Analiza

Editorial / Rilindja e Eksodit

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

Anija Vlora, njësoj si një çerekshekulli më parë

Në agim të viteve ‘90, një anije me emrin e qytetit të flamurit, Vlora, me 30 mijë njerëz të bërë shuk mbi njëri-tjetrin, në bark të saj, mbeti metafora më e fortë e dëshpërimit të madh të shqiptarëve që braktisën vendin.

Ishin kohë të rënda, me shumë varfëri… pesimizëm. Në kalendat e historisë,ky udhëtim, gati biblik drejt Perëndimit, u arkivua si Eksodi i madh. Por që atëherë e deri tani, ka ndryshuar mënyra, po jo Akti. Dhe Anija Vlora, është kthyer si fantazmë për të na treguar diçka….

Megjithëse kanë kaluar më shumë se dy dekada, shqiptarët,të shumtë në numër kërkojnë sërish të emigrojnë. Sipas të dhënave zyrtare,vetëm në vitin 2015, në vendet e BE-së kërkuan azil rreth 70 mijë vetë dhe deri në fund të 2016-s janë larguar 350 mijë shqiptarë. Mijëra të tjerë kanë ikur legalisht, të tjerë përmes lotarive dhe disa të tjerë nëpërmjet “gomoneve”të propagandës qeveritare me oferta pune jashtë vendit.

Sot është fakt se1/3 e shqiptarëve jetojnë jashtë vendit dhe 80% e emigrantëve,sipas INSTAT, ishin me arsim të lartë dhe të mesëm. Gati të gjithë u larguan për të plotësuar nevojat bazë. Por, nëse dikur emigrimi ishte shpëtimi më i madh i ekonomisë për shkak të të ardhurave që vinin nga remitancat, sot largimi është dëmi më i madh, pasi shumica e tyre janë kapitali human më i kualifikuar, për të cilin janë investuar para, por që nuk mund t’i kthehen mbrapsht ekonomisë si vlerë e shtuar për t’u rritur.

Për të kuptuar peshën e faktit, ju sjellim ndër mend kalkulimet e FMN-së, e cila arriti në përfundimin se gjatë viteve 1995-2012, largimi i shqiptarëve ka sjellë efekt negativ 18 për qind në PPB dhe se efekt 16 për qind vjen nga largimi i forcës së kualifikuar. Dhe vetëm për këtë fakt, rritja ekonomike nuk duhet të ishte rreth 3 për qind, por 9 për qind(i referohemi së njëjtës periudhë). Ndërkohë, rritja e të larguarve dhe shtesa negative e popullsisë në moshë për të punuar, po ngre përpara vendit sfidën më të madhe: A jemi në rrezik? A po punojmë për të rritur mirëqenien apo do të biem në skllavëri ekonomike të vetvetes?

Në brendësi të këtij numri, revista “Monitor” i jep më në hollësi pasojat në ekonomitë këtij eksodi të rilindur, përmes tregimit nga vetë sipërmarrësit. Qeveria mundohet të shpjegojë të kundërtën. Në disa raste e injoron emigracionin dhe në raste të tjera, tregohet cinike kur kërkon të na bindë përmes të huajve se sa mirë jetohet në Shqipëri e në disa raste të tjera kthehet në agjenci emigracioni, ku i fton shqiptarët e kualifikuar, që të punojnë jashtë.

Ky injorim politik ndaj asaj që po ndodh me emigracionin nuk po i ndihmon vendimmarrësit të orientohen drejt,por në disa raste i bënë ata qesharakë, kur ofrojnë zgjidhje siç ishte lajmi i fundit se të papunët do të detyrohen me ligj të bëjnë kurse kualifikimi për t’u punësuar, a thua se shqiptarët ikin nga vendi se nuk kanë arsimin dhe jo vendin e punës?!!
Por përse ikën shqiptarët e Anijes Vlora?

Rreth 80 për qind e gjithë shqiptarëve që emigruan dikur kishin arsye papunësinë dhe të ardhurat e ulëta. Për të kuptuar se pse të tjerë vazhdojnë të ikin iu referohemi të dhënave zyrtare të INSTAT,i cili ka bërë një studim interesant pak kohë më parë, kur pyet emigrantët e kthyer në atdhe.

Po 80 për qind e të kthyerve thonë se në Shqipëri ka papunësi dhe shërbimet publike, veçanërisht arsimi dhe shëndetësia, janë të këqija. Gati 80 për qind e tyre nuk ka investuar asnjë lekë, pasi i përdorin vetëm për konsum vetjak bazë. Në sytë e tyre, Shqipëria e vërtetë mbetet njësoj si njëzet vjet më parë. Ndaj do të ketë për ca kohë një Anije si “Vlora” që simbolikisht pret në port, si dëshmi e një misioni që nuk është përmbushur. /Monitor.al

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

Comment here