Debate në Parlament për pr/ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave

Projektligji për pronat ka ngjallur debate dhe akuza të forta mes PD dhe PS në Kuvend. Deputeti socialist Erjon Braçe akuzoi qeverinë për afera korruptive me pronat në jug. Si replikë ndaj Braces, kryeparlamentarja Topalli, akuzoi opozitën se nuk ka kompensuar asnjë ish-pronar, ndërkohë që sulmoi kreun e PS, Edi Rama. Kryetarja e Parlamentit u shpreh se të gjithë ish pronarët përveç kompensimit financiar dhe fondit që është vendosur dhe që kanë marrë sipas ligjit në një periudhë të shpejtë do të fillojnë të marrin kompensimin fizik. Ndërsa ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu ka dhënë mbështetjen për projektligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave, gjatë fjalës së tij në parlament, pasi sipas tij janë marrë parasysh edhe tre amendamentet e propozuara prej tij. Sipas tij ka nevojë për një debat të gjerë të Agjencisë së Kthimit e Kompensimit për të parë a është e mjaftueshme infrastruktura, personeli e kualifikimi i atyre që do të merren me këtë çështje. “Risjell shqetësimin në vëmendjen tuaj. Ne kemi pasur agjencisë e kthimit të shtrirë në të gjithtë territorin e Shqipërisë tashmë e kemi të përqendruar vetëm në Tiranë, është një punë voluminoze. Ka nevojë të domosdoshme mbledhja e të dhënave fillestare, që kryhet përmes indentifikimit fizik. Duhet të ndërtohet manuali i mbledhjes së të dhënave që duhet të verifikohen çdo vit. Rishikimi fizik dhe rivlerësimi që mund të bëhet një herë në katër vjet ose një herë në gjashtë vjet, mendoj se ka nevojë për një debat të gjerë të agjencisë së kthimit të pronave për të parë nëse është e mjaftueshme infrastruktura, personeli dhe kualifikimi i njerëzve që do të merret me këtë çështje. Janë 6500  për dosje por nuk kemi kompensim fizik deri tani, mendoj që ky duhet të përbëjë shqetësim. Duke pasur në konsideratë faktin që amendamenet që parashtrova janë konsideruar në rregullimet dhe amendamenet që u plotësuan jap mbështetjen time për këtë projektligj”, u shpreh Mediu. Në fjalën e tij deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj ka theksuar se ky ligj do t`i japë zgjidhje të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me pronën. “Projektligji është pa ngjyrime politike, i diktuar nga nevojat dhe kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë, i tejkalon sensibilitetet politike të majta e të djathta e duhet të marrë edhe votën morale të maxhorancës e opozitës”, theksoi Alibeaj.

Comments are closed.