Dita e Verës, Basha: Tirana ka hapur dyert për të festuar ditën e largimit të dimrit

Kreu i bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha ka vizituar panairin në pedonalen e rrugës “Murat Toptani”, në kuadër të festimeve të Ditës së Verës. Ai shprehu kënaqësinë e tij që në këtë panair marrin pjesë 100 biznese nga të gjitha trevat shqiptare, ku theksoi gjithashtu se sot Tirana ka hapur dyert dhe zemrën për t`i ofruar banorëve shansin për të festuar ditën e largimit të dimrit dhe ardhjes së pranverës. “Në këtë ditë të veçantë unë jam i lumtur që Tirana të mirëpresë si pjesë e festimeve 100 biznese të ardhura nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva që të ekspozojnë për qytetarët produktet e tyre që na bëjnë krenar me cilësinë e lartë dhe shijen e tyre të rrallë dhe kanë në çdo qelizë të tyre mundin e vëllezërve dhe motrave tona”, ka theksuar Basha. Kreu i Bashkisë gjithashtu i bëri thirrje qytetarëve ta vizitojnë këtë panair që të njihen nga afër prodhimet kombëtare dhe ti japin një impuls prodhimit shqiptar. “Ftoj qytetarët e Tiranës të vizitojnë këtë panair, i cili do t’i japë impuls prodhimeve shqiptare në Europën juglindore dhe në Ballkan”,  u shpreh Basha. Panairi i Produkteve Shqiptare,i cili është çelur në rrugën “Murat Toptani” bashkon biznese të të gjitha trevave shqiptare, nga Kosova, Mal i Zi, Maqedonia, Presheva e Shqipëria.

Comments are closed.