Dialogu me Serbinë, Krasniqi: Të ndryshohet ekipi përfaqësues i Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka kërkuar që të ndryshohet ekipi përfaqësues i Kosovës në dialogun me Serbinë. Në një intervistë për “Epokën e Re”, Krasniqi ka thënë se ekipi përfaqësues i Kosovës nuk i ka kapacitetet e mjaftueshme për ta udhëhequr këtë dialog. “Kam pasur edhe kam rezervat e mia se në këtë dialog kemi hyrë të papërgatitur siç duhet, pa planifikuar çështjet që dëshirojmë t` bisedojmë. Në këtë dialog kemi dërguar një ekip që ka treguar se nuk i ka njohur teknikat e dialogut. Delegacioni i Kosovës duhet ta ndryshojë mënyrë ose të ndryshohet i tëri”, është shprehur Krasniqi. Duke folur për veriun, Krasniqi ka thënë se Pakoja e Ahtisaarit e arritur në bisedimet e Vjenës është dokument kompromisi. Në këtë kontekst, ai u ka bërë thirrje liderëve politikë të kenë një komunikim ndryshe për veriun. “Liderët politikë duhet të vendosin një komunikim ndryshe e jo në këtë formë që e kemi hasur deri më tani. Mendoj se konsensusi që është arritur për kompromisin në pakon e Ahtisaarit është limiti deri ku ka mundur të shkohet. Pakoja gjithëpërfshirëse e arritur në bisedimet e Vjenës është dokument kompromisi. Çdo dalje përtej kësaj pakoje rrezikon pakon në tërësi”, ka thënë Krasniqi. Kryeparlamentari ka kërkuar nga SHBA-ja dhe BE-ja t`ia bëjnë të qartë Serbisë se nuk mund të organizojnë zgjedhje në një territor të shtetit të huaj. “Zgjedhjet e tilla nuk mund të prodhojnë siguri e as stabilitet”, është shprehur ai. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi është shprehur edhe kundër fusnotës duke thënë se në asnjë variant nuk duhej të pranohej ashtu siç është pranuar.

 

Comments are closed.