DASH: Kosova vend tranzit i narkotikëve

Në raportin e publikuar së fundmi nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Kosova cilësohet si shtet tranzit për drogat që kanë destinacion Evropën dhe nuk është prodhues narkotikësh. Po ashtu në këtë raport theksohet se qeveria e Kosovës përballet me sfida në luftimin e trafikimit të narkotikëve, për shkak të zonave të pakontrolluara kufitare dhe korrupsionit të mundshëm. Qeveria e Kosovës në korrik të 2009 ka miratuar strategjinë kundër narkotikëve e cila përfundon në 2012. Një strategji e re qershor 2012- qershor 2015 është duke u shqyrtuar aktualisht. Kosova ka bërë përparim në iniciativat kundër substancave narkotike në vitin 2011, kryesisht duke përmirësuar koordinimin në mes të agjencive të përfshira. Heroina dhe drogat të tjera hyjnë në Kosovë kryesisht përmes Afganistanit, përmes Turqisë dhe Lindjes së Mesme dhe përmes Maqedonisë, ndërsa kokaina dhe marihuana hyjnë përmes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Statistikat e Policisë së Kosovës tregojnë se që nga janari deri në shtator të 2011, më së shumti është zënë sasi e marihuanës, (96.8 kg), pasuar nga heroina (33.1 kg) dhe kokaina (2.6 kg). Sfidat për policinë në uljen e furnizimeve kanë të bëjnë me burimet e kufizuara, rrethi i ngushtë familjar, strukturat klanore, që pengojnë hetimet dhe një mungesë e përgjithshme e prokurorëve qe merren vetëm me krimet narkotike. Statistikat për konfiskimin, arrestimin dhe përndjekjen janë në masë të madhe të pabesueshme dhe jokonsistente. Sa i përket politikave qeveritare, Kosova nuk inkurajon trafikimin e drogës dhe asnjë zyrtar nuk dihet të jetë marrë me aktivitete të tilla. Kosova bashkëpunon dhe shkëmben informacione me fqinjët përmes takimeve joformale bilaterale dhe multilaterale. Policia e Kosovës thotë se shkëmbimi i informacioneve me Shqipërinë dhe Maqedoninë është i mirë. Janë duke u zhvilluar negociata për të nënshkruar marrëveshje edhe me Malin e Zi. Vazhdimi i ndihmës ndërkombëtare dhe një nivel i lartë i  vëmendjes dhe një koordinim i Qeverisë së Kosovës, do të çonte përpara objektivat e Kosovës në luftën kundër narkotikëve.

Comments are closed.