Degradohet muzeu etnografik në Elbasan

 

Rrezikon të shkatërrohet fondi i muzeut etnografik të Elbasanit. Prej 27 vjetësh në godinën, që është shpallur monument kulture i kategorisë së parë, nuk është bërë asnjë restaurim duke çuar në dëmtimin e thellë të mureve të punuar artistikisht, depërtimin e lagështirës dhe dëmtimin e çatisë. Fondi i muzeut përbëhet nga 800 objekte të rralla historike, rreth 80 punime zejtarie të rralla dhe veshje popullore. Duke qenë se godina, që i përket shekullit të 18-të, është monument kulture, sipas drejtorit të muzeut, Kreshnik Belegu, është detyrim i institutit të Monumenteve të ndërhyjë për restaurimin Godina është restauruar në vitin 1986 duke e përshtatur atë nga një shtëpi e vjetër elbasanase në muze etnografik. Gjatë gjithë këtyre viteve, sipas drejtorit, për shkak të kushteve të papërshtatshme në të cilat ruhen objektet historike, një pjesë e mirë e tyre kanë humbur ose janë dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme duke u zhdukur përfundimisht.