin më të lartë në Perandori. Por, sa më lart të ngrihesha, aq më pak fuqi do kisha për t’i bërë mirë vendit. Për veten time do qe më mirë të rrija jashtë (atdheut), në lirinë e qetë vetjake, të ruaja zhvillimet e ngjarjeve që të bëja diçka të dobishme për atdheun tim, për Shqipërinë». E, në fund të jetës, tha fjalët aq të dhimbshme e po aq madhështore, si në tragjeditë e Eskilit: “Bijtë e mi, nuk bëra pasuri, ju lë amanet një Shqipëri”.

          Ai erdhi aty ku mbetet duke qenë bir i të parëve të tij të shquar si burra Shqipërie. Diplomati Renco Falaski vlerëson: “Ai përfaqësonte denjësisht një familje të madhe të lashtë nga Vlora, patriot i zjarrtë, i frymëzuar nga parimet e lirisë e të drejtësisë”. Gjyshi i tij, Ismail Beu, donte të bënte me shokë Pavarësinë e Atdheut të tij, siç u bë në shtetin fqinj të Jugut. Osmanët e ftuan si “mik” dhe e vranë në pabesi. Hakën ia mori legjendari Gjolekë e nipi, Ismail Bej Vlora, e kujton me nderim si një borxh që kuçiotëve trima ua ka familja e tij. i ati tij, Mahmut Beu vdiq në Stamboll i varfër, siç thotë kronika e kohës: Të 8 çifligjet, i shiti për të paguar çetarët që kish pajtuar për të zhdukur bandat greke të Grivasit, më 1854, pasi qeveria qendrore osmane s’e mbajti fjalën se do t’i paguante ajo.

          Pa pohuar se po bëjmë studim, po japim vetëm disa gjykime të tij nga më domethënëset që i dëshmojnë të kaluarën dhe mbeten ende këshilla të ditës. Aq më tepër që, në shumë anë, vepra dhe porositë e tij janë shkelur dhe fryma kombëtare për mbrojtjen e Atdheun ka rënë si në asnjë vend tjetër. Në nebulozat dramatike të ngjarjeve Ismail Bej Vlora u shkruante miqve: “Nuk mund t’ju them se si më digjet zëmra kur shoh gjithë armiqtë tanë të punojnë kundër Shqipërisë! Është e tepërt t’ju them se jam gati të jap edhe shpirtin që më ka mbetur për Shqipërinë”. Kur diplomatët e Fuqive të Mëdha u ulën me thikë në dorë mbi trojet shqiptare pa i pyetur të zotët, Ismail Vlora shkroi me pikëllim: “Ne menduam se duhej të shpresonim që një popull, i cili paraqiste vlera të veçanta, për shkak të lashtësisë, guximit dhe shërbimeve që i kishte sjellë Europës do lejohej më në fund të bëhej zot në shtëpinë e vet e do ruante pavarësinë kombëtare”. Gjetkë, jep me kulturë e stil të përsosur gjykim më të plotë për kombin e vet me të cilin iu drejtua Europës për sadopak drejtësi: “E mbrojtur nga pushtimet e huaja në tri anë prej rrethit të saj me male të lartë e nga ana e katërt prej detit, Shqipëria banohej dikur prej një race që rrjedh që nga koha e pellazgëve. Megjithëse nuk është e huaj me qytetërimin grek, kjo racë ruajti karakterin e saj dhe krenarinë e vet të prejardhjes paraselene”. E më tej: “Duke banuar në një farë mbylljeje ata kanë qenë ndarë në grupe të ndryshme të quajtur herë maqedonas e herë ilirë, sipas tekave të pushtuesve. Por ata vetë, të patronditur nga këto grupime arbitrare, që nuk u prekën racën, gjuhën dhe karakterin kombëtar, as që pyetën shumë për rënie perandorësh apo ndryshime kufijsh. E ruajtën me trimëri pavarësinë e tyre, të cilën asnjë fuqi s’mundi t’ua marrë. Sa herë u janë prekur liritë, ata janë treguar aq guximtarë sa ishin dhe në ato kohët e largëta kur shkonin me Aleksandrin e Madh ose me Pirron. Por, edhe sot, ata tregojnë se e kanë ruajtur nacionalizmin e tyre të kulluar e të paprekur gjatë shekujve” (sot teorikët “euro-demokratë” do ta padisnin si “joperëndimor” e “të paqytetëruar” që lavdëron “nacionalizmin”)! Pas përshkrimeve epike të vëndit dhe historisë së popullit që ua drejton të huajve, nuk harron përshkrimet me një lirizëm poeti në frymën e Naimit: “Nga pamja e jashtme, vendi i Shqipërisë duket diçka i egër, po kur hyn brenda sheh pamje të kundërta me bukuri të rrallë. Mbas perdes së majave shkëmbore dhe faqeve të thepisura, hapen hapësira të mëdha fushash e pyjesh, veshur blerim e ngjyra floriri sipas stinës. Nga grykat e errëta e nga ngushticat e maleve, njeriu del befas në oaze të gjelbra e të mahnitshme. Rrjedhjet shurdhuese të ujërave që derdhen poshtë maleve ndërrohen në rrëkera uji të qeta që shkasin heshtur lëndinave aromatike. Gjatë bregut të detit ka gjire të qetë ngjyrë blu të kthjellët e rrëzë maleve, majat e të cilave lagen vazhdimisht nga vesa e reve në lëvizje, ka gryka me thellësi të pafund. i tillë është vendi ku banon me shekuj shqiptari, bijtë e shqipes”.

