Dhuna e shkaktuar ndaj shqiptarëve në Maqedoni, pse hesht Tirana dhe Prishtina

Nga ajo po ndodh kohët e fundit në Maqedoni, incidentet e vazhdueshme; kohë më parë u vranë dy shqiptarë nga një polic maqedonas, rrahja e nxënësve shqiptarë në autobus apo incidente të tjera, vërejmë se po injorohet nga Prishtina e Tirana dhe atë, shpesh duke dëshiruar të paraqiten si incidente spontane apo si të izoluara që ndodhën si pasojë e dallimeve etnike dhe ku shteti maqedonas nuk ka të bëjë me to. Shqiptarët në Maqedoni shtypen nga shteti. Dhe incidentet e tilla, madje edhe sikur të mos ishin të organizuara drejtpërdrejt, janë fryt i shovinizmit maqedonas që shteti i fryn tash sa vite. Atje, shteti e nxiti dhe po vazhdon ta nxisë shovinizmin antishqiptar. Dhe kjo që po ndodh është fryt i drejtpërdrejtë i kësaj politike që fillon nga akademia maqedonase me fyerjet përmes enciklopedisë, nëpërkëmbja e vlerave kulturore shqiptare, karnavalet e organizuara antishqiptare, deri te vrasja e veprimtarëve shqiptarë. Më e keqja është se gjatë tërë kësaj kohe, Prishtina ka heshtur, madje ka ndodhur të jetë edhe në anën e krimit. Kur më 12 maj 2010, u vra veprimtari Harun Aliu, ministri Rexhepi deklaronte se kemi bashkëpunim të mirë me Maqedoninë, pas takimit me homologët maqedonas, menjëherë pas vrasjes misterioze, ku Harun Aliu paraqitej si kontrabandist armësh. Pra, kjo politikë e nxitjes së urrejtjes kundër shqiptarëve merrte dhe merr krahë edhe nga heshtja e Prishtinës dhe Tiranës. Dhe tani kur si fryt kemi dhunën e shfrenuar edhe më tutje, synohet të amnistohet shteti maqedonas. Dhe para kësaj nuk bën të heshtet, pasi nuk është e drejtë. Shqiptarët vazhdojnë të bartin stabilitetin e Ballkanit mbi kurriz të tyrin. Dhe si shpërblim për këtë kanë shtypjen e vazhdueshme. Pse sot ndodh kjo tani?

Shumë thjeshtë, sot shqiptarët janë më të dobët se që ishin para 10 vitesh, dhe sot maqedonasit janë shumëfish më të fortë dhe më shovinistë se para 10 vitesh. Për 10 vite rresht, shqiptarët çorganizohen, dobësohen, përçahen, dhe për 10 vite rresht shteti maqedonas forcon dhe ushqen shovinizmin ndaj shqiptarëve. Tanimë, jemi në pikën kur shqiptarët përdhe, përballen me shtetin maqedonas të mbushur urrejtje kundrejt tyre. Për 10 vite rresht, edhe ajo marrëveshje që ishte, nuk u zbatua, edhe pse as për së afërmi nuk i plotëson kërkesat e shqiptarëve. Të mos harrojmë atë marrëveshje shqiptarët e nënshkruan për hir të stabilitetit dhe tani, kur ata janë dobësuar fare fillon dhunë ndaj tyre.

Dhe Prishtina hesht. Hesht se edhe ajo është bartëse e një politike, e cila e dobëson potencialin shqiptar. Ne po dobësohemi gjithandej. Ne po shtypemi gjithandej, ndërsa faktori politik shqiptar e ka reduktuar projektin e vet politik ne ruajtjen e pushtetit dhe jo ne mbrojtjen e shqiptareve. Shqiptarët po shtypen dhe dëbohen dhe po e humbin hapësirën ku jetojnë dhe kjo po ndodh edhe përkundër faktit që janë të dëgjueshëm, edhe përkundër faktit që stabilitetin e rajonit e mbajnë mbi kurriz. Para kësaj nuk bën të heshtet.

Comments are closed.