Debate për anëtarët e bordit të ZRPP, në Komisionin e Ligjeve

Në mbledhjen e sotme të Komisionit parlamentar të Ligjeve janë zhvilluar debate lidhur me pr/ligjin për Pasuritë e Paluajtshme. Nga ana e tyre, deputetët e Partisë Socialiste kanë kërkuar që përzgjedhja e bordit të ZRPP-së të përcaktohet me ligj. Ata kanë kërkuar që një anëtar të emërohet nga Parlamenti, dhe jo siç është e përcaktuar në projektligj, nga ministria e Financave dhe Drejtësisë. Në fjalën e saj, deputetja Shegushe Ligori theksoi se pronat nuk i kanë vetëm njerëzit e qeverisë por dhe njerëzit që votojnë opozitën. Sipas saj, një anëtar bordi duhet të zgjedhë dhe Parlamenti. Ndërsa zv/ministrja e Drejtësisë, Kasmi ka deklaruar se i mbeten variantit të paraqitur nga qeveria. Ndërkohë në mbledhjen e sotme të këtij komisioni parlamentar, një tjetër pikë diskutimi ka qenë edhe statusi i regjistruesit të pronës. Deputeti demokrat Enkelejd Alibeja ka kërkuar që ata të përfitojnë statusin e nëpunësit civil. Por zv/ministrja e Drejtësisë, Brikena Kasmi ka kundërshtuar këtë propozim, duke u shprehur se për këtë duhet të ndryshojë ligji për shërbimin civil, i cili kërkon 84 vota. Ndërsa deputeti Alibeaj është shprehur se nuk ka asnjë konflikt pasi janë punonjës shtetëror. Sipas projektligjit për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, drejtimi i hipotekës do t’i besohet një bordi kolegjial me 5 anëtarë, një prej të cilëve do të ketë tagrin e drejtorit ekzekutiv dhe do të emërohet nga kryeministri. 4 të tjerët emërohen nga ministria e Drejtësisë dhe ajo e Financave. Kjo strukturë e re, nuk do të marrë më para nga buxheti i shtetit por do të funksionojë me vetë-financim.

Comments are closed.