Më tej, jep kodin moral të bijve të Shqipes: “Me gjithë fenë dhe pasojat nga sundimi turk, shqiptarët u kanë mbetur besnikë zakoneve të paraardhësve. Tre objektet kryesore të përkushtimit të shqiptarëve janë nderi i tij, familja e tij dhe Atdheu”. Himn të veçantë i ngre gruas shqiptare: “Në asnjë vend gruaja nuk gëzon aq nderim dhe fuqi ndikimi sa në vendin tim, gjithmonë merret mendimi i saj për çështje të lidhura me familjen apo vendin. Ajo është më pak krenare për bukurinë e saj, për familjen e prejardhjen, për pozicionin e vet se sa për numrin e fëmijëve të saj e meritat e tyre që ajo i quan se bien mbi të”. Më tej u jep përgjigje atyre që duan ta errësojnë si komb mes parcelave të feve dhe spekulimeve me osmanët: “Lidhja e shqiptarëve me Perandorinë turke nuk duhet të shihet si ndikim i fesë myslimane. Shqipëria bën përjashtim të rregullit, kaq i zakontë në Lindje kur feja dhe kombësia formojnë një unitet. Duke qenë besnikë të feve të tyre e shpesh të zjarrtë e të rreptë, shqiptarët nuk bëjnë dallim nga feja, e asnjëra nga popullsitë nuk kërkon të ketë mbi tjetrën përparësi apo përfitime të njëanshme”. Si atdhetar e dijetar, ai hyn më thellë në gjykimin historik dhe filozofik të shqiptarit: “Në historinë e saj të gjatë Shqipëria ka qenë e shtrënguar shpesh të heqë dorë nga qeverisja e vetvetes, por nuk ka hequr dorë nga pavarësia e saj. Gjatë shekujve duroi të mos rrezikonte qenien e vet. Durimi, në këtë rast, qe i domosdoshëm në ruajtjen e vetvetes për kohën e duhur”. Ai sqaron më tej: “Sulltanët, të kënaqur që, më në fund, arritën të shuajnë një qëndresë të ashpër e të interesuar më tepër për trimërinë e shqiptarëve se për pasurinë e tare, pëlqyen më shumë marrëveshjet me ta duke nderuar ligjet dhe zakonet e tyre e duke lejuar qeverisjen e vendit nga krerët shqiptarë. Kur shqiptarët panë se Turqia (osmane) po shkonte në greminë, u bashkuan të shpëtonin veten e thanë njëzëri – le të vrasë veten po i deshi qejfi! Ne duam të rrojmë”!

