Dëbora, qeveria heq gjendjen e fatkeqësisë natyrore

Kryeministri Berisha ka njoftuar sot në mbledhjen e Komitetit të Emergjencave, heqjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në zonat e bllokuara nga dëbora në veri dhe verilindje të vendit. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë ka falenderuar të gjithë punonjësit e administratës dhe qytetarët për solidaritetin e rrallë të treguar për t`u ardhur në ndihmë banorëve të zonave të izoluara. Berisha gjithashtu ka bërë një panoramë të situatës aktuale në këto zona, duke njoftuar përmirësimin e situatës. “Ne dolëm nga situata kur asnjë qytetarë i vetëm që kërkoi ndihmë nuk mbeti pa e marrë atë. Dolëm nga kjo situatë pa dëme serioze materiale, pa dëme të ndejshme në gjënë e gjallë të këtyre zonave, dëshmi kjo e shkallës së përgatitjeve të mira që kanë bërë familjet e këtyre zonave për dimrin, që nuk e prisnin në asnjë rrethanë kaq të rëndë”, theksoi Berisha ndërsa shtoi se qeveria mobilizoi të gjitha fondet dhe mjetet për shpërndarjen e ndihmave. Kreu i qeverisë ironizoi paralajmërimet e opozitës për 3 katastrofa të mundshme nga moti i keq. Sipas tij, përballimi i suskesshëm i situatës duhet të shërbejë si mësim për kryetarin e PS-së Edi Rama. “Fatmirësisht shqiptarët e kaluan këtë dimër deri tani pa asnjë katastrofe. Uroj që shoku ciu-ciu të nxjerrë mësime se nuk ndërtohen alternativat vetëm mbi të keqen, edhe kur është, edhe kur s`është, se ja që nuk doli asnjë prej atyre që paralajmëroi ai. Sikur borën ta kishte sjellë qeveria, digat t`i kishte shterë energjia, nuk janë shqiptarët ata që mund t`i besojnë këto gjëra. I uroj sot që ta lexojë këtë muaj që shkoi me zhvillimet e tij që të nxjerrë mësime”, theksoi Berisha. Në fjalën e tij, kryeministri i bëri thirrje autoriteteve vendore të aplikojnë për grantin e zhvillimit deri më datën 2 prill kur është edhe afati i fundit.

Comments are closed.