Dy ëndrra, një realitet: Dibra, më e mirë

Nuk mjafton vetëm 8 Marsi që aktorët burra dhe gra të një shoqërie, të ulen së bashku, për të konturuar realitetin e përbashkët – atë të komuniteteve të tyre, institucioneve të tyre, të së ardhmes së tyre. Kronikë e një dite si kjo mund të ishte: analiza, dialogu, tryeza, festa, protesta, spote, të dhëna, intervista, promovime… E rëndësishme është që ajo, gruaja, të ndjejë përgjegjësinë e saj, të ndjejë se i ka kapërcyer muret e gurta tashmë, por ende ato të qelqta…

Fenomeni “Glass – ceiling” (muret e qelqta) ka prodhuar vetëm 19 për qind gra parlamentare në rrafshin global, duke privuar shumë të tjerë, burra dhe gra që mund të ishin aty për një vendimmarrje pro jetës, progresit, sigurisë. Vetëm 16 për qind e grave brenda territorit shqiptar janë vendimmarrëse në tempullin e demokracisë, por sa prej tyre janë aktore të vërteta në shoqërinë tonë që bashkë më progresin, prodhon edhe regresin, bashkë me ëndrrat, prodhon edhe zhgënjimet, bashkë me objektivat, prodhon edhe barrierat … Vetëm 4 për qind e grave në qarkun e Dibrës janë përfaqësuese në këshillat bashkiakë dhe ato komunalë. Në ditë marsi, kur jeta ripërtërihet me gjithë ngjyrat e saj, do të kisha dashur që këto dy pikëpyetje t’i ndaja me ju:

1. Pse humbi aftësia e gruas për të advokuar, kur dihet se ky është një avantazh njerëzor?

Argumenti im nis me një dyshim, që mund të jetë i gjithkujt. Nuk e di nëse ka pasur gruaja ndonjëherë mundësinë për të advokuar?! Po t’u referohemi rasteve nga shoqëria civile, nuk mungojnë shembujt pozitivë, advokim për të drejtat e fëmijëve, për mjedisin, etj. Krejt ndryshe shfaqet situata brenda subjekteve politike, atje ku forca e kryetarëve dominon mbi të drejtat e anëtarësinë. Avantazhet e politikës duket se janë avantazhe që i gëzon vetëm njëra gjini, pavarësisht kushtëzimeve statutore (25-30 për qind) dhe ligjore. Tendenca e një protagonizmi femëror ka gjithnjë pamundësinë e mbështetjes së pjesës tjetër, të burrave, ndërkohë kur gratë kanë votuar sistematikisht për ta, i kanë mbështetur duke e pranuar deri në nënshtrim pushtetin e burrave. Përpjekja për të advokuar, jo rrallëherë shfaqet si përpëlitje, tentativë, pritje, ose, në rastin më të keq, ajo shndërrohet në monolog. Arsyet mund të jenë disa:

 1. Zëri i gruas tingëllon i mekët dhe mjedisi kulturor, për shkak të stereotipave gjinore, nuk e dëgjon, as nuk e merr në konsideratë atë. Përveçse arsye, këto shkaktojnë edhe pasoja, një prej të cilave është niveli i lartë i papunësisë në radhët e grave. Rreth 15.9 për qind e femrave në territorin shqiptar, janë të papuna, shkaqet e papunësisë variojnë, por, me siguri që në zonat periferike të Shqipërisë (nuk kam shifra), kjo përqindje është më e lartë, për shkak të mungesës së grave në pozicione drejtuese, e cila, sipas studimeve, konsiderohet si një mënyrë që e zbut papunësinë në radhët e kësaj gjinie. Ndërsa analizon faktorët globalë që ndikojnë në aktivitetin e gruas në vendimmarrje, si një gërvishtje e “Glass-Ceiling”, akt që lind diskriminimin për shkak të gjinisë, vihen re paralelizma dhe ngjashmëri me realitetin shqiptar, por në rastin shqiptar, ky lloj diskriminimi shfaqet egërsisht dhe jo vetëm gjinor apo verbal, por edhe ekonomik. Nivelet e papunësisë rreth 15.9 për qind gra të papuna, ndërkohë që 12.2 për qind burra, tregojnë se edhe ky fenomen prek më shumë gratë. Gjithashtu, edhe treguesit e punësimit janë në disfavor të grave 64.3 për qind meshkuj të punësuar, 43.6 për qind femra të punësuara. (Të dhënat janë të vitit 2009). Shkaqet e mungesës së balancave janë shumë; nënvlerësimi i kritereve në punësim, indiferenca e autoriteteve lokale ndaj ruajtjes së balancave gjinore, përqendrimi i fuqisë në kryetar partish, shpërdorimi i kësaj fuqie, vatra të nxehta diskutimi këto, por me siguri edhe monologu.

 A iu krijua gruas mjedisi për të thënë mendimin e vet?

E rëndësishme është të sqarohet se çfarë nënkuptojmë me termin: MJEDIS?

Bëhet fjalë për mjedisin apo kontekstin politik, kulturor, ekonomik, teknologjik dhe infrastrukturor. Faktorët e këtij mjedisi, janë sa brenda, aq edhe jashtë gruas si institucion. Ka ardhur koha ta quajmë kështu, përderisa ajo vepron jo vetëm si individ, por edhe si përgjegjëse për familjen e saj, fëmijët, rrethin e gjerë shoqëror dhe miqësor. Një analizë të detajuar të të gjitha mjediseve ku përqendrohet jeta e përditshme, sigurisht që do ta shpjegonte deri-diku mundësinë apo pamundësinë që të jep mjedisi. Çfarë do t’i ndodhte asaj qelize të shoqërisë (FAMILJES), ku JETA merr frymë, kur njeri ose të dy prindërit nuk janë në marrëdhënie pune? Për fat të keq, kjo është situata që takojmë më shpesh në realitetin tonë të përbashkët. Fjala diskriminohet, është e konsumuar tashmë. Dhunohet?! Shoqëria shqiptare prodhon dhunë çdo ditë, aq sa duket se është imunizuar tashmë. Reflektimi rreth një fenomeni të tillë është detyrim i mjedisit që e ka prodhuar, megjithëse jo vetëm i tij. Por ai (mjedisi shoqëror) hesht. Hesht, sepse nuk di, hesht sepse ka frikë, hesht sepse edhe HESHTJA flet. Flet me shifra: 4.7 për qind gra këshilltare në qarkun Dibër.

 Asnjë grua drejtuese institucioni (Peshkopi)

Po kur as shifrat nuk flasin?

Atëherë, vështrimi duhet hedhur në mjedisin politik, duke pasur edhe bindjen se zanafilla e problemit është gjithnjë çelësi i zgjidhjes së tij. Ky mjedis politik sa i çuditshëm, aq edhe misterioz, që hesht kur duhet të flasë dhe flet kur duhet të heshtë, për një grua –institucion, shndërrohet në barrierë të vështirë, herë- herë edhe absurde. Ligji për barazinë gjinore, kuota, siç njihet ndryshe, ka shkaktuar jo pak efekte që janë rast studimor më vete. (4 për qind gra këshilltare për qarkun Dibër, vetëm Partia Demokratike 1.84 për qind gra këshilltare). Kuota është veçse një hap i përkohshëm që jo të gjitha vendet e botës e kanë zgjedhur, duket se ka nevojë për t’u rishikuar, nëse është vërtet e nevojshme në terrenin shqiptar.

A arriti kuota ta bëjë ligjin për barazinë gjinore të respektueshëm në të gjitha institucionet publike? A solli kuota më shumë gra apo më shumë vëmendje ndaj grave? A është përmirësuar problematika e gruas në këto vite të implementimit të ligjit për barazinë gjinore? A advokuan ndonjëherë gratë për gratë në mjediset e tyre politike për njëra-tjetrën apo për ndonjë problem që lidhet drejtpërdrejt me ta?

Janë pyetje “buqetë 8 marsi” për mjedisin politik ku shpeshherë kuota ka shkaktuar edhe armiqësi, hakmarrje. Të reagosh në mjedisin politik, nuk ka qenë një sfidë e lehtë. Reagimi im ka qenë një sinjal i largët, pas shumë viteve angazhim, kontribut, veprimtari konkrete në vendin e duhur, në kohën e duhur, në mënyrën e duhur. Të ngresh zërin, jo me egërsinë e një burri, por me logjikën e një gruaje që shkollimi, edukata familjare dhe modestia nuk i kanë munguar asnjëherë. Pa u bërë kurrë objekt, por as edhe viktimë, sepse kështu mund të humbasë filli i asaj logjike që të bën të advokosh për të tjera gra, fëmijë, të drejta apo ëndrra të të njëjtit realitet. A ka viktima dhe objekte të tilla në qytetet tona? Ku i dihet?! Pa opinion publik, demokracia nuk jeton më. Por as ligji nuk ka më asnjë vlerë, për sa kohë ai trajtohet si plaçka që vishet, zhvishet, ngushtohet, pritet, flaket.