Duke ardhur drejt atdheut për të ngritur Flamurin, më 20 nëntor 1912, në Trieste, gazetës “Piçolo” i përgjigjet në intervistë: “Ne duam t’i paraqesim Europës faktin e kryer. Do krijohet një qeveri e Përkohshme e ndoshta unë do jem kryetari. Jemi ne (shqiptarët) që filluam luftën kundër qeverisë së keqe të turqve të rinj. Kemi qenë ne që kemi bërë luftëra të vazhdueshme për vite e vite, dhe e drejta e do që ëndrrat tona të plotësohen”. Më tej, pohon aq thjeshtë e fisnikërisht: “Shqiptarët nuk venë kurrë tej caqeve të së drejtës së tyre”. Sa diplomat elastik, aq dhe realist, në çdo takim me zyrtarë hijerëndë të Europës kishte aq shqetësim Shqipërie në dinjitetin e tij sa nuk pati kurrë kompleks përuljeje ndaj të huajve, që për fitime apo ledhatime të tij të lëshonte nga Atdheu. Këtë ia kishte thënë me kohë si këshillë dhe sulltanit për t’u harmonizuar me botën: “Ajo që udhëheq politikën e çdo shteti është së pari interesi i vet”. Fuqive të Mëdha që prenë me aq cinizëm Shqipërinë iu përgjigj botërisht për të ardhur në vete më tej: “Atë që sulltanët nuk na e bënë në shekuj Europa na e bëri në 5 muaj”. Si diplomat i pashoq, ai s’u lodh kurrë duke udhëtuar në tre kontinente, atje ku luhej fati i vëndit të tij. Kjo s’e pengonte të çmonte të harmonizuar me të edhe uraganin popullor mbledhur në mbi 400 vjet. Që më 1876, i kërkoi Sulltanit të shpallte Kushtetutën e qytetëruar ku kish dorë dhe vetë si europian. S’u dëgjua. Populli e mori vesh e më 1908 u mblodhën në Ferizaj prej nga i dërguan Sulltanit Ultimatumin historik për Kushtetutën. Ismail Bej Qemali vlerëson: “10 mijë shqiptarë të armatosur u grumbulluan në Ferizaj, më 15 korrik 1908, nga ku i dërguan sulltanit një telegram të famshëm, i cili bëri tek ai përshtypje më të madhe se sa protestat e tërë turqve të tij dhe të gjithë përfaqësive diplomatike të Europës». Në kujtimet e tij, E. Grej, kryenikoqiri i thertores së Shqipërisë pohoi çiltër se ky flijim u bë për të qetësuar gjakrat mes Fuqive të Mëdha e për të siguruar paqen. Ismail Bej Vlora me profeci gjeniu dha mendimin që doli i saktë se megjithatë, edhe me këtë pazar të shëmtuar diplomatësh lufta është e pashmangshme, se paqja nuk sigurohet mbi qetësinë e shtirur, por, mbi drejtësinë. Ai shkroi gjykimin që vlen dhe për sot: “Kemi bindjen se një drejtësi për ne do jetë e mirë jo vetëm për ne po dhe për ata që kanë kërkuar të rriteshin me shkatërrimin tonë. Ndërtesa e Ballkanit mund të qëndrojë, veçse me themelimin e Shqipërisë, e cila formon shtyllën e katërt të kësaj ndërtese”.

