Categories
Eventet e Fundit

Djemtë Gazmorë

Djemtë Gazmorë fokusohet mbi marrëdhënien e dy ish-aktorëve të shquar të estradës, një gjini tashmë e zhdukur. Uilli Klark (Robert Ndrenika) dhe El Ljuis (Viktor Zhusti), të mbiquajturit “Djemtë Gazmorë”, kanë luajtur për 43 vjet me radhë skeçe, ndër të cilët më i suksesshmi ka qenë “Doktori dhe taksat”. Gjatë gjithë jetës së tyre ata kanë luajtur vetëm bashkë, duke u bërë në sytë e publikut të disa brezave një dyshe e pandashme, një lloj Stenli Lorel dhe Oliver Hardi të skenës.

djemte-gazmoreAs publiku, as ata vetë, nuk e kanë imagjinuar kurrë njërin të ndarë nga tjetri. Por gjinia e estradës ka perënduar. Ftesat për shfaqje janë rralluar, derisa një ditë Ljuisi ka vendosur “të ulë siparin” përgjithmonë dhe të dalë në pension. Por duke bërë këtë, Ljuisi ka dënuar me dalje në pension edhe partnerin e tij të përjetshëm, Klarkun, i cili nuk ia fal kurrë…

Njëmbëdhjetë vjet më pas, Ljuisi punon ende si agjent burse dhe jeton me familjen e së bijës në Nju Xhërsi, ndërsa Uilli Klarku është pensionist dhe jeton vetëm në një garsonierë, në një hotel të lirë në Nju Jork. E vetmja vizitore e tij është mbesa, vajza e vëllait, e cila është agjente aktorësh. Nensi (Elia Zaharia) kujdeset shumë për xhaxhain e saj dhe përpiqet me mish e me shpirt t’i gjejë punë: role të vogla në reklama. Fati duket se u troket në derë xhaxhait dhe mbesës: rrjeti i televiziv SiBiEs do të realizojë një spektakël të madh për historinë e komedisë. Në programin e spektaklit është edhe skeçi i famshëm “Doktori dhe taksat”. SiBiEs është gati të paguajë 10,000 dollarë për “Djemtë Gazmorë”, që duhet ta interpretojnë edhe një herë atë skeç, para kamerave të televizionit. Kjo është më shumë se sa kanë ëndërruar ndonjëherë ata në dhjetë vitet e fundit. Përveç parave, bëhet fjalë për një rikthim në jetë, në lavdinë e dikurshme, e pse jo edhe në treg, me të tjera oferta për punë.

djemte_gazmore

Por sfida nuk është e lehtë. Në fillim Nensit, pastaj edhe regjisorit të televizionit (Dorian Ramaliu) dhe asistentit të tij (Genti Deçka) u duhet të merren me keqkuptimet, zënkat dhe inatet që i kanë shoqëruar “Djemtë Gazmorë” për 43 vjet me rradhë dhe nuk janë fashitur as nga 11 vjet heshtje. Në një skenë të shkëlqyer të “teatrit brenda teatrit” ne shohim dy pleq 72 vjeçarë që rreken të bëjnë humor me një skeç që e kanë interpretuar mijëra herë, ndërkohë që mes tyre nuk ka më as respekt, as simpati dhe as mirëkuptim. E zënë ngushtë mes tyre duket aktorja (Nigda Dako), që luan rolin e infermieres.

Koha ka ndryshuar shumë gjëra, përveç tipit inatçor të Uilli Klarkut, që nuk mund ta qetësojë as profesionalizmi i infermieres (Albana Sançolli).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *