Dy reporterët e KiE-së takojnë kryetaren e kuvendit

 

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti dje në takim raporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Jonathan Evans dhe Grigore Petrenco, të cilët ndodhen në Shqipëri në një vizitë të programuar prej kohësh. Kryetarja e Kuvendit i njohu raporterët me situatën në vend dhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme. Ajo theksoi se shteti ligjor është themelor dhe gjithçka do të bëhet në respekt të ligjeve dhe Kushtetutës së vendit. Ajo tha se askush nuk mund të kërcënojë menaxhimin e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor. “Ligji dhe Kodi Zgjedhor është i qartë, bazuar në  rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias. Ky kod  është votuar me konsensus të gjerë dhe do të respektohet dhe zbatohet në frymë e në gërmë. Ne nuk do të lejojmë askënd të shkruajë rezultatin në tavolinë. Humbësi duhet të njohë rezultatin”,  tha Kryetarja e Kuvendit. Zonja Jozefina Topalli siguroi për një vullnet dhe angazhim maksimal të institucioneve shtetërore për një proces zgjedhor të standardeve më të larta europiane dhe ndërkombëtare. Kryetarja e Kuvendit u është drejtuar Asamblesë së OSBE-së, Asamblesë së Parlamentit Europian dhe Asamblesë së Këshillit të Europës për të sjellë sa më shumë vëzhgues në zgjedhjet e ardhshme të 23 Qershorit.