           Një nga akuzat që vazhdon në mënyrë të shëmtuar mbi figurën e madhe të tij është se ai e paska shitur te Greqia Shqipërinë. Dihet fryma e Athinës dhe Beogradit – kur kundërshtarin e madh s’e fiton e as e përthyen dot, vihen ta njollosin, me shërbimin e veglave të tyre që për fat të keq te shqiptarët i gjen pa mundim. Ato padi nisin nga shpifja intime, se ai qenka martuar me një greke. Albania e Konicës në një rubrikë për figurat e shqiptarëve me emër, njofton: “Vlora – Ismail Beu: Njeri me shumë vlera e dinjitet të cilit nuk i mungon patriotizmi. Ka marrë grua një bullgare (besohej gabimisht se ishte greke)”. Në një mbledhje të parë të Kabinetit këshilloi: «Të mos fillojë mbledhja sa të vinë dhe delegatët e Gjirokastrës, Tepelenës, Janinës e Çamërisë» të cilat i pengonin bandat greke. Konsulli Lori në Vlorë, më korrik 1914, shkruan: «Në një pjesë të popullsisë janë hapur dyshime për të kaluarën e tij e për shpifje si ajo e Venizellos, i cili kur kaloi këndej para ca dite, i paska dërguar 800 lira turke». Në “Kujtime” Ismail Bej Qemali ai shkruan me dhimbje: «Mëse gjysma e vendit tim iu dha Serbisë, Malit të Zi e Greqisë. U shkëputën qytetet më të përparuara e krahinat më pjellore. Shqipërisë i mbetën zonat më të thata e me më shumë shkëmbinj…» E më tej: «Me energji të shumëfishuar, shqiptarët pa dallim krahine apo besimet përkatëse treguan vendosmërinë me energji të shumëfishuar për të mos iu nënshtruar qeverive të huaja, qofshin greke apo sllave». Në Intervistën me publicistin italian ‘Beneddeto’, 2 prill 1913, kur gazetari e njofton se Shqipërisë duan t’i marrin Korçën, Këlcyrën, Tepelenën, Gjirokastrën dhe Sarandën, ai shpërthen: «Po ky është gjymtim i plotë i Shqipërisë… Është me të vërtetë për t’u çuditur që grekët duan të pronësojnë gjer edhe Korçën»! Diplomati Falaski shkruan: «Nga Vlora, më 21.7.1914, Ismail Qemali i bëri thirrje Europës, duke denoncuar krimet e tmerrshme që po bënin grekët në vendet e pushtuara prej tyre». Para se të shkonte në Itali, ku agjenturat e helmuan, ai shpalli: «Duhet me çdo mënyrë të fitojmë Kosovën, Manastirin, Janinën e gjithë Çamërinë. U lutem tërë atdhetarëve të mos flenë e të mos kursejnë asgjë për shpëtimin e Shqipërisë nga duart e armiqve». Kur iku me familje për në Turqi, në Manastir (Herakleu i hershëm) tha, siç e kanë ‘Kujtimet’: “Gjer këtu është Shqipëri”. Sa u shpall ‘foshnjë’ Pavarësia, Athina shpejtoi i vuri si litar në grykë bllokadën detare për ta ndarë nga Europa e të vdiste tek lindi, dhe Ismail Beu njoftoi me nervozizëm gjithë botën: «S’mund të vazhdojmë më në këtë mënyrë. Duke vazhduar bllokadën e Vlorës grekët shpallin kërkesa të poshtra, në kundërshtim të plotë me qytetërinë e tyre. Pse vallë duan të përmbysin një popullsi të pafaj, asnjanëse, me anën e fatkeqësisë së urisë!?». Logjikën ai e çon më thellë për fqinjin e pabesë e mosmirënjohës: «Kryetarët e kryengritjes greke, pothuaj të tërë shqiptarë të krishterë, detyruan Portën e Lartë të tregonte kujdes, sidomos në Shqipërinë e Ulët». Për Atdheun e tij shkruan (aq të ditës mendimet e tij) se kombi shqiptar «Ndjek gjurmët e kohës së lashtë të qytetërimit parahelen ose pelazgjik, që raca shqiptare ka shumë të drejtë ta quajë të vetën dhe burimin nga i cili rrodhi qytetërimi helen». Gjetkë shpreh mendimin profetik me reze të gjatë veprimi kundër pushtuesve sllavë e grekë bashkë: «Historia do t’i gjykojë ata ardhacakë të egër që duan të bëhen zot në shtëpinë e tjetrit, por që nuk do të bëhen kurrë».

          Tepër e dhimbshme, ky Shpëtimtar i madh i Shqipërisë të kish rrotull këmbëve aq mostra e plehurina të tipit Esat Pashë, ushqyer nga smira e tyre apo shovenët fqinjë. Ai e vuante këtë kur i përgjigjet gazetarit italian: «Ju e dini, ka njerëz në Vlorë të cilëve s’u intereson Pavarësia e Shqipërisë. Ky grup i vogël më ka luftuar gjithmonë e është përpjekur të më krijojë vështirësi». Dhe jep gjykimin filozofik: «Pavarësia e Shqipërisë nxori në dritë dhe deformimet tërë plagë të njerëzve bërë nga shtypja shekullore, e sot këto plagë u hapën e bien erë» (tepër e ngjashme si të thuhej sot për deformimet shpirtërore nën shtypjen 50-vjeçare komuniste, që në ‘demokraci’ u hapën e po bien erë të rëndë më tepër se 20 vite). Megjithatë, Vlonjati i Madh mbeti në çdo gjë sa madhështor dhe fisnik. Për qëndresën e Shkodrës kundër malazezve pushtues tha se «Durimi i atyre njerëzve është veçanërisht i madhërishëm»! Kur u pushtua, tha se populli i rrethuar e i shkatërruar nuk kish ç’të bënte më shumë! Pyetjes, se pse nuk tregon për shitjen që Esat Pasha i bëri te Mali i Zi, iu përgjigj: «Shqiptari rrobat e palara i than brenda oborrit të vet, të mos fyejë veten para të tjerëve».

