Dhuna në familje, jo vendime fiktive nga gjyqtarët

 

Komisioni i ligjeve nisi diskutimin nen për nen të ndryshimeve në kodin penal të cilat parashikojnë rritje të dënimeve për disa krime të rënda. Disa nga ndryshimet thelbësore mbetet dhe heqja e lirimit me kusht për disa vepra penale.”Që ne i vlerësojmë si shumë të rrezikshme që lidhen me vrasjet e funksionarëve publikë, policëve, familje, hakmarrje apo gjakmarrjen, si dhe kryerjen e marrëdhënieve seksuale apo homoseksuale me të mitur kanë sjellë vdekjen apo vetëvrasjen e të miturit, personi i dënuar të mos ketë mundësi të përfitoj liri me kusht”, tha Gazmend Bardhi, këshilltar për çështje legjislacioni në Ministrinë e Drejtësisë. Por heqja e lirimit me kusht është kundërshtuar nga opozita. Sipas deputetes Vasilika Hysi këto ndryshime vendosin dënime fiktive ndërsa do te shtojnë korrupsionin ne gjyqësor. “A mund t’i mohohet e drejta një gruaje që mund të vrasë bashkëshorten, por ndërkohë ka një sërë rrethanash lehtësuese sepse ka qenë e dhunuar sistematikisht. Pra, ne jo vetëm që e çojmë burgimin jo më pak se 38 vjet, sipas variantit që ju sillni por i mohoni të drejtën që   ajo të fitojë lirimin pasi të ketë vuajtur 30 vjet burgim. Ne kemi instaluar rritjen e korrupsionit dhe maninë në gjykatë për të ndryshuar cilësimin e veprës, vlerësimin e veprës, që të shpëtojë nga këto dënime që janë të paimagjinueshme”, tha Vasilika Hysi, deputete e Partisë Socialiste. Ndryshimet në kodin penal parashikojnë rritje të dënimeve deri në 38 vite heqje lirie për krime ndaj funksionarëve publikë, punonjësve të policisë së shtetit, vrasjes për hakmarrje ose gjakmarrje si dhe vrasjes brenda familjes.