Dëmshpërblimi, kur përfitohet kësti i dytë. Të përndjekurit, dokumentacioni shtesë që kërkohen

EKSKLUZIVE/ Flet Lekë Hajdari, përgjegjës i Sektorit të Pagesave për ish të përndjekurit politikë 

Ish të përndjekurit, reduktohet mosha e dëmshpërblimit. Të dënuarit që kanë përfituar këstin e parë në 2009-ën, dokumentacione shtesë për të përfituar këstin e dytë. Rregullorja për dorëzimin e dokumentacioneve   

Fill pas datës 26 mars, do të nisë shpërndarja e këstit të dytë për të gjithë ata ish të përndjekur që janë mbi moshën 65 vjeç. “Për sa i takon formës së pagesës, në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave, do të kenë përparësi të gjithë ata ish të dënuar që jetojnë dhe kanë moshën mbi 65 vjeç. Kjo përparësi është vetëm për këstin e radhës, pra në qoftë se ne diskutojmë se do të fillojë kësti i dytë, këta njerëz që kanë vuajtur dënimin, jetojnë aktualisht dhe janë mbi 65 vjeç, do paguhen të parët, por vetëm për këstin e dytë. Kësti i dytë do të paguhet i barabartë me këstin e parë”. Kështu shprehet gjatë një interviste për “Republikën”,  Lekë Hajdari, përgjegjës i Sektorit të Pagesave për ish të përndjekurit politikë. Sipas zotit Hajdari, që të realizohet me shpejtësi ky proces, duhet që të gjithë ata ish të përndjekur që kanë përfituar këstin e parë të dëmshpërblimit në vitin 2009, duhet të paraqiten pranë zyrave të Sektorit të Shpërndarjes së Dëmshpërblimit për të depozituar dokumentacione shtese. “Kontrollimi i dokumentacioneve duhet bërë, sepse gjatë vitit 2009, është bërë pagesa e dëmshpërblimit me ligjin 9831, datë 12.11.2007, i pandryshuar. Më vonë, është ndryshuar ky ligj me ligjin 10111, datë 07.02.2008, i cili ka shtuar disa dokumente, për të cilat në fazën e parë të pagesës nuk janë depozituar. Në këto kushte, i njoftoj të gjithë ish të dënuarit që, aktualisht, jetojnë dhe trashëgimtarët e atyre nuk jetojnë më, që kanë marrë pagesën gjatë vitit 2009, duhet të kontaktojnë për plotësimin e dokumentacioneve”,-shton më tej Lekë Hajdari.

– Ç’mund të na thoni në lidhje me disa ndryshime që i janë bërë ligjit për ish të përndjekurit?

Aktualisht, është diskutuar dhe në Komisionin Parlamentar, ligji 9831, i ndryshuar me ligjin 10111, për disa ndryshime, të cilat ende nuk kanë kaluar për miratim në Parlament. Ndaj, në këto kushte, nuk mund të shprehem për një ligj, i cili është në kushtet e një projektligji të pamiratuar dhe i papublikuar, sipas dispozitave ligjore kushtetuese që ka shteti shqiptarë.

– Cila është skema e pagesës së dëmshpërblimit të këstit të dytë, me të cilën po punon sektori juaj?

Në lidhje me skemën e shpërndarjes së dëmshpërblimit, ne disponojmë vendimin 419, datë 14/04, të Këshillit të Ministrave, sipas të cilit përcaktohet detajet për shpërndarjen e këstit të dytë. Ky vendim i Këshillit të Ministrave ka hyrë për ndryshim dhe ka ndryshuar, por ende nuk është zbardhur si vendim.

– Kur pritet të nisë shpërndarja e këstit të dytë dhe cilët janë përfituesit?

Kësti i dytë do të fillojë të paguhet fill pas datës 26 mars të këtij viti. Për sa i takon formës së pagesës, në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave do të kenë përparësi të gjithë ata ish të dënuar që jetojnë dhe kanë moshën mbi 65 vjeç. Kjo përparësi është vetëm për këstin e radhës, pra në qoftë se ne diskutojmë se do të fillojë kësti i dytë, këta njerëz që kanë vuajtur dënimin dhe jetojnë aktualisht dhe janë mbi 65 vjeç, do paguhen të parët, por vetëm për këstin e dytë. Kësti i dytë do të paguhet i barabartë me këstin e parë. Ndërsa për pjesën e tjetër, që janë nën moshën 65 vjeç, jetojnë apo nuk jetojnë, do të vazhdojë kësti i dytë, sipas radhës kronologjike, të pagesës këstit të parë. Pra, e shprehur me thjeshtë, ata që kanë marrë këstin e parë në vitin 2009, do të paguhen më parë sesa ata persona që e kanë marrë në vitin 2010 dhe kështu do të vazhdojë sistematikisht. Ndërkohë, dua të theksoj se të gjithë ata që kanë marrë këstin në vitin 2009, qoftë ata që jetojnë apo ata që kanë vdekur, por që janë të interesuar trashëgimtarët e shkallës së parë, duhet të interesohen për të kontrolluar dokumentacionin e tyre gjendje.