          Vlerësimet për të janë ngado. Publicisti britanik S. Story, më 1920 thotë: «Kam njohur shumë njerëz të mëdhenj, por të rrallë janë ata që mund të krahasohen me Plakun e urtë shqiptar, Ismail Bej Qemalin». Historiani amerikan Edvin Zhak vlerëson: «Mendja e tij e mprehtë dhe idetë novatore bënë që Sulltan Abdyl Hamiti të kish njëherësh si nderim edhe frikë prej tij. Ndonëse e internuan për disa vjet, atij nuk reshtën së dhëni grada». Gazetari Benedetti shton: «Çështja e paqes, në përgjithësi, i detyrohet shumë këtij burri i cili ka pasur detyrën historike më të vështirë, me anën e luftërave diplomatike që u detyrua të përballojë. Do qe fare lehtë për Ismail Beun ta përmbyste krejt Europën»! Konsulli i njohur italian në Vlorë, De Facendis vlerësonte: «Ai ka kapërcyer çaste të vështira, gjendje të rënda prej të cilave të tjerë nuk do dilnin dot, e qeveria e Përkohshme në këto orë do kishte vdekur me kohë. Ka manovruar me turqit, me grekët, me myslimanët e të krishterët, me qeveri e me konsuj, me miq e armiq të tij». Amerikani Fullerton thotë: «Si është e mundur të mos ndikohesh nga mendimi i një burri të pasur me përvoja të çdo lloji e të gjata të Konstandinopojës, Europës Qendrore, të Ballkanëve, të Anglisë dhe të Europës»?! Gazetari Benedetti shton: «Influenca e madhe e Ismail Qemalit që ai gëzon në Europë, afritë e shumta që ka ngado, e kaluara e tij mes përleshjesh të rrepta e shpesh të rrezikshme kundër osmanëve, e bënë që ai të ishte jo vetëm njeriu përfaqësues për të ardhmen e shtetit shqiptar, por dhe simbol i gjallë i idealizmit kombëtar”. Është mbresëlënës një kujtim i vetë atij: “Gjatë qëndrimit në Bukuresht u prita nga Princi Karl e pata rastin t’i paraqes nderimet e mia princeshës Elisabet (poetja Karmen Silva). Ajo nuk pranonte vizita zyrtare se qe shtatzënë, por qe kureshtare të më takonte. Më priti në mënyrë magjepsëse duke ndenjur gjithë kohën e shtrirë në divan”.

 Konsulli De Facendis tregon se kur po shtoheshin armiqtë nga jashtë e nga brenda, Ismail Bej Qemali u shfaq si pikë qendrore ku u lidh uniteti kombëtar i shqiptarëve të cilët: «Mënjanuan armiqësitë e u mblodhën rreth një burri superior në zgjuarsi, përvojë e mprehtësi; kështu u munduan të shpëtojnë Atdheun duke shpallur Pavarësinë». Europa zyrtare deshi ta copëtonte më tej, e Ai iu përgjigj botërisht: «Ne nuk duam turbull e ngatërresa, nuk duam prishjen e paqes mes kombeve në Siujdhesën Ilirike. Duam e kërkojmë me gjithë zemër bashkimin e farës shqiptare, përparimin e saj si në punë të mendjes si në lumturi të jetës e në begati. Të jemi si një kurm, edhe një komb i shqiptarëve që rrojnë tubërisht në Shkodër, Kosovë, Manastir e Janinë». Publicisti Benedetti jep vlerësimin më mbresëlënës: «Paqja i detyrohet shumë këtij burri, të cilit i takoi detyra historike më e vështirë për shkak të luftërave diplomatike që iu desh të përballojë».

          Vlerësim të veçantë kulmor ku shfaqet gjeniu profetik, bën historiani amerikan, Edvin Zhak. Ismail Bej Qemali këshilloi Sulltanin: «Popujve brenda Perandorisë t’u jepet liri për zhvillimin e tyre jetik, kulturor e arsimor; njohje e vetësisë etnike në bashkësi me leverdi të ndërsjella barazie e miqësie; lëvizje e lirë (pa viza – a.sh) e njerëzve të barabartë; klube e shkolla të lira». E. Zhak komenton më tej i mahnitur: «Një qind vjet para krijimit të Bashkimit Europian ai i propozoi Sulltanit një skemë të ngjashme. Për të penguar ëndrrën shekullore ruse që të merrte Kostandinopojën e të dilte në Mesdhe, më 1892 këshillon Sulltanin se “Bashkimi i lirë që ju këshilloj unë do t’u jepte popujve të çdo shteti të drejtën që të vendosen në çdo pjesë të Perandorisë së madhe dhe të kenë përkatësinë e saj, me lirinë për t’iu futur çdo ndërmarrjeje që duan, unitetin e njerëzve për mbrojtjen e përbashkët (si NATO – a.sh) dhe energjitë e tyre t’i kushtoheshin zhvillimit ekonomik të Perandorisë» (si sot, tërë BE-së dhe Eurozonës); (për ironi historie, populli i këtij dijetari të madh që paratha me kohë idenë e BE-së po mbetet jashtë saj, se politikët që pasuan ecën e po ecin kundër Tij)!

