Deputetët e PE, kundër fusnotës në Kosovë

Rezoluta për Kosovën në Parlamentin Evropian do të votohet sot dhe pritet që ajo pothuajse në tërësi në formën e propozuar nga raportuesja Ulrike Lunacek do të fitojë një shumicë të madhe të votave të deputetëve në seancën plenare. Siç ka thënë vetë Lunacek gjatë  debatit për këtë Rezolutë  kanë kaluar dy muaj prej kur Raporti ishte miratuar në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit, prandaj ajo ka propozuar edhe disa ndryshime. Por ka edhe një amendament të propozuar nga disa deputetë socialistë, me të cilin do të kërkohet që edhe në këtë rezolutë të përmendet fusnota për Kosovën, si pasojë e marrëveshjes mes Beogradit dhe Prishtinës në dialog për mënyrën e pjesëmarrjes së Kosovës në nismat rajonale. Po të kalonte ky propozim do të ishte një ecje prapa për Kosovën në dokumentet e Parlamentit Evropian, duke pasur parasysh se Parlamenti është i vetmi institucion i BE-së, i cili trajton Kosovën si shtet të pavarur dhe i referohet me emrin kushtetues të Kosovës si “Republika e Kosovës”.

Comments are closed.