 

– Pse duhet të kontrollohet dokumentacioni i tyre gjendje?

Kjo gjë duhet bërë për faktin, sepse gjatë vitit 2009 është bërë pagesa e dëmshpërblimit me ligjin 9831, datë 12.11.2007, i pandryshuar. Më vonë, është ndryshuar ky ligj me ligjin 10111, datë 07.02.2008, i cili ka shtuar disa dokumente, për të cilat në fazën e parë të pagesës nuk janë depozituar. Në këto kushte, i njoftojë të gjithë ish të dënuarit, që aktualisht, jetojnë dhe trashëgimtarët e atyre nuk jetojnë më, që kanë marrë pagesën gjatë vitit 2009, duhet të kontaktojnë për plotësimin e dokumentacioneve. Ne si sektor, kemi vënë në dispozicion një zyrë të veçantë, qoftë për informacion, qoftë për të depozituar dokumentacionet e mangëta dhe për ta sistemuar nëpër dosjet e personave përkatës. Në të njëjtën kohë, kemi vënë në dispozicion dhe tre numra telefoni. Të gjithë të dënuarit që janë paguar si të jetuar dhe, për fatin e tyre të keq, mund të kenë vdekur, duhet të depozitojnë dokumentacionin ligjor si të dënuar që nuk jetojnë. Se nëse kemi një të dënuar që është paguar si i jetuar dhe tani ai ka vdekur, ne dërgojmë paratë në bankë dhe ato ngelen të bllokuara. Kështu, për pasojë, i dyfishohet volumi i punës. Pra, në këtë mes, është në interes për çdo të dënuar që është paguar si i mbijetuar, nëse ky person nuk jeton më, familjarët e tij duhet të bëjnë sa më shpejt aktin e trashëgimisë dhe të depozitojnë dokumentet në mënyrë të atillë që mos të lëvizë shuma e lekëve pa destinacion.

– Afërsisht, sa është numri i personave mbi moshën 65 vjeç, që përfitojnë këstin e dytë të dëmshpërblimit?

Aktualisht, janë paguar nga ana e sektorit tonë 426 ish të dënuar me moshën mbi 86 vjeç për këstin e parë. Tashmë, sesa jetojnë prej tyre, këtë gjë nuk e di të saktë nuk kemi asnjë të dhënë. Ndërsa për sa u takon të dënuarve që janë mbi moshën 65 vjeç, të cilët kanë prioritet për pagesën e këstit të dytë, në bazë të vendimit 419, janë 1985 veta që janë paguar nga ana jonë. Pra, nuk kam asnjë të dhënë sesa prej këtyre ish të dënuarve mund të kenë ndërruar gjendje civile.

– Ç’mund të na thoni në lidhje me numrin e dosjeve me mangësi?

Numri i dosjeve me mungesë dokumentacioni, aktualisht është rreth 260 dosje. Ndërsa për sa i takon numrit të dosjeve pa informacion është rreth 60 dosje.

Rregullorja për dorëzimin e dokumentacioneve për dëmshpërblim

Në zbatim të urdhrit të dhënë nga drejtoritë vartëse të Ministrisë së Financave, për protokollimin e dokumentacioneve pranë protokollit të Ministrisë, ju paraqesim në formën e rregullores, procedurën që do të ndiqet për dorëzimin e dokumentacionit pranë Sektorit të Pagesave.

1- Çdo ish i dënuar apo trashëgimtar ligjor që është listuar në një VKM, për dëmshpërblimin, duhet të postojnë dokumentacionin në një nga pikat e postës së çdo rrethi, me adresën: “Ministria e Financave, Drejtoria e Financës dhe e Buxhetit”

Dokumentacioni do të jetë si më poshtë:

Për personat e dënuar që jetojnë:

1-     Dokumente identifikimi;

2-     Numër llogarie në një bankë të nivelit të dytë.

Për ish të dënuarit që nuk jetojnë:

1-     Akte trashëgimie;

2-     Certifikatë vdekje e të dënuarit;

3-     Certifikatë trungu e të dënuarit;

4-     Numra llogarie për çdo përfitues ose prokurë;

5-     Dokumente identifikimi për përfituesit.

Në qoftë se ka trashëgimtarë të vdekur, duhen të njëjtat dokumente dhe për trashëgimtarin e vdekur.

2- Dokumentacioni do të mbyllet në zarf dhe do të postohet sipas pikës 1.

3- Në zarfin e dokumenteve do të jetë i depozituar numri i VKM-ve ku është listuar ish i dënuari, numri i dosjes personale dhe një numër telefoni për kontakte të vazhdueshme.

4- Dokumentacioni duhet të jetë origjinal ose i noterizuar. Certifikatat nuk pranohen të noterizuara, duhen origjinale.

5- Për verifikimin e saktësisë së dokumentacionit, do të kontaktoni me numrat e telefonit: 2366160-0682284556-0682583601. Ky kontaktim duhet të bëhet, pas dy javësh, nga postimi i dokumentacioneve.

 

Comments are closed.