Është mbresëlënëse se, siç u bind nga ngjarjet ai përkrahte mbështetjen te SHBA-ve. Në Konferencën e Paqes do shkonte si përfaqësues i Partisë Politike të zonjës Sevasti e Parashqevi Qirjazi në Amerikë. Publicisti amerikan që e shtyu për Kujtimet thotë: «Me shpirtin liberal të 50 viteve më parë, vendosi të kërkojë të përdorë në maksimum për atdheun e tij të dashur gjithë parimet doktrinare që me aq tepricë lëshoheshin nga Uashingtoni si nga shkopi i një prestigjiatori. Ismail Qemali kish shpresuar gjer në fund, dhe shpresën e tij e kish te Amerika». Renco Falaski gjykon: «Megjithëse mendimi i tij qe modern, bile në pararojë, ai i përkiste asaj shkalle njerëzish të mëdhenj të shekullit të kaluar (shekull që mbaroi më 1914), të paaftë t’u jepnin rëndësi parave». I shqetësuar nga kurthet e fqinjëve shovenë për Shqipërinë deshi të shkonte nga Italia në Zvicër. Qeveria e Romës s’ia lejonte lëvizjen e konsullata e saj në Marsejë më korrik 1916 i shkruante njerëzisht policisë italiane: «Duke e ndaluar Ismail Qemalin të shkojë në Zvicër kur ai me familjen janë në varfëri të plotë, nuk bindem se bëhet fjalë për një kundërshtarin tonë dhe nuk është as humane as e urtë të lihet të vdesë nga uria». Konferenca e Paqes në Paris kërcënonte përsëri zhdukjen e kombit e më 22 janar 1919, Ismail Qemali kishte paralajmëruar: «Sot është ditë vendimtare për Shqipërinë, do ngjallemi ose do vdesim! Të kisha të holla do isha hedhur gjer në Amerikë për një marrëveshje të plotë me gjithë atdhetarët e atjeshëm».

          Është tepër mbresëlënës natyra e dytë e Tij: aq sa qe i madh qe dhe i thjeshtë, gjer në modesti të pabesueshme. E paharrueshme mbetet ajo që i tha mikut vlonjat Ali Asllanit: «Ne e bëmë si e bëmë Shqipërinë! Preng Doçi do ta bënte pa ne edhe më mirë se ne». Kur e patën emëruar Guvernator në Varnë kërkoi që të mos thirrej «Pasha» siç e donte detyra, por vetëm Bej (‘Bej’ është emërtim nderimi e fisnikërie siç e kanë perëndimorët ‘kont’, ‘sër’, ‘majestè’, ‘mister’ etj). Te qeveria e tij në Vlorë, një çast u shpreh: «Ne sot këtu jemi të qetë nën hijen e Flamurit shqiptar, pasi shpatullat tona të përgjysmuara mbrohen nga pushka e Elez Isufit dhe e Islam Spahisë në malësitë tona». Atdhetarit të shquar Kristo Dako, që po përpiqej aq shumë për fatin e Shqipërisë në Konferencën e Paqes, i shkruan mes të tjerash: «I ndershëm bashkatshetar zZ. Dako! Ju lutem më jepni lejen t’ju përgjigjem me falënderim fjalëve të ëmbla që ‘Ylli i Mëngjesit’ shkruan për artikullin tim. i lutem Zotit të më apë fuqi të përpiqem gjer në fund të jetës me Ju bashkë për lirinë e plotë të së dashurës Shqipëri. Ju përshëndosh atdhetarisht! Juaji me besë, Ismail Qemali»!

Agim Shehu

(vijon në numrin e ardhshëm)

 

 

Comments are closed.