Dështon sërish seanca ndaj Dajtit, nuk paraqitet avokati mbrojtës

Dështon sërish seanca ndaj Dritan Dajtit, i akuzuar për vrasjen e katër oficerëve të skuadrës speciale operacionale në vitin 2009. Shkak është bërë sërish mungesa e dy avokateve të caktuar kryesisht nga gjykata. Pavarësisht mungesës së tyre, trupi gjykues bazuar në një vendim të mëparshëm tentoi të zhvillonte seancën vetëm me praninë e të pandehurit Dritan Dajti. Por ky i fundit ka refuzuar, duke braktisur sërish sallën e gjyqit. Ndërkohë edhe pse e gjithë procedura zgjati pak minuta, janë vënë re masa më të rrepta sigurie, duke shtuar forcat e policisë në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Pak ditë më parë komiteti disiplinor i avokatëve të Dhomës së Avokatisë u mblodh për të shqyrtuar masën disiplinore të Krimeve të Rënda për 42 avokatë, të cilët refuzuan mbrojtjen e Dajtit.