Dhunimi i nxënësve shqiptarë në Maqedoni, PDIU : Të vihen para përgjegjësisë autorët

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka reaguar sot në lidhje me dhunimin e 15 nxënësve shqiptarë në Maqedoni. Në një deklaratë për mediat, PDIU-ja ka dënuar inicidentin duke theksuar se situata ndëretnike në Maqedoni duhet të gjejë zgjidhje përpara se të krijohen rrethana të cilat do të dëmtonin rëndë bashkëjetesën e shqiptarëve me maqedonasit. « Diskriminimi i vazhdueshëm i shqiptarëve në nivel shtetëror i ka lënë vendin ditët e fundit përplasjes fizike me motiv etnik ndërmjet të rinjve në Maqedoni, ku shqiptarët janë dhunuar barbarisht vetëm dhe vetëm pse i përkasin kombësisë shqiptare”, thuhet në deklaratën e PDIU-ja. Ndërsa e ka cilësuar ngjarjen si të përsëritur, PDIU-ja thekson se shteti maqedonas nuk po vepron për të ndaluar tensionin ndëretnik. Sipas PDIU-së, indiferenca dhe apatia e institucioneve qeveritare maqedonase ndaj këtyre rasteve barbare të dhunës anti-shqiptare që dëshmohet nga mos-ndëshkimi i asnjë personi përgjegjës për to deri më tani, ka inkurajuar shtimin dhe përshkallëzimin e këtyre rasteve duke kërcënuar seriozisht sigurinë e banorëve shqiptarë në Maqedoni. « Ne shprehin solidaritetin tonë të madh për bashkë-kombasit tanë në Maqedoni dhe i bëjmë thirrje institucioneve shtetërore maqedonase që të vihet në lëvizje për vënien para përgjegjësisë të autorëve dhe që të marra masa serioze për të parandaluar ngjarje të tilla që jo vetëm vënë në pikëpyetje bashkëjetesën ndër-etnike brenda Maqedonisë, por që kërcënojnë stabilitetin e mbarë rajonit”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e PDIU-së.

 

Comments are closed.