Deputeti Kastriot Islami merret në mbrojtje

 

Ish deputeti i Partisë Socialiste, Katstriot Islami është marrë në ruajtje nga policia. Kjo masë vjen një ditë pasi militantë të PS-së dhe Forumi Rinor Eurosocialist protestuan para pallatit ku banon deputeti, Kastriot Islami. Burime policore për Panoramën bëjnë me dije se nuk ka qenë kërkesë e zotit Islami marrja në ruajtje.  Ish deputeti i PS-së ruhet nga reparti RESI, i cili varet nga Drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve. Shkak për protestën e djeshme, sipas organizatorëve, ishte votimi pro i Kastriot Islamit në seancën e së hënës për shkarkimin e anëtarit të LSI-së në KQZ. Gjatë kësaj seance, deputeti socialist i qarkut të Durrësit, Gazmir Bizhga kërcënoi zotin Islami. Në një prononcim për Panoramën, Bizhga është shprehur se nuk është penduar për incidentin e së hënës në sallën e Parlamentit. “Ai është tradhtar, dhe se si i vlerësojmë tradhtarët ne shqiptarët, s’ka nevojë për koment”- shprehet ai për Panoramën.