Edhe nëse humbet zërin, kujdes logjikën, mund të humbësh forcën, por kurrë dëshirën. Realitetet tona, ndonjëherë janë kokëforta, i bëjnë rezistencë logjikës, më shumë sesa interesave të momentit …

Duket se mjedisi shoqëror reflekton atë politik, sidomos në shoqëri të vogla, tranzite, ku vlerat dhe kulturat qarkullojnë njësoj si partitë në sisteme politike të pakonsoliduara.

Në ditë si këto do t’i kujtoj pafundësisht vetes, edhe të tjerëve, se shoqëria progreson, kur progresojnë të gjithë anëtarët e saj, burra dhe gra.

Shoqëria progreson kur nuk ka shtypje dhe diskriminim, sepse vetëm kështu, çdo anëtar i saj, kupton se çfarë të drejtash ka, çfarë përgjegjësish?

Një shoqëri e tillë nuk ka nevojë për kuota. E çfarë vlere ka kuota kur gratë e kuotuara dhunohen? Në një ditë si kjo, dua t’i kujtoj vetes dhe të tjerëve se profesionalizmi nuk ka gjini dhe shoqëria është ajo që e ndjen më mirë se kushdo atë, perfeksionohet nëpërmjet saj. Nëse shoqëria vuan komplekse dhe rrugët për të shpëtuar prej kompleksitetit janë tri: nënshtrimi, ikja, edukimi – unë gjithmonë kam zgjedhur të tretën. Kompleksiteti kurohet përmes procesit të edukimit. E kam zgjedhur dhe e rekomandoj si një formulë jo vetëm për gruan, por edhe për burrin. Shoqëritë e miredukuara nuk dhunojnë askënd, për shkak të gjinisë.

Një “buqetë tjetër” – mendimesh, sigurisht

Trokitje në mjedisin politik, informim mjedisit politik, thirrje mjedisit politik, sensibilizim mjedisit politik, ftesë mjedisit politik, edukim mjedisit politik; gruaja-institucion është aktor po aq sa edhe një burrë, nëse ia krijon mundësinë që fjala dhe mendimi i saj të thuhet, të dëgjohet, të pranohet. Trokitje në mjedisin shoqëror. Jo vetëm në raste fushatash elektorale, por periodikisht përmes informimit, delegimit, edukimit, sensibilizimit, me qëllim instalimin e një “opinioni publik” të shëndetshëm, që konsiderohet si matës i nivelit të demokracive. Thirrje mjedisit kulturor; civilizimi fillon në familjet tona, nëpër rrugët ku ecim çdo ditë, shkollat ku edukohemi, ku edhe atje protagonistë janë të dyja gjinitë. Kulturë quhet edhe ajo politike… Monet, jo më kot citonte se nëse do ta ribashkonte edhe një herë Evropën, do t’ia niste nga KULTURA. Kjo vlen edhe për qytetet tona. Evolucioni teknologjik nuk njeh gjini, shërbimet e tij janë njëlloj të aksesueshme si për gruan, edhe për burrin, që i zotërojnë këto aftësi. Kostoja e shërbimeve u mundëson atyre që të jenë aktivë në funksion të ëndrrës së tyre, familjes së shëndetshme. Përmirësimi i vazhdueshëm infrastrukturor lehtëson mundësitë për çdo pjesëtar të shoqërisë drejt dy ëndrrave të një realiteti: QYTETE më të mira, por jo vetëm me burra, as vetëm me gra, por me të gjithë bashkë, pa lënë në hije apo mjegull kontributet E VERTETA dhe të bazuara në vlera dhe parime.

Ja edhe një “buqetë” tjetër falënderimesh:

Falënderim rrjetit të grave “Barazi në Vendimmarrje”, i cili, prej tetorit 2009, ka qenë prezent në Dibër, me veprimtari për shëndetin e gruas, trajnimeve të grave në politikë, sensibilizim mbi ligjin për barazinë gjinore, pyetësorë mbi çështje lokale, tryeza me gra kandidate për këshilltare lokale. Faleminderit grave dibrane dhe familjeve të tyre, që kurrë nuk u ndalën, sa herë që u kërkoje bashkëpunim, sa herë që i doje në krah, sa herë që u duhej të rreshtoheshin nëpër mitingje elektorale. Atyre, të gjithë u kemi një borxh të madh: Një Dibër më të mirë.

 

Nga Marjana Zeneli Bulku

 (Kryetare e Lidhjes Demokratike, Dibër)

Comments are closed.