Dy anëtarët e KQZ-së, PS nuk do të propozojë kandidatë

 

Partia Socialiste konfirmoi zyrtarisht se nuk do të propozojë emra të tjerë për të zëvëndësuar dy anëtarët e opozitës që dhanë dorëheqjen nga KQZ. Sekretari për Çështjet Zgjedhore, Damian Gjiknuri deklaroi se nuk do të respektohet afati ligjor i parashikuar në kod, sipas të cilit brenda 48 orësh propozohen dhe miratohen emrat që zëvëndësojnë vendet vakante në KQZ. Sipas opozitës, kjo mund të ndodhë vetëm në rast se i kthehet legjitimiteti i cënuar institucionit që menaxhon zgjedhjet.  “KQZ është një organ i dhunuar, ka humbur legjitimitetin e tij.  Anëtarët më të mirë dhanë dorëheqjen, ky organ për mua është në krizë totale dhe nuk ka pse PS të bëhet pjesë e një organi të dhunuar. Fatkeqësisht pa i kthyer legjitimitetin këtij organi, ky organ nuk ekziston. Legjitimiteti mund ti kthehet nëse maxhoranca kthen mbrapsht veprimet e saj, ose të gjejë një formulë tjetër që mund ti kthejë legjitimitetin KQZ. Me situatën që është, meqënëse maxhoranca kërkoi ta marr peng këtë institucion le të mbajë përgjegjësinë e administrimit të këtij institucioni si një zyrë e kryeministrit”, tha Damian Gjinuri. Më herët në mbledhjen e grupit parlamentar socialist është vendosur që të mos paraqiten emrat që do të zëvëndësojnë Albana Shtyllën dhe Denar Bibën në KQZ. Socialistët pretendojnë që të kthehet vendimi që u mor në parlament pak ditë më parë, ku u shkarkua me votat e mazhorancës i zgjedhuri I LSI në KQZ Ilirian Muho.